` . Vazhdon kriza politike me shumë pasoja ekonomike! – TV SHENJA

Vazhdon kriza politike me shumë pasoja ekonomike!

Ky proces politik, pas gjithë dëshmive nga përgjimet, së paku prodhoi dy efekte shumë pozitive. Së pari, te blloku maqedonas, si asnjëherë për këtë çerekshekull, nuk rezultoi një ekuilibrim aq i madh i rezultatit zgjedhor, cilido që të mbetet përfundimtar, me një ose dy mandate diferenca. Ky është rast ideal për shqiptarët. Në numrin e kaluar të po kësaj reviste, dy javë para zgjedhjeve, pikërisht këtë e paralajmërova. Nëse vrojtoni vëmendshëm, gjithë treguesit e tendencave këtë e paralajmëronin!

Shkruan: Abdylmenaf BEXHETI, Tetovë

Fushata elektorale në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, se asnjëherë deri më tani, në konkurrencën shqiptare nuk ishte kaq e dominuar me premtime ekonomike. Aspektet politike të fushatës janë analizuar nga shumë këndvështrime. Ndër veçoritë specifike të kësaj fushate, në të dy krahët etnikë, së pari te pala shqiptare, do të veçoja:

  • në aspektin sasior – oferta më të begatshme se kurdoherë deri më tani (mbi katër blloqe e parti…),
  • kryesisht fushatë e qetë – duke pasur parasysh edhe statusin e parakohshëm për shkak të krizës së thellë politike,
  • fjalorë paraelektoral më i moderuar në kuptim të agresivitetit dhe vulgaritetit – me gjasë duke llogaritur në shpërblimin momental të votuesve për këtë sjellje
  • demagogji dhe perversitet i zakonshëm të partive qeverisëse – edhe pas 15 viteve do ta përmbushin atë që dështuan përgjatë gjithë kohës me mandat dominues, dhe
  • dominimi i çështjeve socio-ekonomike me theks të veçantë në shpërndarjen dhe alokimin më të drejtë të resurseve financiare dhe ekonomike.

Te blloku maqedonas, edhe për shkak të përafrimit të fuqive politike, kishte fragmentime ekstreme si asnjëherë më parë. Aty dominuan politikat nacional-shoviniste të së djathtës, duke alarmuar federalizimin dhe humbjen e shtetit në favor të shqiptarëve. Pakujdesia e së majtës (LSDM) në kërkim të “votave qytetare” i krijoi hapësirë të djathtës (VMRO) së dëshmuar për të akuzuar. Në ofertat ekonomike e majta shkonte përtej së djathtës, mbase duke llogaritur se votuesit “janë trajnuar” më se 10 vite për të preferuar gënjeshtrat: profili i lidershipit u diferencua në decisionist (kryesisht arbitrar deri në absolut) te DPMNE-ja dhe në “popullor” te LSDM-ja. Këta të fundit në të kaluarën kanë pretenduar në “elitarizëm” edhe kur nuk ka pasur treg për këtë (p.sh. më 2014). Decisionistët arsyetohen me demagogjinë e fuqisë dhe vullnetit të liderit, duke u bazuar në servilitetin e strukturave që akceptojnë pa gjykim vendimet e tij, ndërsa elitarët pretendojnë në egalitaritet, edhe pse nuk e kanë dëshmuar atë deri më sot.

Paraqitjet perverse politike në të dy krahët e qeverisjes së deritanishme rezultuan me dështime, te shqiptarët me ulje votash mbi 45%, kurse te maqedonasit rreth 25%! Pra, votuesit u kthjelluan, edhe pse jomjaftueshëm. Në politikë kthesat janë të buta në procesin e refuzimit krahasimisht me atë të pranimit, posaçërisht për strukturat qeverisëse.

