` . Vetëm në Ballkan opozita shihet si armik – TV-SHENJA

Vetëm në Ballkan opozita shihet si armik

“Opozita lërë që përjashtohet rëndom nga të gjitha format e konsultës politike dhe të qeverisjes, edhe kur janë në pyetje interesat vitale të shtetit (shteti gjithnjë është një atdhe), por ajo stigmatizohet si armiqësore, sepse rotacizmi i pushtetit në Ballkan dhe në Kosovë, veçanërisht, përjetohet si deklasim i një klase, mundje dhe, për pasojë, edhe stigmatizim dhe burgosje”, thotë Matoshi.

Intervistoi: Latif MUSTAFA

Halil Matoshi, si veteran i gazetarisë kosovare, është ndër publicistët e analistët e paktë në Kosovë, që ka arritur ta ruajë këtë atribut dhe akoma të vlejë në Kosovë ndër opinionistët që i peshon fjala dhe analiza e tij merret seriozisht sa herë që ai shpreh një opinion. Ajo që e dallon atë, pos kësaj, ka qenë dhe mbetet edhe guximi i tij intelektual që të flasë hapur, pa doreza e pa tabu edhe për tema që shumëkush sot druan ose, nga konformizmi, hesht. Edhe kjo intervistë me të është një dëshmi e këtij konstatimi.

SHENJA: Çfarë nënkuptoni ju me opozitarmizmin? A është opozitarizmi gjithmonë politik?

  1. MATOSHI: Po, opozitarizmi në thelb është gjithmonë politik, sepse edhe kur shfaqet si lëvizje kundër rrymës në kulturë (arte vizuale, muzikë, letërsi…), pra edhe si postmodernitet, janë politikat kulturore (avangarde ose ato retrogarde) ato që i inicojnë këto rrymime opozicionesh. Opozita parlamentare (opozitarizmi në përgjithësi) në demokracitë e zhvilluara konsiderohet si pjesë e sovranitetit të popullit, madje gjithnjë i bëhet thirrje pushtetit që të qeverisë së bashku me opozitën, d.m.th. duke e konsultuar atë për çështjet më të ndjeshme të një kombi, shoqërie dhe shteti.

SHENJA: A mund të na jepni një përshkrim të përgjithshëm të opozitave shqiptare në përgjithësi, cilat janë mangësitë, dobësitë, mundësitë dhe shkathtësitë e tyre politike në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni?

  1. MATOSHI: Te shqiptarët, përkatësisht në Kosovë, opozita lërë që përjashtohet rëndom nga të gjitha format e konsultës politike dhe të qeverisjes, edhe kur janë në pyetje interesat vitale të shtetit (shteti gjithnjë është një atdhe), por ajo stigmatizohet si armiqësore, sepse rotacizmi i pushtetit në Ballkan dhe në Kosovë, veçanërisht, përjetohet si deklasim i një klase, mundje dhe, për pasojë, edhe stigmatizim dhe burgosje. Dhe, kjo e ka historinë e vet: klasat politike pas rënies së komunizmit në Ballkan janë ngritur mbi konvertimin në nacionalizëm ekstrem, por edhe teokraci dhe mbi idenë e pushtetit ekstraktiv (perfitues).

SHENJA: Le t’i kthehemi pak historisë së afërt. Kur bëhet fjalë për opozitarizmin, ajo çfarë na vjen ndër mend është Kosova dhe fryma protestuese e shqiptarëve në Kosovë. Këtu mund të përfshijmë demonstratat e viteve ’68, ‘81, ‘89, ‘97 e deri në shpërbërjen e plotë të Jugosllavisë, ku shqiptarët paraqiten një formacion politik, siç ishte LDK-ja e cila ishte transformuar në parti nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës. Çfarë e ka bërë Kosovën të jetë emblemë të opozitarizmit?

