` . Vdekja e kolonisë? - TV-SHENJA

Vdekja e kolonisë?

Lëvizja Vetëvendosje! e vuri në përdorim paradigmën e shkolonizimit edhe për ta kundërshtuar regjimin e UNMIK-ut dhe për t’ia bjerë atij legjitimitetin. Në ligjërimin e Lëvizjes Vetëvendosje! UNMIK-u kritikohej si një aparat kolonial, që i imponohet nga jashtë dhe nga sipër një popullate

Shkruan: Enis SULSTAROVA, Tiranë

Studiuesit dhe veprimtarët politikë shqiptarë në ish-Jugosllavi, posaçërisht në Kosovë, kanë përdorur qasjen shkolonizuese për të kërkuar statusin republikan ose pavarësinë e plotë për Kosovën e trevat e tjera shqiptare në ish-Jugosllavi ose bashkimin e tyre me Shqipërinë. Sipas qasjes sëshkolonizimit, marrëdhënia e serbëve me shqiptarët ishte tipike koloniale, prandaj ajo duhej ridimensionuar brenda Jugosllavisë. Gjatë shpërbërjes së federatës në vitet 1990, përmes kësaj qasjeje kritikohej politika e aparteidit, e ndjekur nga regjimi serb dhe vendosja e kolonëve të rinj serbë, kësaj radhe refugjatë të luftërave në Kroaci dhe Bosnjë. Libri Vdekja e kolonisë i Ibrahim Berishës (Prishtinë, SHB “Artini”, 2016) është një ndër studimet më të reja që e ka përdorur qasjen e shkolonizimit për të teorizuar marrëdhëniet e serbë-shqiptarë, që me projektet për zgjerim territorial të Serbisë në shek. XIX e deri në shpërbërjen e Jugosllavisë komuniste. Edhe pse Berisha nuk e ka përfshirë në aparatin e tij teorik, gjendja ekonomike e politike e shqiptarëve në Jugosllavi mund të klasifikohet fare mirë si “kolonializëm i brendshëm”, sipas studimit të Majkëll Hektërit [Michael Hechter] mbi situatën e “periferisë kelte” në Mbretërinë e Bashkuar dhe mbi “zgjimin” nacionalist të skocezëve, irlandezëve e uellsianëve në shek. XX (Internal Colonialism, Berkeley, SHB “Universityof California Press, 1975). Terminologjia e kolonializmit të brendshëm shërben për të bërë dallimin, në njërën anë, midis marrëdhënieve koloniale brenda territorit të një shteti dhe, në anën tjetër, midis marrëdhënieve koloniale të dy ose më shumë shteteve, ndër të cilët njëri është metropoli dhe tjetri është (ose të tjerët janë) koloni. Sipas Hektërit, kolonializmi prodhon një ndarje kulturore të punës, ku vendet e punës me status të lartë rezervohen për ata që i përkasin kulturës së metropolit (f. 30-31). Përderisa ekonomia e kolonisë është në funksion të metropolit, atëherë ekonomia e saj ka të bëjë me nxjerrjen e mineraleve dhe me prodhimin e të mirave bujqësore, sektorë ku janë të punësuar pjesa dërrmuese e popullatës vendase. Ky ka qenë raporti i ekonomisë së Kosovës në ish-Jugosllavi, i përmbledhur në parullën e protestave të vitit 1981 “Trepça punon, Beogradi ndërton!”. Siç vëren Berisha, shqiptarët “kryenin gjerësisht këto punë të parespektueshme. Kjo veç sa e thellon këtë margjinalizim, pasi i riprodhon pozicionin e një grupi shoqëror, duke mos i dhënë mundësi konkrete të zhvillimit dhe përparimit” (f. 133). Ndërsa niveli i përgjithshëm i zhvillimit industrial u rrit për të gjitha republikat jugosllave, Kosova mbeti prapa dhe disniveli i saj me to u rrit ndjeshëm: prodhimin bruto për banor që Kosova e arriti në vitin 1981, Mali i Zi e kishte arritur në vitin 1961 dhe Maqedonia në vitin 1964 (f. 139).