Ky proces politik, pas gjithë dëshmive nga përgjimet, së paku prodhoi dy efekte shumë pozitive. Së pari, te blloku maqedonas, si asnjëherë për këtë çerekshekull, nuk rezultoi një ekuilibrim aq i madh i rezultatit zgjedhor, cilido që të mbetet përfundimtar, me një ose dy mandate diferenca. Ky është rast ideal për shqiptarët. Në numrin e kaluar të po kësaj reviste, dy javë para zgjedhjeve, pikërisht këtë e paralajmërova. Nëse vrojtoni vëmendshëm, gjithë treguesit e tendencave këtë e paralajmëronin! Së dyti, te blloku shqiptar, si asnjëherë më parë, nuk pat kaq dështim të madh të një subjekti në një cikël të vetëm zgjedhor. Kjo, së bashku, te të dyja subjektet negociuese të Përzhinës! Shumë shpejt populli, që shumë i “deshi”, ua përmbysi dashurinë! Ata vet do ta analizojnë këtë porosi të verdiktit të popullit dhe nga pësimet do të nxjerrin mësime! Dështimi dhe moskrijimi i bllokut opozitar jashtëparlamentar nuk i la pa ndëshkuar as edhe subjektet ose blloqet e tjera jashtëparlamentare. Kemi shkruar shumë për këtë nevojë dhe shans të humbur, për çka i erdhi “gjynah” edhe vetë liderit të pozitës shqiptare – perversitet i paparë, që asnjëherë nuk u shpreh derisa ishin pa u dorëzuar listat e përçara. Pastaj derdhën lot krokodili, duke u ardhur keq për  mandatet e humbura dhe tre ditë më vonë po me votat e tyre në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve i mbrojtën mandatet e DPMNE-së në dëm të shqiptarëve! Si duket, ia kishin për borxh punëdhënësit!

Në këto zgjedhje shqiptarët humbën disa mandate, por asnjëherë më shumë se tani s’kanë pasur relevancë politike. Pesha specifike e mandateve shqiptare dhe faktorizimi politik shqiptar asnjëherë s’ka qenë më i lartë se pas këtyre zgjedhjeve. Krejt tjetër është mungesa e vullnetit për t’u bërë bashkë në arritjen e çështjeve madhore, njëherë e përgjithmonë.

Se si do të ndikojë kjo në ekonominë e vendit dhe standardin jetësor, kjo pritet nga efekti i “prodhimit” të institucioneve që duhet të dalin si rezultat i zgjedhjeve. Në plan afatshkurtër, një ose dy stinë, mbase edhe pozitivisht; ekonomia e vendit është shumë e varur nga konsumi personal dhe familjar. Statistikat ekonomike zyrtare, pavarësisht (pa)besueshmërisë) për tremujorin e tretë, dëshmuan se konsumi personal dhe familjar rritës ishte faktori më ndikues në rritjen e PBB-së për 2,4%! Krahas konsumit personal dhe familjar, ishte edhe rritja e eksportit më shpejt se importi, kuptohet me ndikim shumë më të butë. Faktori më i ndikuar nga politika, investimet, ishin negative dhe, me gjasë, ky trend do të vazhdojë edhe më shumë nëse ngec prodhimi i institucioneve funksionale.

Partitë politike, posaçërisht ato të pozitës, kanë konsumuar pa masë, edhe pse raportet zyrtare i tregojnë vetëm furnizimet formale. Ndërkaq shumëfish më të larta janë shifrat faktike dhe krejt ky qarkullim dhe potencial në të gjitha këto kanale politike, nga mikrostruktura e deri në makrostrukturë, e vënë në lëvizje “ekonominë e konsumit”, pavarësisht nga varësia e lartë e importit. Por, të gjitha këto janë efekte “sot për nesër” dhe nuk e ndryshojnë strukturën e ekonomisë dhe as modelet e rritjes ekonomike së bashku me politikat e premtuara për t’i realizuar ato.

Ekonomia “e lodhur” nga shtrydhja fiskale dhe represioni me taksa jotatimore (kryesisht shpenzime transakcionale-gjoba, taksa gjyqësore dhe përmbaruese,…) duhet të konsolidohet dhe ta rimarrë veten. Për këtë duhen investime të reja (jo të subvencionuara), si vendore ashtu edhe të huaja, që do bazohen në potenciale reale që ekzistojnë (energjetika, industria e lehtë dhe ajo ushqimore, industria e tekstilit, e drurit, lëkurës, duhanit, shërbimet, turizmi,…etj).