  1. MATOSHI: Demonstratat e vitit 1968 janë rrjedhojë e liberalizmit jugosllav (sapo miratohen amendamentet në Kushtetutën e vitit 1974, që e forconin pozitën e Kosovës në federatën jugosllave deri në nivel të së drejtës së vetos) dhe të inicuara nga elita politike dhe kulturore e spektrit komunist kosovar, prandaj efektet janë solide (lejimi i përdorimit të flamurit shqiptar, hapja e Universitetit të Prishtinës (1970), marrja hov e zhvillimit ekonomik dhe punësimit në Krahinë etj…), kurse pasojat janë minimale: nuk ka arrestime në masë, Josip Broz Tito flet habitshëm me një simpati për studentët, ndërsa nacionalizmi serb kthehet nën rrogoz… Ngjarjet e vitit 1981 sikur shënojnë një shkëputje fatkeqe mes studentëve dhe klasës punëtore, në një anë, me qytetarinë/borgjezinë e re kosovare dhe elitën kulturore, në anën tjetër. Ato ashiqare janë të influencuara nga Sigurimi i shtetit shqiptar, pra mëtojnë ta zhvendosin vëmendjen e shqiptarëve në Republikën e Shqipërisë nga vështirësitë e brendshme, duke qenë se vetëdija antikomuniste po rritej, sepse një lloj opozitarizmi që synonte rrëzimin e pushtetit në Tiranë po rritej, edhe për shkak të influencimit të kosovarëve, të cilët nën federatën jugosllave jetonin shumë më mirë…

Lëvizja e vitit 1989 është e shkaktuar nga ndryshimet Kushtetuese, duke qenë se ishte menduar si pragu i fundit i rezistencës kundër heqjes së autonomisë së Kosovës, pra është inicuar nga lidershipi komunist kosovar (administrata në koalicion me qytetarët, minatorët e Trepçës, punëtorët e “Ramiz Sadikut”), kurse paralelisht zhvilloheshin turbulenca studentore të influencuara nga Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës (LPK), që kishte ide ekstremisht të majta.

Ndërkaq në vitit 1997 kemi sërish të bëjmë me implikimin dominues të LPK-së (tashmë ishte krijuar edhe UÇK-ja) për ta rrëzuar Ibrahim Rugovën dhe për të komprometuar strategjinë e LDK-së, e cila u druhej masakrave, përkatësisht agresionit të hapur të Serbisë mbi Kosovën… LDK-ja ishte ngritur mbi postulatin e kërkimit të lirisë dhe demokracisë dhe ishte lëvizja më masive dhe e baraspeshuar te shqiptarët në të gjitha kohërat, ndonëse i pati dhe i ka ngërçet dhe “The Twilight Zone” të saj. “Një krah më radikal, gjithnjë i gatshëm të shtojë edhe diçka për aspiratën kombëtare, në fakt ekziston dhe Rugova bën haptazi detyrën demokratike për të mos e mohuar. Virulenca e këtij krahu, e përfaqësuar në veçanti nga shkrimtari Rexhep Qosja, e bën edhe më të çmueshëm pacifizmin pa të meta të Ibrahim Rugovës.” (Marie – Françoise Allain & Xavier Galimiche.)

SHENJA: A ka sot opozitë dhe opozitarizëm në Kosovë?

  1. MATOSHI: Po, sot e vetmja opozitë është ajo e Albin Kurtit në Kosovë, pra Lëvizja Vetëvendosje. Ndonëse edhe kjo vuan nga koncepte kombëtariste (shpesh edhe pakuptueshëm të ekstremit të majtë) megjithatë VV-ja ka krijuar një logjikë të re të luftës për pushtet, që nuk ndahet nga lufta antikorrupsion dhe emancipim shoqëror.