Sipas Hektërit, dominimi ekonomik i kolonisë së brendshme përforcohet me anë të masave juridike, politike dhe ushtarake (f. 33). Dihet se statusi juridik i autonomisë së Kosovës i jepte Serbisë të drejtën për të vendosur për shumëçka në lidhje me të, edhe pse Kosova mund të ketë fituar më shumë mundësi të vetëqeverisjes që nga viti 1974 e deri në fund të viteve 1980-të. Berisha shkruan se në vitet 1950-të Jugosllavia në tërësi përfitoi qindra milionë dollarë ndihma ndërkombëtare, prej të cilave Kosova nuk përfitoi thuajse asgjë, sepse ato administroheshin në rangun e republikave dhe pjesa, që i takonte Kosovës, ndalohej në Serbi (f. 129). Ndërkohë që serbët e malazezët josheshin të emigronin në Kosovë me anë të sigurimit nga shteti të tokës, kredive dhe punësimit në administratë, migrimi i shqiptarëve në qytete kufizohej me masa administrative dhe kjo ndikonte në mundësitë e tyre për t’u punësuar, arsimuar ose për të marrë shërbime më cilësore shëndetësore (f. 170-171). Shtypja ushtarako-policore ishte konstante në Kosovë. Ajo nuk pushoi asnjëherë, madje as pas rënies së Rankoviqit. Nëse më parë shqiptarët vriteshin, rriheshin e dëboheshin nga pronat e tyre për t’u lënë vend kolonëve sllavë, më pas mbikëqyreshin të gjithë ata që e blinin gazetën Rilindja ose libra në gjuhën shqipe, përfshirë edhe anëtarët e partisë komuniste (f. 152). Shqiptarët konsideroheshin si një popull inferior dhe barbar, që e rrezikonin qytetërimin serb në Kosovë. Studiuesit dhe publicistët serbë shkakun e shtimit demografik të shqiptarëve e kërkonin te sjellja shtazarake seksuale e tyre, viktimë e së cilës pretendohej se ishin edhe gratë serbe (por edhe meshkujt serbë), që gjoja përdhunoheshin masivisht në Kosovë (shih f. 285-290).

Ndarja kulturore e punës e rrit solidaritetin etnik në periferi, meqenëse bashkësia e diskriminuar reagon duke e konsideruar kulturën e vet më sipërore ose të barabartë me atë të grupit të avantazhuar. Sa më i madh të jetë dallimi kulturor midis dy grupeve, aq më shumë individë të bashkësisë periferike kërkojnë që me anë të solidaritetit me grupin e tyre ta kompensojnë disavantazhin ekonomik. Është e vërtetë që disa individë, që bëjnë pjesë të elita e grupit periferik, mund të kërkojnë asimilim te grupi dominues, por një pjesë e mirë, e vetëdijshme për kushtet dhe interesat e grupit të vet, parapëlqejnë që të veprojnë si ndërmjetës midis grupit të vet dhe atij dominues (Hechter, f. 38, 41, 43). Ky i fundit ishte pozicioni “titist” i një pjese të mirë të komunistëve shqiptarë në Kosovë, të cilët kërkonin avancimin gradual të statusit të Kosovës brenda Jugosllavisë dhe vetëm shpërbërja e federatës e rënia e sistemit komunist i detyroi që ta përqafonin idenë e shpalljes së republikës. Alternativa që zgjedhin më militantët e bashkësisë periferike është theksimi i veçantisë së kombit dhe kërkesa e pavarësisë, që në Kosovë ishte rruga e “ilegalëve”, të cilët ishin më të gatshëm për të përqafuar kryengritjen e armatosur në kohën kur u duk se mjetet paqësore nuk do ta sillnin rezultatin e premtuar.

Unmikolonia

Libri i Berishës mbyllet me një citat të Dobrica Qosiqit të vitit 2004: “Për mua çështja e Kosovës është kryer. Nuk është më krahinë serbe” (f. 346). Duket se Kosova ka “vdekur” si koloni me tërheqjen e aparatit shtypës të shtetit serb nga territori i saj dhe ka “rilindur” si shtet sovran. Me “vdekjen e kolonisë” paradigma e shkolonizimit nuk është më e nevojshme ose, së paku, nuk është më aq produktive. Mirëpo, afërsisht në kohën kur Qosiqi shqiptoi rënien e projektit dhe të ëndrrës serbe për ta kolonizuar Kosovën, paradigma e shkolonizimit po rigjallërohej në Kosovë prej Lëvizjes Vetëvendosje! Marrëveshja e Rambujesë, që i dha dritën e gjelbër ndërhyrjes së NATO-s dhe Rezoluta 1244, mbi të cilët bazohej administrimi ndërkombëtar, shpreheshin për vazhdimësinë e sovranitetit të Serbisë mbi Kosovën. Negociatat nisën me Serbinë për rregullimet e brendshme ligjore, politike dhe ekonomike të Kosovës, ndërkohë që kushtetutat e Unionit Serbi e Mal i Zi dhe ajo e Republikës së Serbisë e përmendnin Kosovën si pjesë të pandashme të shtetit serb. Ndërkaq në komunat veriore ekzistonin strukturat paralele të mbështetura nga Serbia. Për shumë shqiptarë po bëhej e qartë se lidhjet e varësisë nga Serbia nuk ishin këputur dhe parullat “Jo negociata, vetëvendosje!” nisën të shkruheshin ngado nëpër Kosovë.