Huamarrjet e reja publike duhet të reduktohen, duke kërkuar edhe subvencionime dhe donacione shtesë nga bashkësia ndërkombëtare, qoftë edhe në ndonjë “konferencë donatorësh” për shpëtimin e vendit, por vetëm pasi që të dëshmoni se e keni “shtrënguar” rripin tuaj dhe nuk “blini çokollatë kur s’keni bukë për të ngrënë”, siç bëri më shumë se 6-7 vite radhazi Gruevski&comp. Banka Botërore, FMN-ja, BERZH-i, BEI, KfW-ja, DEG-u, USAID-i, TIKA, fondet e paraanëtarësimit të BE-së…etj., duhet të jenë target për “infuzionin fiskal” të nevojshëm para se të aplikohet për kredi të reja komerciale. Investimet kapitale energjetike e bujqësore, infrastruktura e arsimit dhe shëndetësisë, krahas autorrugëve dhe ekologjisë, duhet të jenë prioritet i lartë i cilësdo qeverisje.

Ndoshta morfologjia dhe profilimi politik nga këto zgjedhje nuk do ta mundësojë, por assesi s’duhet harruar premtimi për “tatim konfiskimi” të pasurisë së paligjshme dhe të padëshmueshme. Ky burim dhe potencial nuk duhet nënçmuar, por duhet pasur kujdes në kohëzgjatjen (time lag) e procesit. Edhe ashtu, që para 15 vitesh (nga v. 2002) ka ekzistuar norma e tatimit “konfiskues” për tatimim me 70% të gjithë pasurisë dhe të ardhurave të paligjshme dhe të padëshmueshme, që asnjëherë nuk u zbatua. Nëse jo konfiskim 100%, së paku këtë ta zbatojmë. Kjo s’mund të konsiderohet revanshizëm, por as masë ndëshkuese vetëm për këtë strukturë politike.

Rritja e projektuar ekonomike prej 3% në vitin 2017 është e sfiduar si nga aspekti i modelit, faktorëve determinues, por edhe nga aspekti sektorial i saj. Duhet rishikuar të gjitha politikat ekonomike, në veçanti ato sektoriale, ku ndryshimet janë eksponenciale. Ne akoma shpenzojmë subvencione të mëdha bujqësore në “inpute” (rreth 140 mil. euro në vit) dhe faktet janë shumë të pakta. Njëzet vite më parë buxheti i subvencioneve ishte shumë herë më pak, por çmimi i një kg. grurë (në vitin 1994) ishte 12,5 denarë dhe një litër nafte bujqësore ishte 17 denarë, kurse sot një kg. grurë shkon rreth 11 denarë, ndërkohë që një litër naftë arrin mbi 50 denarë!  Ja pse tokat më pjellore na ngelin djerrina – me këto parametra ekonomikë më lirë u del ta importoni sesa ta prodhoni grurin!

Përveç projektit të autorrugës Kërçovë-Ohër, i financuar me kredi kineze, por i korruptuar me qeverisjen e DPMNE-së, projektet e tjera kapitale s’ka gjasa të financohen nga burimet vendore.

Fenomeni i “haraçit politik”, si kosto ekonomike, është evident sa herë që ndryshojnë qeverisjet e korruptuara – aty ku dominon ekonomia jofunksionale e tregut. Nëse ndryshon qeverisja këtu, edhe shumë projekte dhe investime të tjera “do të ngulfaten” nga premtimet e parealizuara të palës maqedonase. Jua kujtojë ngufatjen e “tregimit të suksesshëm” të OKTA-s  në vitin 2002 dhe kostot qindramilionëshe që i shkaktoi ai si pasojë e shitjes korruptive nga VMRO-ja e atëhershme. Ose, një shembull tjetër – edhe më i freskët dhe adekuat, epilogu i “kontestit me EVN-në” këtu në vitin 2007 ose i Çhez-it në Shqipër, në vitin 2013, të dyja në tregjet jofunksionale energjetike!