Pas prishjes së bllokut opozitar, që quhej V-LAN (2014) dhe atomizimit të asaj që mbeti pas LDKexit, mbase kjo lëvizje duhet ta rimendojë veten, duke i rivlerësuar politikat e saj ekonomike dhe retorikat e saj kombëtariste-unioniste. Vetë emërtimi i kësaj lëvizje mendoj se është i deplasuar, sepse shqiptarët e Kosovës (kosovarët) e kanë konsumuar të drejtën për vetëvendosje dhe, në kushtet e shtetit të pavarur, ky emërtim mbetët bosh dhe i pakuptimtë. Pse? Nëse merret parasysh forca e vullnetit politik të shumicës së qytetarëve të Kosovës, sipas parimit plebishitar, krahina ligjërisht nuk ishte pjesë e Serbisë, as e Shqipërisë, por territor i pushtuar nga Serbia më 1913 dhe e riokupuar dy herë me masa administrative-policore. Ajo nuk u përkiste këtyre dy shteteve, edhe pse një kohë të gjatë është krijuar miti në qarqet diplomatike europerëndimore se rreth krahinës së Kosovës zihen Serbia dhe Shqipëria, ngase deklarativisht, me Rezolutën e Konferencës së Bujanit (1944), kosovarët ishin përcaktuar se “si gjithmonë ashtu edhe tani, Kosova e banuar me shumicë nga shqiptarët dëshiron me u bashkue me Nanen Shqipni”, por edhe pozicioni i saj ambiguitativ në ish-federatën jugosllave ishte i karakterit deklarativ.

Sipas te gjitha Kushtetutave të RSFJ-së, Kosova ishte subjekt konstituiv i federatës, por deklarativisht (Konferenca e Prizrenit 1946), ajo i ishte bashkuar njëkohësisht “vullnetshëm” edhe Republikës së Serbisë. Kosova u riokupue me forcën e armëve – siç theksuam – edhe dy herë të tjera pas Luftës së Dytë Botërore, në të dyja rastet në momentin kur Jugosllavia, përkatësisht Serbia, i kishte shteruar masat represive-administrative për ta mbajtur kontrollin mbi Kosovën.Së pari, më 1945, kur krahina e posadalë nga lufta u vu nën regjim ushtarak dhe për të dytën herë më 1989, kur u suprimua autonomia e saj sipas kushtetutës së Jugosllavisë federative të vitit 1974, kur Kuvendi i Kosovës ishte rrethuar me tanke. Por, Serbia kurrë nuk mundi të vendoste pushtet legjitim në Kosovë, të pranueshëm nga shumica e popullsisë.

Në rrafshin e së Drejtës Ndërkombëtare, Serbia e konvertuar në RFJ, që ende nuk kishte njohje ndërkombëtare, nuk do të mund ta arsyetonte pushtetin e vet ushtarak dhe administratën e dhunshme në Kosovë të vënë mbi majat e bajonetave! Mirëpo, heshtur, nga qarqe të ndryshme ndërkombëtare, për të mos prishur punë në Bosnjë, Serbisë iu njoh e drejta e sundimit me Kosovën, por makineria luftarake e Milosheviqit nuk mundi tashmë të ndalej në përdorimin e “forcës proporcionale” – ajo shkoi në shkatërrimin total të shqiptarëve, në të gjitha sferat dhe me të gjitha mjetet.

Akademik Gazmend Zajmi konsideronte se Kosova, sipas Kushtetutës së vitit 1974, ishte e barabartë me republikat e tjera të ish federatës jugosllave. “Në dispozitën e Kushtetutës së RSFJ-së të vitit 1974 (si akt normativ i njohur sipas së Drejtës Ndërkombëtare) mbi atë se Kosova është pjesë konstituitive e Jugosllavisë (neni 2 i Kushtetutës), thënia se Kosova është në kuadër të Republikës Socialiste të Serbisë ka karakter deklarativ dhe jokonstituitiv, sepse baza konstituitive e gjetjes së Kosovës në kuadër të Republikës së Serbisë është “Rezoluta e Prizrenit” e vitit 1945 (10 korrik), e cila, si e tillë, u derogua me Deklaratën Kushtetuese të Kuvendit të Kosovës më 2 korrik 1990”. Në Deklaratën Kushtetuese (2 korrik 1990), të nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës, normativisht u rrumbullakua legjislacioni i brendshëm për pavarësimin e Kosovës, që u fuqizua me shpalljen e Kushtetutës së Kosovës, më 7 shtator 1990, në Kaçanik, prandaj historikisht u quajt edhe si “Kushtetuta e Kaçanikut”, që ishte sinonim i republikës së parë.

