` . Vazhdojnë protestat kundër platformës shqiptare në Shkup - TV-SHENJA

Vazhdojnë protestat kundër platformës shqiptare në Shkup

Mijëra qytetarë të tubuar nën ombrellën e nismës “Për Maqedoni të përbashkët”, kanë protestuar në Shkup në ditën e nëntë të protestave të thirrura, kundër, siç thonë ata “Platformës shqiptare”, të përgatitur në Tiranë nga kryeministri Edi Rama dhe të nënshkruar nga partitë politike shqiptare në Maqedoni, si kusht për formimin e qeverisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Njëjtë si në ditët e kaluara, qytetarët të cilët iu përgjigjën thirrjes për protestë u tubuan para godinës së qeverisë, për të vazhduar më vonë drejt destinacionit përfundimtar, që është Parlamenti.

Rrugës ata u ndalën para Zyrës Kombëtare të presidentit Gjorge Ivanov, në shenjë respekti për siç thanë ata “refuzimin e presidentit që të mandatojë liderin e Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, për formimin e qeverisë së re.

Kërkesa kryesore e organizatorëve është që assesi të mos lejohet zbatimi i Ligjit të dygjuhësisë në tërë territorin e Maqedonisë, që është një përcaktim që del nga platforma e partive politike shqiptare në Maqedoni, të cilat janë shprehur të gatshme të koalicionojnë me LSDM-në, sepse sipas tyre, kjo e çon Maqedoninë drejt një ridefinimi.

Në skenën e ngritur para Parlamentit, masës së tubuar iu drejtuan dy qytetare të vendit, por që për vete thanë se përfaqësojnë bashkësinë serbe dhe rome në Maqedoni.

Në fjalimet e tyre, të dy folëset thanë se kundërshtojnë ashpër dygjuhësinë në shtet, sepse përveç shqiptarëve në Maqedoni jetojnë edhe shume komunitete tjera.

Marshi protestues përfundoi në mënyrë paqësore para Kuvendit të Maqedonisë, ndërkohë që organizatori tha se i njëjti do të vazhdojë edhe nesër, respektivisht për çdo ditë deri në realizimin e qëllimit të tyre.

Iniciativa “Për Maqedoni të përbashkët” filloi me protesta që nga dita e hënë, ndërkohë protesta me kërkesa të njëjta mbahen edhe në disa qytete tjera të Maqedonisë.

Platforma e përbashkët mes subjekteve politike shqiptare në Maqedoni u arrit pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit të vitit të kaluar me ndërmjetësimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Përmes kësaj platforme të përbashkët ku përfshihen disa kërkesa për të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, liderët shqiptarë zotohen se nuk do të marrin pjesë në Qeverinë e Maqedonisë nëse nuk zbatohen kërkesat e theksuara në të.

Postime të Ngjajshme