` . Vetëdestruksioni ballkanik - TV-SHENJA

Vetëdestruksioni ballkanik

Destruktiviteti nënkupton efektin e veprimit edhe kur qëllimin e ke të mirë. Të presësh degën në të cilën rri, degën edhe ashtu të hollë që mundet edhe vetë të thyhet, vërtet është një mungesë urtësie, që nuk është as si ajo thënia ballkanike “fqinjit t’i cofë dhija”, por diçka më bizare: “për inat të kojshisë, edhe vetë do të bie në hendek”!    

Daut Dauti

Në një manifestim kulturor të korrikut, takoj kolegun, mikun, shkrimtarin e njohur. Hë, si të duket puna? Si të duket gjithë kjo hallakamë?

Hallakamë? Vërtetë, shumë ngjarje brenda një kohe të shkurtër, nga zgjedhjet presidenciale, te rikonstruimi i Qeverisë, te ligji për Prokurorinë Speciale e deri te afera e reketit medial me Boki 13-shin si personazh karrikatural në gjithë këtë hallakamë.

I them mikut: shumë gjëra i kuptoj, se ka fatkeqësi që vijnë vis major (nga s’i pret, si një rrufe nga qielli…), por kur njeriu vetë punon që t’i bëjë gjërat më të ndërlikuara, ja, kjo është ajo që po ndodh.

Gjithë fajet i ka gjeni i destruktivitetit, thotë ai.

Por, nga biseda në vazhdim, kuptoj se unë dhe ai, ndonëse njësoj kishim menduar, prapë për gjëra të ndryshme kishim folur. Ma tha vetë ai: s’ka si ne shqiptarët më vetëshkatërrues. Mos jij shumë kategorik, shqiptarët i kanë konkurrencë maqedonasit, a nuk po sheh çka po ndodhë! I them për ta ngushëlluar, ndonëse dhe unë nuk jam larg vrojtimit të tij zemërplasur. Ai në të vërtetë, më saktë e kishte pasur për atë që kishte ndodhur kohëve të fundit në Shqipëri, ku të mos kishin qenë presionet ndërkombëtare, do të kishim edhe një vit të përsëritur të mbrapshtë si 97-ta. Po, ai ishte edhe më konkret në indinjatën e thellë në shpirt, nuk mund të kapërdinte se si dikush, me mend në kokë, pas më shumë se një qind vjet shtet, të kërkojë protektorat ndërkombëtar mbi shtetin shqiptar, ose të një pjese të tij, siç e kishte bërë një “sheficë lokale” shkodrane para ndonjë jave. Ja, kjo ishte ajo që ia kishte mbushur kupën e zemërimit shkrimtarit të njohur, i cili tashmë ishte i bindur se nuk ka popull vetëshkatërrues si ne shqiptarët…

Po unë, e kisha menduar këtë hallakamën dhe gjenin destruktiv që po vepron një kohë më të gjatë këtu në Maqedoni. Dhe pikërisht e kisha për këtë që po shihet e nuk po shihet gjithë para perdes(se në teatrin politik, gjërat më shumë zhvillohen prapa), e që duken paksa të pakuptueshme. E keni parasysh – pas gjithë të bërave të guximshme nga kjo qeverisje e re, që erdhi me shumë shpresë për të qenë më e mirë se ajo e ish – kryeministrit që sot fotografohet nga Budapesti, i cili kur sheh çka po ndodhë këtu, vetëm i fërkon duart dhe mendon momentin kur dikush t’i thotë “eja, se këta s’qenkan më të mirë!” – të bëni veprime që të çojnë gjurmëve të njëjta?! Me gjithë frymën pozitive që solli dhe me gjithë shpresat se do të jetë më e mirë, në disa çështje nuk shkoi shumë larg asaj të kaluarës, e për më tepër, disa gjëra i bën madje dhe në dëm të vetin. Harresa se SI erdhi dhe PËR ÇKA  erdhi, si duket është rreziku më i madh i saj, e jo lideri opozitar, të cilin ish-kryeministri në Budapest e la si trashëgimtar që t’ia prujë mizat sa të jetë e mundur më shumë. Veprimet e pushtetarëve, ia bënë të mundshëm pikërisht këtë mision.