Ky proces konstituitiv pastaj fitoi edhe legjitimitetin e përmasave plebishitare, pas konsultave të qytetarëve kosovarë (referendumi për pavarësinë dhe zgjedhjet e lira parlamentare dhe presidenciale), duke siguruar legjitimitetin e brendshëm për një udhëheqje kredibile, që ka mandatin e popullit shumicë, për përfaqësim në raport me Serbinë dhe me faktorin ndërkombëtar, si dhe në mbrojtjen e interesave vitale politike të shqiptarëve në konferencat e ndryshme ndërkombëtare, që pasuan.

Në planin procedural-demokratik Kosova e kishte përmbushur kushtin për të qenë palë në bisedimet ndërkombëtare. “Kosova, shtet i pavarur e neutral, i hapur ndaj Serbisë dhe Shqipërisë”, ishte kredoja politike dhe postulati themeltar i dr. Ibrahim Rugovës, me të cilin postulat edhe hyri në vorbullën e rezistencës joviolente. Ky projekt politik i kosovarëve, ndonëse nuk u mbështet de jure nga faktori relevant ndërkombëtar, po hynte në etapën e vet të “pritjes historike”, sipas parimit të lëvizjes shoqërore, gjë që nuk paraqet stagnim historik, pra as kthim retrogard historik. Projekti politik i kosovarëve dhe rezistenca joviolente e identifikuar me figurën e Rugovës, po të kihet parasysh ajo që thotë Ortega Y Gasset, del të jetë perfekt.

“Shteti është në fillim një imagjinatë absolute, por imagjinata zhvillohet (krahas zhvillimit të vetëdijes së një populli) dhe projektohet në lëvizje të orientuar me vetëdije drejt themelimit të shtetit. (…) Shtetit të formuar i paraprin shteti në formim.” (Ortega Y Gasset, “Pobuna masa”; Fq. 118.)

Ekziston një debat juridik megjithatë rreth konsumimit ose jo të së drejtës për vetëvendosje. Në këtë debat përmendet Rezoluta e Bunjajt (1943-44) dhe Rezoluta e Kuvendit të Prizrenit (1945). E para spikat vullnetin e popullit të Kosovës me u bashkue me “nanën Shqipni”, kurse e dyta “shpreh vullnetin për bashkim me Serbinë federale”. Megjithëse, edhe miratimi i ndryshimeve kushtetuese nga ana e Kuvendit të Kosovës, me 1989, ndonëse nën shtetrrethim, nuk ishte pa ndikim në rrjedhat konstituitive të vendit. Dhe, çlirimi i Kosovës nga trupat e NATO-s (qershor 1999) krijui kushtet për procesin e pavarësimit të plotë shtetëror të Kosovës, që u arrit më 17 shkurt 2008. Eksperti i së drejtës ndërkombëtare Marc Weller (autor i librit “Shtetësia e kontestuar”) e sheh këtë si ’vetëvendosje zhdamtuese’ (self determination.)

E kur të kthehemi te Lëvzija VETËVENDOSJE, në të me statut është përcaktuar se, nuk mund të jenë anëtar ata/ato që janë përfshirë në keqpërdorim fondesh publike, akte terroriste, shërbime intelegjente apo mbrojtje të ideologjive fashiste. Në anën tjetër, kjo parti ka qenë më e zëshmja në Kuvendin e Kosovës kundër Gjykatës Speciale, që mëton hetimin dhe ndëshkimin e krimeve të luftës, të nxitura edhe nga intenca fashiste, sidmos pas çlirimit të Kosovës..

