` . Vardari dhe Shkëndija barazojnë 1:1 në çerekfinale – TV-SHENJA

Vardari dhe Shkëndija barazojnë 1:1 në çerekfinale

Gjysmëfinalisti i katërt i Kupës së Maqedonisë do të vendoset më 7 mars në Tetovë, pasi që Vardari dhe Shkëdija sot u ndanë me barazim 1:1 në duelin e parë të çerekfinales. Rezultati favorizon tetovarët që do të kenë përparësinë e golit të shënuar në transfertë, mirëpo duke parë dominimin dhe rrjedhën e ngjarjeve në takimin e sotëm e kuptueshme është pakënaqësia në rradhët e Shkëndijës. Dominimi i miqve solli rezultat në minutën e 63-të kur Ibraimi shënon për 0:1. Shkëndija humbi të tjera mundësi për të rritur epërsinë, ndërsa Vardari barazoi me ekzekutimin e bukur të Felipes në minutën e 78-të , pasi paraprakisht vendasit morrën një faul të kontestuar nga miqtë. Pas barazimit Shkëndija kërkoi me ngulm fitoren, mirëpo tentimin e Ibraimit e mbrojti Gaçevski, ndërsa në fund një rëmujë në zonë solli protesta të mëdha tetovarëve pasi u duk se Gligorov preku topin me dorë brenda zonës.

Qatip Osmani, trajner i KF Shkëndijës

“Sigurisht se është rezultat pozitiv 1:1, edhe pse nëse i analizojmë ngjarjet në fushë, mendoj se Shkëndija prapë ishte më afër fitores. Ndoshta e humbëm shansin që në Shkup që ta vendosim kualifikim më tutje. Megjithatë është rezultat aktiv, i cili na jep përparësi në Tetovë dhe besojë që do të shkojmë në gjysmëfinale të Kupës”.

Ferhan Hasani, kapiten i Shkëndijës

“Mendojë se sot e meritonim më shumë fitoren se kundërshtari. Kishte disa gabime nga referët, të cilat janë duke u përsëritur në çdo ndeshje, njejtë si ndeshjen e parë që e luajtam ndaj Vardari, tash edhe në ndeshjen e Kupës. Të ishte referi në nivelin e duhur, besoj që sot do të fitonim me rezultat të thellë. Ky është futbolli, kemi rezultat të mirë dhe në Tetovë gjithçka do të jetë në favorin tonë dhe besoj se do të kalojmë në raundin tjetër”.

Barazimi 1:1 len gjithçka të hapur dhe skuadra që do të avansojë në fazën e rradhës do të vendoset më 7 mars në Tetovë. Prej më parë në gjysmëfinale kanë avansuar Renova, Akademia Pandev dhe Pelisteri.

Aziz Sahiti /SHENJA/