Vis major? Një shprehje latine që dikush e përdor shpesh si pretekst për ndonjë mosrealizim, ndonjë dështim a fatkeqësi. Gjithë pranverën e verën punon bujku, ama një shi i rrëmbyeshëm me breshër, ia çon huq gjithë bereqetin. Kjo është ndonjë e papritur kur njeriu nuk e parasheh, nuk është në gjendje as ta parashikojë as ta parandalojë. Por në politikë? A mund të jetë vis major kur njeriu me vetëdije punon në dëm të vetvetes? Këtë po ma thoshte një mik tjetër, jo ky shkrimtari i fillimit të këtij teksti. Si është e mundur dikush të harrojë se si ka ardhur në pushtet, jo si parti fituese, por parti e dytë. Ka ardhur me votat e partisë shqiptare e cila për t’ia mundësuar pushtetin LSDM-së duhej ta prishte principin e vet “fituesi me fituesin”. E prishi me shumë keqardhje, sepse principet nuk funksionojnë sipas momentit, por gjithnjë. Por, habia është se si pas gjithë kësaj, dikush gjatë gjithë kohës, në vend se të mbajë marrëdhëniet harmonike në koalicion, punon me ngulm t’i acarojë marrëdhëniet, gati-gati dhe ta dëbojë e ta zëvendësojë atë me ndonjë parti tjetër. Me një qëllim,  që për dështimet ose më saktë, mos realizimin e premtimeve, gjithë fajin t’ia adresojë asaj partie. Qarqe të LSDM-së, duke harruar se pikërisht prej BDI-së e kanë dhuratë kthimin në pushtet, iu sulën përmes nëntokës ose drejtpërdrejt që ta ulin vlerën e kësaj partie, duke harruar poashtu se një lëvizje e vogël për dalje nga qeveria, mund ta çonte në opozitë, duke pasur parasysh të gjitha anketat e deritashme, që LSDM-në e bëjnë parti të dytë, pas VMRO-së! Edhe kjo lëvizja taktike e rikonstruimit të qeverisë, s’ishte gjë tjetër, pos një përpjekje që duke ndërruar ndonjë ministër të BDI-së, fajin e dështimeve, t’ia lënë partnerit të koalicionit. Por, kjo nuk funksionoi bash ashtu, sepse kryeministri Zaev, sado që kishte lëshuar ca “gjuetarë të lirë” t’i sulen partnerit të koalicionit, u desh të përballet me këmbëngulësinë e BDI-së që të mos trajtohet si një limon i shtrydhur, ndaj dhe reterimi i tij që të shkojë së pari rrugës së pastrimit të oborrit. Në të vërtetë, pastrimi i oborrit duket se është gjëja më e rëndë e së vërtetës, sepse nëse dikush në LSDM donte të gjitha dukuritë negative të keq qeverisjes t’ia lë BDI-së, afera korruptive e Boki 13-shit, ku përmenden shuma të mëdha milionëshe të reketit, i vë në qendër të vëmendjes relacionet e bashkëpunëtorëve të Zaevit, e jo të funksionarëve të BDI-së. Bëmat e BDI-stëve mund të jenë lojë për fëmijë kundrejt milionave dhe shantazheve të biznesmenëve nga kjo aferë ku janë përfshirë “Friki”, “Kiki”, “Koki”(personazhe sipas disa shkrimeve hulumtuese të Plusinfo.mk) sepse shkoi te piramida që duhet t’i ndjekë pikërisht këto fenomene! Nuk e dimë si do të përfundojë e gjithë kjo, por zbuluesi i aferës, gazetari i njohur Branko Gerovski, nuk e ka ndërmend të ndalet së përmenduri emra të përveçëm. Edhe Katica Janeva, pas një heshtjeje disaditëshe, u kthye për të larë veten nga çdo spekulim ku përmendet emri i saj.

