` . Vdesin dy fëmijë nga gripi – TV-SHENJA

Vdesin dy fëmijë nga gripi

Gjatë kësaj jave janë regjistruar dy raste të vdekjes lidhur me gripin. Bëhet fjalë për dy fëmijë të moshës 3 dhe 4 vjeçare nga Kërçova dhe Gostivari, të cilët janë hospitalizuar në Klinikën për fëmijë në Shkup në repartin e përkujdesjes intensive, bëhet e ditur në raportin e Institutit për shëndet publik për këtë javë, përcjell “SHENJA”.

Gjatë javës së parë të vitit 2017, janë paraqitur 8.067 raste të prekur nga gripi, që paraqet ulje për 14.9 për qind krahasuar me javën e kaluar kur janë regjistruar 9.485 raste.

Por edhe përkundër uljes së numrit të rasteve të paraqitur, edhe këtë javë ky numër tejkalon kufirin e aktivitetit të lartë të gripit.

Në vitin 2016/2017, numri i përgjithshëm i të sëmurëve nga gripi është 23.843 persona.

Edhe këtë javë sikurse javën e kaluar, numri më i madh i të sëmurëve është regjistruar në teritorin e Shkupit.