SHENJA: Në sistemet tona politike sikurse ekziston një rregull i pashkruar: opozita domosdoshmërish duhet të vijë në pushtet dhe, në anën tjetër, pushteti gjithmonë “persekuton” opozitën nga frika e humbjes së pushtetit. Në shtetet demokratike, në çfarë raporti do të duhej të qëndronte opozita dhe pushteti!?

  1. MATOSHI: Vetëm në Ballkan ndodh që opozita të shihet si “armik”, ngase pushtetet ekstraktive (përfituese) ardhjen e opozitës në pushtet e shohin edhe si mundësi të humbjes jo vetëm të pushtetit personal, por edhe të privilegjeve klasore (pasurimit nga zyrat publike!?), gjë që mund t’i dërgojë në burg!? Shpushtetizimi i kastave, që e kanë kapur shtetin në Ballkan, është proces i vështirë, sepse “kapja e shtetit” është bërë në emër të luftës për liri, në emër të kombit e flamurit, por me mjete kriminale, prandaj ekziston gjithnjë rreziku i tolerimit të “kriminelëve tanë të mire” kundër “kriminelëve të huaj të këqij”, ndërsa kjo mund të shpie në hakmarrje përmes proceseve të dekriminalizimit, pra edhe në shpërbërje të shoqërisë e të shtetit. Sot, në Kosovë simbol i opozitarizmit mund të konsiderohet Lëvizja Vetëvendosje!.

SHENJA: Megjithëse ju keni qenë kritik edhe për këtë lëvizje dhe keni pas debate publike me anëtarë të saj, sipas jush, çfarë nuk shkon me këtë lëvizje?

  1. MATOSHI: Edhe opozita gjatë të bërit opozitarizëm shpesh ngatërrohet në sherret e etno-nacionalizmit dhe ksenofobisë karshi pakicave tjera (etnike, fetare dhe grupeve margjinale të shoqërisë, LGBT) ndonjëherë kur janë në pyetje të drejtat e tjetrit, sillet edhe më vrazhdë se vet pushteti, duke dëshmuar jo vetëm konservatorizëm, por edhe arrogancë, sepse opozita e re kosovare nuk i ka tejkaluar konceptet e vjetruara për nacionalizmin & patriotizmin, si kolesterol i mirë, si dhe idetë e ngurta të identiteteve etnike, të cilat dijetari Amin Malouf i cilëson “vrastare.”

Opozita që rëndom identifikohet me VV-në së këndejmi ende qëndron në idetë kombëtariste/unioniste e jo shoqërore e qytetare, duke penguar unifikimin e kombit në Kosovë, por gjithnjë duke luajtur në raportet pakica-shumica. VV-ja e ka problem të madh bashkimin kombëtar, duke qenë se buron nga Lidhja e Prizrenit (1878) si një projekt i dështuar, pra një ide që shpenzon shumë energji dhe nuk jep asgjë, pos si deklaratë politike,që mund ta sjellë ndonjë votë më shumë, mirëpo mund të jetë fatkeqe në rrethanat e reja, sepse mund ta ndajë Kosovën…

SHENJA: Muajve të fundit të kemi një opozitarizëm të theksuar edhe në Maqedoni. “Këshilli Opozitar” dhe Lëvizja Besa në Maqedoni organizuan një protestë të madhe e cila është shënuar si protesta më e madhe në historinë e këtij vendi. Si e komentoni aktivizimin politik të shqiptarëve në Maqedoni?