Por, e kishim fjalën te gjeni i destruktivitetit.  Çfarë është kjo rënie, çka thotë logjika? A është e mundur dikush që ka ardhur në pushtet të pastrojë të palarat e mëhershme të dikujt, kurse ndërkohë të bëjë papastëri të reja vetë?! A nuk e dinin njerëzit e pushtetit përse gjykohen Gruevski, Janakievski, Jankullovska…, që ata vetë të futen në ujëra të tilla? A mund një institucion si PSP-ja, ose njerëz të saj, të jenë aq të pakujdesshëm që t’i involvojë ndonjë Boki 13 në punë për të cilat vetë është krijuar t’i ndjekë? Qoftë me vetëdije ose pa dashje, gjithsesi, punët e pista nuk kanë mundur t’i kenë aq sekrete sa të mos dinë prokurorët e PSP-së që kanë pasur relacione private me pronarin e fshehtë të TV1-shit, që u krijua, siç shihet, me para origjine të dyshimtë?

Gjeni destruktiv, nuk është vetëm te instikti gllabëritës i çdo gjëje pa djersë, por dhe të mungesa e vetëdijes për ekzistencën. Spekulohet se disa gjëra që po vërehen janë edhe pjesë e “luftës brenda llojit”. Domethënë, qarqe të caktuara brenda LSDM-së i punojnë pas shpine Zaevit? Ka të ngjarë, mund të kenë shumë të pakënaqur, ose që s’i kanë kënaqur plotësisht ambiciet e tyre dhe me disa veprime duan ta dëmtojnë vetë liderin. Ky do të ishte sqarimi më i thjeshtësuar edhe i acarimit të raporteve me BDI-në(ta prishin Zaevin me Ali Ahmetin?), e në anën tjetër, edhe i veprave kundërligjore, nëse dëshmohet involvimi në aferat korruptive për të cilat spekulohet. Në atë rast çështja e pamendësisë është edhe më e madhe: nëse bie BDI-ja, së cilës dyshohet se pikërisht qarqe të caktuara ia kanë varë në qafë El Çekën për të shpallë biseda (më së shumti) të natyrës private dhe pastaj edhe nëse bie Zaevi, si mendojnë të mbeten në pushtet, ose çka do të bëhet me ta? Do të shkojnë me VMRO-në?! Të presësh degën në të cilën rri, degën edhe ashtu të hollë që mundet edhe vetë të thyhet, vërtet është një mungesë ndërgjegjeje dhe urtësie, që nuk është as si ajo thënia ballkanike “fqinjit i coftë dhia”, por diçka më bizare: “për inat të kojshisë, edhe vetë do të bie në hendek”!

Nga biseda “në këmbë” me mikun shkrimtar, m’u kujtua një tregim që e kisha shkruar shumë vite më parë. Personazhet e atij tregimi, edhe pse me probleme të ndryshme shëndetësore, ishin vendosur në një pavijon. Një nga ato personazhe kishte mbërritur aty pas një krize të thellë shpirtërore që e kishte kapluar kushedi përse. Ai kishte dashur të ndërtojë një shtëpi, shtëpi të madhe me frymë njerëzore në të, ku do të lulëzojë gëzimi jetësor. Dhe ky personazh pasi arrin ta ndërtojë shtëpinë, nisë ta prishë! Ta prishë pasi e ka realizuar ëndrrën, një veprim kundër logjikës, një veprim ndëshkues nga ligji, sepse bie ndesh edhe me logjikën edhe me ligjet,  që doemos është një çrregullim serioz, ndaj dhe vetëshkatërruesin e çon aty ku duhet, në trajtim neuropsikiatrik. Po, ai nuk se e këtë e kishte bërë pa shkak. Ndoshta ajo shtëpi kishte qenë devijim i qëllimit, ndoshta nuk e kishte gjetur strehimin shpirtëror që e kishte synuar, ndoshta gjindja në atë shtëpi nuk e kishte merituar atë çati, kushedi se çka e përse, atë e kishte sjellë në derexhe për ta prishur atë që kishte ndërtuar…

Me, arsye, sepse ajo shtëpi e kishte humbur kuptimin e qëllimit të tij.