Lëvizja Vetëvendosje! e vuri në përdorim paradigmën e shkolonizimit edhe për ta kundërshtuar regjimin e UNMIK-ut dhe për t’ia bjerrë atij legjitimitetin. Në ligjërimin e Lëvizjes Vetëvendosje! UNMIK-u kritikohej si një aparat kolonial, që i imponohet nga jashtë dhe nga sipër një popullate. Supozimi i një regjimi të tillë është që popullata dhe territori që administrohen nuk kanë status politik të përcaktuar, pra nuk ekziston vullneti popullor as atdheu dhe, për pasojë, nuk duhet të ekzistojë as shteti sovran. Nëse shteti eventualisht formohet, lind nga jashtë, si krijim i shteteve të fuqishme ndërkombëtare dhe i negociatave, jo si njohje e së drejtës për vetëvendosje të një populli të shtypur, të kolonizuar dhe të terrorizuar, siç shkruhet në Kartën e OKB-së dhe në dokumente të tjera që burojnë nga kjo e fundit. Plani i Ahtisarit, shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008 dhe njohjet ndërkombëtare e anashkaluan çështjen e vetëvendosjes së shqiptarëve të Kosovës. Sikurse ndodh në vendet e kolonizuara, vendimmarrja e UNMIK-ut nuk ishte rezultat i procesit demokratik, sepse institucionet e zgjedhura vendore kishin pushtet të kufizuar, sepse vendimet e tyre mund të anuloheshin sa herë që UNMIK-u gjykonte se e tejkalojnë mandatin e Rezolutës 1244. Popullit nuk i lejohet ta zgjedhë modelin zhvillimor që dëshiron: pasuritë kryesore, mbi të cilat ka pretendime Serbia, ngrihen deri në zgjidhjen e statusit, fondi pensional investohet jashtë vendit, ndërmarrjet publike privatizohen pa garanci ose detyrim ligjor për ta rimarrë funksionin që kishin. Ndërkohë Kosova detyrohet ta pranojë “hisen” e vet nga huatë ndërkombëtare të ish-Jugosllavisë, pa iu njohur e drejta të kërkojë dëmshpërblimet e luftës nga Serbia. Shkolonizimi i Kosovës është çështje që shtrohet me forcë nga Albin Kurti në ato vite: “Në Afrikë ka mbaruar procesi i dekolonizimit. Në Evropë, ende jo. Pikërisht për këtë arsye, përveç vetëvendosjes së jashtme, e që është në raport me Unionin Serbi-Mal i Zi, neve na duhet edhe vetëvendosja e brendshme” (Zgjohu!, Prizren, SHB Berati, 2007, f. 158). Por, në vend që të trajtohet si rast i shkolonizimit, Kosova trajtohet si një rast sui generis, ku eksperimentohet me “standarde para statusit”, “ekstraterritorialitetin”. Shmangia e përdorimit të termave politike “komb”, “shumicë” e “pakicë”, në fund rezulton me paradoksin e një shteti shumetnik për një popullsi që ka homogjenitetin mbase më të lartë etnik në Evropë, afro 95% .