  1. MATOSHI: Mendoj se shqiptarët në Maqedoni duhet të krijojnë sensibiltetin e ri, duke iu shmangur folklorizmit dhe etnonacionalizmit, pra ta ndjekin kursin e bashkëpunimit me ato forca demokratike të maqedonasve sllavë, të cilat janë në mbështetje të sovranitetit të shtetit maqedonas si shtet qytetar, europeanizimit të tij, duke i përqafuar vlerat e përbashkëta europiane.

Vetëm mbi këto baza opozitarizmi shqiptar në Maqedoni ka kuptim, sepse me mjete politike mund ta avancojë pozitën e shqiptarëve në këtë shtet, duke ndjekur modelin belg. Shqiptarët në Maqedoni mund t’i dëmtojnë interesat e tyre duke qenë zemërfyt dhe duke u futur në bela me shtetin modern maqedonas, përmes mujshisë primitive dhe fatalitetit (si në rastin e Kumanovës.)

Pra, atje, shqiptarëve u duhet dije, dije dhe dije…

SHENJA: Kohëve të fundit keni ngritur zërin edhe ndaj “Islamofobisë” e cila si fenomen duket se po nxënë vend në Kosovë. Kritikën e keni drejtuar ndaj kolegëve tuaj gazetar. A mendoni që shteti i Kosovës po ngrihet mbi bazat e një pushteti radikal shekullar?

  1. MATOSHI: E para, përdorimi i fesë islame për qëllime politike kudo, pra edhe në Kosovë, është fashizëm. Ndonëse ka pasur tendenca të tilla, mendoj se gjendja tashti është qetësuar. Dhe, dy janë faktorët që e kanë krijuar këtë qetim të islamit politik në Kosovë. E para, është ideja e europeanizimit, dalja nga izolimi (MS-ja, liberalizimi i vizave etj.), perspektiva e re etj., si dhe deplasimi i fuqishëm i idesë së luftës së ISIS në Siri dhe Irak, por edhe sulmet vetëvrasëse nëpër Europë dhe në Turqi, si tmerre që një njeri normal indinjohet deri në përmasat e neverisë nga to. Pra, ideja për një kalifat përjashtues dhe me norma primitive e të egra, nuk shihet më si dinamikë që ndërlidhet me Kosovën, është agjendë e huaj, përket në dinamikat e huaja dhe këtë po e kuptojnë në masë edhe ata të rinj që kishin rënë pre e lajthitjeve të disa klerikëve avanturierë, ekstremistë, që vegjetonin në rrymat antiqytetëruese. Së dyti, reaksioni i shtetit në mbrojtje të vetes (shteti sipas Kushtetutës e ka të garantuar të drejtën që ta mbrojë veten, institucionet legale e demokratike të sistemit), duke hetuar, mbyllur kinse-shoqata bamirëse dhe xhami jashtë juridiksionit të BIK-ut, si dhe duke arrestuar disa nga klerikët ekscentrikë, të cilët hapur thërrisnin në vëllavrasje, duke e përdor dendur gjuhën e urrejtjes, që sanksionohet me Kushtetutën e vendit dhe me kodin penal të tij, thjesht duke bërë thirrje për luftë në favor të ISIS-it. Që është thjesht një monstrum, aq i panjohur dhe aq i huaj për shqiptarët dhe Kosovën. Mirëpo, tashti Kosova është në fazën e rimendimit të kësaj mbrojtjeje – përmes deradikalizimit – me debat publik, me programe shkollimi e punësimi, me nxjerrjen nga izolimi të një mase të rinjsh e të rejash, pra Kosova është në momentin e kthesës, që masat e forta policore t’i zëvendësojë me masa të buta, cilësore, edukim, edukim dhe edukim!

