` . Ventura: Dua t’i kërkoj ndjesë italianëve për rezultatin - TV-SHENJA

Ventura: Dua t’i kërkoj ndjesë italianëve për rezultatin

Pas gati dy orësh nga përfundimi i sfidës me Suedinë, Giampiero Ventura është paraqitur në konferencën për shtyp, duke i kërkuar ndjesë gazetarëve për vonesën.

Kur të gjithë prisnin dorëheqjen, trajneri i Italisë i ka zhgënjyer, teksa ka thënë se si fillim do të flasë me federatën.

“Më falni për vonesën, por doja të përshëndesja lojtarët një nga një dhe t’i falënderoja për atë që dhanë në fushën e lojës. Dua t’i kërkoj ndjesë italianëve për rezultatin, por jo për impenjimin në fushën e lojës. Më vjen keq për rezultatin, që ishte dramatik nga ana sportive, por unë kam shumë vite në futboll dhe e kuptoj mirë këtë situatë”.

“Nuk mund të dorëhiqem sepse nuk kam folur ende me presidentin. Duhet të bisedojmë dhe të vlerësojmë shumë gjëra, ndërsa më pas do të vendosim”, tha Ventura.

Tekniku i Italisë komentoi edhe tërheqjen nga kombëtarja të disa futbollistëve, ndërsa pranoi se edhe mund të marrë përsipër ringritjen e Italisë, nëse do t’i besohet ky projekt.

“E di që ishte ndeshja e fundit për De Rossin, Buffonin, Barzaglin dhe Chiellinin. Keqardhjen dhe falënderimin tim ua kam shprehur edhe atyre personalish”.

“Të qëndroj dhe të rindërtoj grupin? Edhe mund ta marr në konsideratë, por më parë duhet biseduar me federatën”, shtoi Ventura. /SS/

 

Postime të Ngjajshme