Neokolonia

Edhe nëse Serbia së afërmi e pranon formalisht shtetin e Kosovës, kjo nuk do të thotë “fundi i historisë” së antagonizmit serbo-shqiptar. Baleta ka të drejtë kur paralajmëron se “nuk duhet menduar se kur Serbia ta njohë Kosovë, ajo nuk do të veprojë më me armiqësi kundër Kosovës e shqiptarëve, se kjo do t’i largojë përfundimisht kërcënimet serbe ndaj paqes e stabilitetit në Ballkan” (“Shenja”, shkurt 2019, f. 11). Qeveritarët serbë e kanë bërë të qartë se njohja do të vijë vetëm pasi Kosova të plotësojë kushte shtesë, përveç atyre që ka nënshkruar tashmë. Ata kërkojnë hapur territor, bashkëpronësi në pasuritë natyrore Kosovës (Trepça, Ujmani etj.), mbjelljen e “Serbive” të vogla përmes komunave të veçanta, kudo ku jetojnë serbët, pronësinë mbi shumë prej objekteve fetare e historike etj. Të gjitha këto do të jenë garanci që Kosova të mbetet edhe për shumë kohë në varësi të Serbisë. Bllokimi i njohjeve ndërkombëtare e destabilizimi i brendshëm është politika konstante e Serbisë ndaj Kosovës. Ajo ka arritur sukses në diplomacinë ndërkombëtare, e cila nuk po e trajton Kosovën si një shtet të pavarur, por gjithnjë së bashku me Serbinë. Po shkohet deri aty sa të anulohen vendimet që Kosova i ka marrë për rivitalizimin e Trepçes dhe që kjo e fundit të bëhet pjesë e dialogut me Serbinë. Rikthimi i Serbisë në administrimin e pasurive strategjike, si Trepça dhe Ujmani, do të thotë asgjë më pak se sa marrëdhënie koloniale. Prandaj Albin Kurti, në prag të 11-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, gjatë një interviste televizive shprehet se: “ne e kemi bërë çlirimin, e kemi shpallur pavarësinë, por nuk e kemi bërë dekolonizimin. Kemi nevojë për një dekolonizim i cili e çrrënjos shtetin e Serbisë nga Kosova” (intervistë me Adi Krastën, News24, Tiranë, 04.02.2019).

Sipas paradigmës së shkolonizimit, varësia e kolonisë së dikurshme ndaj metropolit të dikurshëm cilësohet si neokolonializëm. Neokolonializmi vepron me metoda informale dhe jo të dhunshme për ta përcaktuar gjendjen politike, ekonomike dhe kulturore të kolonisë së dikurshme. Ai fshihet pas ideve të liberalizimit të tregtisë e globalizimit për ta dominuar tregun e, rrjedhimisht, edhe politikën e ish-kolonisë. Partneriteti ekonomik me Serbinë i një grupi sipërmarrësish kompradore në Kosovë e Shqipëri po e përcakton edhe politikën e këtyre vendeve ndaj Serbisë. Dominimi i importeve serbe në Kosovë dhe pengimi prej Serbisë i lidhjeve energjetike të Kosovës me Shqipërinë, e ka kthyer ekonominë e Kosovës në një shtojcë të ekonomisë së Serbisë dhe urë për depërtimin ekonomik të Serbisë në Shqipëri. Trysnisë për heqjen e taksës ndaj mallrave të Serbisë, që kërkon ta çarmatosë tërësisht Kosovën, i shtohet edhe zëri i ministrit të Financave të Shqipërisë, ndërkohë që për shkakun e taksës importet e Shqipërisë drejt Kosovës po shënonin rritje! Për një politikë kombëtare e shkolonizuese, jo vetëm që taksa duhet mbajtur, por qeveria e Kosovës duhet të kërkojë alternativa të importeve nga shteteve të tjera, ta heqë sa më parë doganën me Shqipërinë dhe ta mbështesë fuqizimin e sipërmarrjeve vendase, që prodhojnë mallra bujqësore, ndërtimore etj. Po ashtu edhe investimet e diasporës duhen kanalizuar në projekte strategjike, që do të synojnë shmangien e varësisë ekonomike nga Serbia.

Pavarësia e plotë e Kosovës nga Serbia, e thënë ndryshe “çrrënjosja e Serbisë nga Kosova”, nuk është e mundur pa një çmontim të strukturës ahtisariane të qeverisjes dhe administrimit të vendit dhe pa një strategji të fuqizimit ekonomik, që ka si pikësynim fundin e dominimit tregtar të Serbisë mbi Kosovën. Për këtë, Kosovës i duhet të bashkëpunojë me Shqipërisë, që do të thotë se në të dyja shtetet nevojitet një drejtim i ri politik. Bashkimi i dy shteteve është i nevojshëm për të barazuar pozitën e shqiptarëve me atë të serbëve në rajon. Deri atëherë “vdekja e kolonisë” është në pikëpyetje.