Në anën tjetër, ka abuzime me lirinë e shprehjes dhe kufizimin arbitrar të kësaj lirie, por edhe cenim të të drejtave të njeriut, edhe nga vet organet e ndjekjes. Mirëpo, pikërisht në çastet kur fenomeni i radikalizimit fetar ose ligjërimeve fetare me rroba politike e kulturore, po qetohej dhe po rikthehej në debat publik dashamirës dhe joarmiqësor, u shfaq tendenca e denigrimit (njëfarë terrorizmi gjuhësor) të çdo gjëje islame dhe që ndërlidhet me të, duke fyer besimtarët e rëndomtë, shqiptarët e besimit islam, duke i renditur shtetet e kombet (shtetet arabe, Turqia…) si qytetërime më të ulëta dhe barbare, madje kjo mendësi po rrëshqiste në fashizëm, përkatësisht në racizëm dhe njëjtë po e dëmton idenë e një shteti liberal-demokratik, që mbi çdo gjë mbron njeriun dhe të drejtat e tij, liritë e shtypit, shprehjes dhe ndërgjegjes (duke përfshirë edhe lirinë e besimit, të garantuar me Kushtetutën e Kosovës, por që njëherësh është edhe njëra nga liritë fondamentale të të gjitha kushtetutave e shoqërive demokratike perëndimore.)

Termi islamofobi, edhe pse përdoret dendur (jo vetëm në Kosovë dhe jo vetëm ndër shqiptarët), është i gabueshëm, sepse fobia është term klinik, pra ka të bëjë me frikën irracionale si sëmundje dhe nuk e shpjegon tendencën e urrejtjes së tjetrit, gjithnjë në rrafshe reale, racionale, vetëm pse ai perceptohet i ndryshëm nga ne – ose si armik – e qytetërim i ndryshëm që mund të na influencojë, të na i ndryshojë bindjet tona… Pra, ky denigrim gjuhësor i fesë islame dhe i qytetërimeve lindore (përfshi edhe aleatin e Kosovës në NATO, në luftën e fundit, Turqinë) po shënon rritjen e një fashizmi latent ndonëse defansiv, por gjithqysh të rrezikshëm. Duke qenë një gazetar veteran dhe një opinionist (studiues i dijeve humane), dhe qytetar aktiv, shoqërisht e jo kombëtarisht e fetarisht i angazhuar, mua më intereson njeriu dhe fatet e tij, të drejtat dhe liritë e tij dhe do të jem në anën e tij kurdoherë që gjendet nën presionin e shtetit, klerit/teokracisë, partitokracisë dhe oligarkëve të ndyrë, që shumëfishojnë milionat përmes zyrave publike (tenderëve) dhe punëve të pista (pushtetit eksatraktiv) e në anën tjetër nëpër Kosovë shpërndajnë paqeta ndihmash kinse humanitare – për të mundurit – në Ramazan e për Bajram duke i traumatizuar fëmijër dhe gratë, sidomos, duke ua krijuar kompleksin e vlerës më të ulët dhe kompleksin e inferioritetit përballë kësaj shoqërie të egër të influencuar nga oligarkët dhe kakistokratët (qeverisje e përbërë prej qytetarëve më të ligj të mundshëm…)

Kosovës i duhet cilësi e re politike, standard të reja në të bërit politikë dhe, mbi të gjitha, i duhen qytetarë të spektrit humanist dhe liberal, njerëz që duan t’u shërbejnë qytetarëve pa intencën e përfitimit personal, pra gra e burra të profilit publik – qytetarë të dinjitetshëm – e me integritet personal, moral e profesional…

SHENJA: Çfarë opozitash dhe opozitarizmi do të duhej të kishin shqiptarët sot?

  1. MATOSHI: Kosovës i duhet opozitë e fuqishme, e cila bashkëpunon me Shoqërinë civile, mediat dhe botën akademike, në drejtim të lidhjes së segmenteve shoqërore, siç janë punëtorët me qytetarinë dhe elitat kulturore (borgjezinë, thënë kushtimisht) dhe e cila u bëhet zëdhënëse atyre që nuk kanë zë, klasës së mundur, si dhe numrave të vegjël, pakicave etnike e shoqërore, pleqve pensionistë dhe rinisë së paperspektivë, grave të shtypura në martesë (familje) dhe shoqëri (për qëllime reprodukimi biologjik), pra ajo, opozita, në fund duhet të heqë dorë nga kursi i fortë populist dhe të japë votën dhe miratimin e vet për Gjykatën Speciale dhe për deradikalizimin e kësaj shoqërie e kundër etablimit të partitokracisë në vend, si dëshmi se të gjithë po munden me lehtësi të padurueshme të bëjnë koalicione me të gjithë, qoftë edhe e djathta konservatore me të majtën revolucionare..