Por, a janë destruktivët e kohës sonë të tillë që gjejnë ndonjë “kuptim” në veprimet e tyre? Çfarë ishte ‘97-ta në Shqipëri, ai vit i mbrapshtë që mos u përsërittë kurrë më? A e harron kush si nisi dhe si përfundoi? A nuk kishte një pakënaqësi sociale që nisi me naivitetin e pushtetit(mund t’i falet, sepse pak përvojë kishte Shqipëria në ndërtimin e shoqërisë demokratike) që i toleroi format kriminale të kursimoreve piramidale? Kishte gjithsesi, pakënaqësi. Por a ishte kjo arsye aq e madhe, sa shtetin ta fusësh në anarki, me ndihmën e subjekteve që atë pakënaqësi ta shfrytëzojnë për vete? E shfrytëzuan, natyrisht. Por, në mënyrën më të keqe. Me manipulim të qytetarëve të revoltuar se kur të vijnë ata në pushtet, do t’ua kthejnë paret. Ata erdhën shpejtë në pushtet, por paret tërësisht askush nuk ua ktheu. A nuk ishte ai gjen vetëshkatërrimi, (nëse e ngritim në nivel stereotipi), që nxiti suljen kazermave e magazinave ushtarake për të marrë armët(për çka?)? A i morën armët dhe a nuk e përskitën punën, më falni në shprehje, dhe me to pastaj nuk vranë kotnasikoti shqiptarë të pafajshëm? A nuk i vunë në ballë të kësaj revolte bandat prej të cilave vite me radhë duhej luftuar për t’u liruar prej tyre?

Destruktiviteti nënkupton efektin e veprimit edhe kur qëllimin e ke të mirë. Kosova është dëshmia më e mirë për këtë. Atje LVV-ja është subjekti më kritik ndaj politikave të qeverive të deritashme, argumentimi i saj gjithnjë ka qenë i qëndrueshëm, por, kur përskaj kauzës së drejtë ia shton veprimet shkatërrimtare, sulmet ndaj institucioneve, pronës shoqërore, dhunën dhe krijimin e anarkisë, atëherë harrohet qëllimi i drejtë apo jo, mbetet vetëm destruktuviteti? A nuk u mësuam me pësimet nga politika të këtilla në Shqipëri? A nuk është kauzë e drejtë kjo e opozitës kur ke një pushtet përballë që është zhytur në llumin e korrupsionit dhe bashkëpunimi me fenomene kriminale, por kur kjo opozitë ishte në gjendje të përsëritë 97-tën për ta zbritur nga pushteti(ndërrim rolesh!) qeverisjen aktuale, atëherë nuk ka tjetër pos të themi se gjeni vetëshkatërrues për të arritur një objektiv politik, ose edhe më keq, për të realizuar një ambicie të sëmurë, po vepron në çdo kohë!

Është një barsoletë që tregohet(ka variacione) kështu disi:

Te Kulla e Ajfelit kishin qenë një amerikan, një gjerman dhe një shqiptar. Të gjithë të fascinuar, ndalen dhe analizojnë. Amerikani kishte analizuar se si ka qenë e mundur të ngritet aq lartë gjithë ato pjesë ndërtimi dhe sa ka kohë ka marrë. Gjermani kishte analizuar sa tonelata hekur është dashur të shndërrohen në çelik. Kishte analizuar edhe shqiptari enigmatik, të cilin këtë dy tjerët e kishin pyetur, hë, si të duket, çka të bën përshtypje.

Shqiptari ishte përgjigjur: “Po llogaris sa kilogramë eksploziv duhet për ta rrënuar”!

Eh…Tash, unë do të kisha shtuar: ky personazhi i tretë mos ka qenë maqedonas! Sepse, shumë prej tyre presin degën ku qëndrojnë…