` . Ustahët luftojnë për mbijetesë | TV SHENJA
ustah_430730285

Ustahët luftojnë për mbijetesë

Ustah Afrimi e ustah Shemsiu janë thuajse të vetmit në Prishtinë që po luftojnë me kohën. Zanati i tyre thuajse është harruar nga gjeneratat e reja, të cilat nuk mund ta imagjinojnë se dikur para dyqaneve të tyre pritej me javë të tëra për një kusi apo një palë tirqi.

Njëri është teneqe punues e tjetri rrobaqepës që rrëfejnë për Gazetën Fjala përvojat e tyre jetësore dhe sfidat metë cilat po përballen tani.

Afrim Rrukovci, 50 vjeçar nga Prishtina është njëri nga dy teneqepunusit e vetëm që kanë mbetur në kryeqytet.  Ai tani e 40 vite e bënë këtë punë, por është në hallë të madh.

Djalit të tij, nuk po i pëlqen të bëj më kusia, oxhaqe e mjete tjera “primitive”. Thjesht nuk dëshiron ta trashëgoi zanatin e të atit. Kështu, bashkë me traditën familjare po shuhet edhe zeja më e vjetër në kryeqytet.

“Nga 15 teneqepunues sa kishte vite më parë në Prishtinë tani kanë mbetur vetëm dy dyqane të tilla”, tregon Rrukovci për Gazetën Fjala, derisa me një lugë të metaltë mbush me sheqer çajin e rusit, të cilin thotë se e ka shoqëruesin me të mirë.

Rrukovci,  rrëfen me krenari për zanatin që e trashëgoi nga babai i tij. Punën që e banë tani e mësoi me përkushtim shumë të madh që kur ishte i vogël.

“Unë këtë punë e mësova nga babai im. Por, tash djali im nuk don as me pa me sy këtë punë se leje ta punoj. Ai thotë se ska më fitim nga ky zanat dhe nuk dua që të merrem me të”, thotë ai.

Por, edhe vet ka filluar të pajtohet me fjalët e trashëgimtarit kur krahason fitimet e dikurshme me të tashmet dhe interesimi i blerësve ka rënë.

“Përpara u kanë ma ndryshe, s’ka pas bojlera, njerëzit jonë detyru me ble kove për me nxeh ujin, tash jo, krejt ashtë ndryshe”.

Zanati me të cilin e mban familjen pesë antarëshe nuk plotëson as nevojat themelore të tyre. Por, Rrukovci nuk e ka ndërmed të dorëzohet.

“Vështirë, me zor jemi duke e shty, po apet nuk e la kit punë, zor është me lan zantin me të cilin je marrë 40 vjet. Kush nxen ujë më kusia tash, hiq kërkush, po vullneti është ai që më bën me punue”.

Përveç të dielave ai punon çdo ditë prej orës 09:00 deri në 19:00, dhe në këtë orar sipas tij më së shumti mund t’i ketë dy deri në tri klientë. Çmimet e punimeve të këtij “ustau” variojnë nga 2 deri në 10 euro. Ai thotë se edhe po t’i ketë 20 veta në ditë nuk mund të fitojë asgjë, ngase shumica prej tyre hynë e dalin duarbosh.

Rrëfimi i terziut të Prishtinës

Një rrëfim goxha të ngjashëm por me një zanat krejt tjetër e ka edhe Shemsi Abazi, i cili prej viteve të 70’ta nuk është ndalur se qepuri rroba për qytetarët e Prishtinës.

Zanatin prej rrobaqepësi edhe Abazi thotë ta ketë marrë nga prindërit e tij, të cilit siç tregon ai i kishin thënë se vetëm me këtë punë mund të mbetësh gjallë.

“ Kam qenë nxënës i klasës së pestë kur fillova të merrem me këtë zanat. Prindërit më patën thënë se vetëm kështu mund t’ia dalë”.

Sikur edhe teneqepunuesi, edhe ai thotë se ka rënë interesimi i klientëve, sidomos të gjinisë mashkullore.

Fustana, uniforma të ushtrisë, rroba për balet e teatër, të gjitha këto janë pjesë e punës së përditshme të këtij njeriu.  Megjithëse kohët kanë ndryshuar Abazi thotë se ka fitime më të mëdha në stinën e verës dhe se diaspora është një plus i madh për të.

“Klientët prej vendeve si Norvegjia, Suedia dhe Gjermania vinë çdo herë në dyqanin tim”.

Sa u përket çmimeve ai thotë se i ka shumë të lira në krahasim me të tjerët.

“…varet shumë nga modelet që kërkohen, kështu që çmimet i bien të jenë diku mes 30 dhe 80 euro”.

Po ashtu ai dëshiron që prej zanatit të tij të mësojë edhe dikush tjetër. Kështu ai më gjithë dëshirë pranon ata që duan të punojnë me përkushtim dhe dashuri ndaj kësaj pune.

Këtë zanat Abazi thotë se do ta vazhdojë deri atëherë kur mund të qëndrojë në këmbë.

“ Nuk e kam ndërmend të ndalem. Punën do ta vazhdoj deri sa te kam frymë e të qëndrojë në këmbët e mija”, përfundon ai për tu kthyer përsëri në makinën e tij të qepjes. /Gazeta Fjala/

Postime të Ngjajshme