Argumentimi se në Kosovë po etablohet pushteti partitokratik duket i thjeshtë; një demokraci është e bazuar në dy shtylla kryesore: a) votimet e përgjithshme dhe b) ndarjen e pushteteve.
Kosova ka votime të përgjithshme, pra shtyllën e parë të qëndrueshme (sado me probleme besimi dhe me sistem të pareformuar zgjedhor dhe ngatërresat rreth faktit se vendi është një zonë e vetme elektorale), mirëpo duket se shtylla e dytë, ndarja e pushteteve, nuk po funksionon, sepse oligarkët partiakë në marrëveshje mes veti, kanë ndërtuar një pushtet ekzekutiv, që mbështetet nga 2/3 e përfaqësuesve në Kuvend, duke lënduar pushtetet tjera, legjislativin dhe gjyqësorin, pasi që në shtet vepron vetëm një fuqi, pushteti ekzekutiv partitokratik, i cili e kontrollon Kuvendin dhe e influencon politikisht Gjyqësorin.

Së këndejmi fuqia e partisë politike në vend po merr fuqi, që nuk i takojnë dhe, nëse këtë e shpjegojmë teknikisht, në Kosovë qytetarët do të votojnë, nga njëra anë, në lista të hapura të një partie, duke dashur që të përfaqësohen nga një Kuvend plural dhe i fuqishëm nën kontrollin e Qeverisë dhe agjencive të saj. Defekti teknik shfaqet kur pushteti ekzekutiv e vë nën kontroll legjislativin (në rastin e Kosovës kur opozita është e pafuqishme dhe së fundi ajo nuk merr pjesë në punën e Kuvendit), pra legjislativi nuk është i pavarur, sepse vendimet merren dhe votohen përmes marrëveshjeve mes partive të koalicionit dhe jo përmes debatit në Kuvend dhe duke përfillur opinionin publik. Defekt teknik ka edhe në shtyllën e tretë, gjyqësorin, i cili në një demokraci, domosdoshmërisht duhet të jetë i pavarur. Por, duke pasur parasysh rendin ligjor kosovar, gjyqësori nuk është i pavarur, pasi që Këshilli Gjyqësor (përfaqësimi më i lartë i fuqisë ligjore) përbëhet nga njerëz të rekrutuar nga partitokracia, që në fakt duken si përfaqësim partiak në pushtetin legjislativ. Siç thamë, Kosova nuk ka një shpërndarje të vërtetë të pushteteve, por një fuqi të vetme: palën politike ose partitokracinë, nga e cila dalin të gjitha kompetencat shtetërore.

Kosova, së këndejmi duhet ndrequr – ia kemi borxh lirisë – sot, duke e bashkuar qytetarinë rreth një projekti të madh, që është emancipimi kulturor e shoqëror, shtetëror dhe properendimorizimi (përqafimi i vlerave të përbashkëta europiane, liritë dhe të drejtat e njeriut, demokracia funksionale dhe tregu i lirë) dhe integrimet evropiane, si dhe në NATO (sepse Kosova ende konsumon siguri dhe ende nuk prodhon vet!?)

Kosova ka nevojë për një opozitë që i jep shtetit dhe kombit kosovar dashuri, lojalitet dhe që i këqyr me dashuri e mirëkuptim edhe kombet/shtete tjera, e jo si armiq…

Kosovarët nuk kanë një atdhe rezervë!