Buxheti i viti 2017 duhet rishikuar (reviduar) urgjentisht në të dy krahët, nga të ardhurat e fryra me rritje të paarritshme prej 7,6% që gjenerojnë shpenzime shumë më të larta se ato të parashikuarat prej 4,5% krahasimisht me vitin paraprak. Me shumë siguri deficiti i projektuar prej 300 milion euro “do të shpërthejë” si deri më tani edhe për konsolidime paselektorale. Nëse ndryshon qeverisja, edhe aq më tepër kur do të dalë në shesh “pluhuri nën çergë” tash e një dekadë, situata rezulton edhe më e vështirë. Një ditë kjo do të ndodhë, andaj më mirë sot se nesër!

Situata ekonomike pas zgjedhjeve politike është shumë më komplekse se hapësira jonë shtjelluese në këtë vend. Kjo edhe si rrethanë e qeverisjes së gjatë të një strukture sistematikisht të korruptuar. Fatkeqësisht, bëhet fjalë për sistemin e instaluar dhe jo për individët, për të cilët politikanët sipërfaqësorë shprehen se mund të koalicionojë me DPMNE-në, por pa liderin e saj! Kur të hapet “dosja e subvencioneve” dhe koncesioneve bujqësore, atyre të tenderave kapitalë, tjetërsimi i pasurisë shtetërore dhe publike, ndërmarrjet publike kapitale (ELEM, Rrugët, Pyjet, Postat, Hekurudhat,…), Fondet Publike, Entet dhe Agjencitë Rregullatore…., kam drojë se “qelbosja” do të infektojë shumë institucione me efekte zinxhirore, që do kërkojnë “amputim” dhe pamundësi për realizim! Prandaj është pikëpyetje e madhe se sa mundet një qeverisje pakicë, cilado qoftë ajo, ta bëjë këtë ndërhyrje.

Jo vetëm që shanset janë minimale për investime të huaja, por as ato vendore nuk do gjenerohen në rrethana të vazhdimësisë së krizës politike. Në një shtet ku funksionarët politikë, që akoma paguhen edhe me paratë e taksapaguesve shqiptarë, nxisin publikisht urrejtjen ndëretnike, duke mallkuar bashkëqytetarët e vet shqiptarë deri në (ri)shpalljen e “natës së thikave” gati një shekull pas fashizmit ose ku funksionarë publikë ftojnë qytetarët për linçim të ambasadorit të shtetit më të fuqishëm në botë, që e shpëtoi Maqedoninë deri më sot, si mund të ketë perspektivë ekonomike? Thirrje të ngjashme kishte 15 vite më parë nga po i njëjti “soj”, kur kërkonin ta djegin Ambasadën e po këtij shteti, që më shumti i mbrojti për mbijetesë! Fatura për këto veprime do arrijë dhe sërish do të duhet ta paguajmë ne bashkërisht. A thua mbetet shqiptarë që mund të koalicionojë me këtë soj politike?

Për fund: përkundër të gjitha këtyre vështirësive, partitë politike shqiptare, pavarësisht prioriteteve në programet paraelektorale, duhet të jenë të vetëdijshme për nevojën imanente të sinergjisë për t’u faktorizua, që të mund t’i realizojnë aspektet më kryesore ekonomike – ato të përcaktimeve të tyre për “hisemarrje” të buxhetit dhe fondeve publike, si dhe për projekte të zhvillimit më të barabartë regjional dhe shpërqendrimit fiskal. Kjo, duhet bërë krahas ngritjes së kapacitetit sasior dhe cilësor të gjuhës shqipe. Për ndryshime kushtetuese dhe për ndryshimin e emrit të shtetit do të duhet një tjetër raport forcash te blloku maqedonas. Kjo edhe për faktin e stabilitetit regjional, që o tash o kurrë i nevojitet regjionit. Bashkësia ndërkombëtare këtu do të jetë shumë këmbëngulëse. Jorastësisht në këto përpjekje është kyçur edhe Tirana zyrtare.

Postime të Ngjajshme