` . Ushtria turke nis misionin shumëdimensional të sigurisë në Idlib – TV-SHENJA

Ushtria turke nis misionin shumëdimensional të sigurisë në Idlib

Vendosja dhe angazhimi i Forcave të Armatosura Turke (TSK) në zonën e deeskalimit (jokonfliktuale) të Idlibit që ka për qëllim krijimin e pikave të vëzhgimit për mbarëvajtjen e armëpushimit në këtë zonë, është duke u realizuar në linjën Idlib-Afrin në fazën e parë të tij.

Sipas gazetarëve të Anadolu Agency (AA) që gjenden përgjatë rrugës së transferimit, njësitë e TSK-së që mbrëmë u nisën nga qyteza Reyhanlı në provincën Hatay në jug të Turqisë dhe hynë në territorin e Sirisë, aktualisht gjenden në veri të Idlibit.

Në fazën e parë, njësitë e TSK-së janë vendosur në një pikë në afërsi të qytetit të Afrinit të kontrolluar nga organizata terroriste PKK/PYD në kufirin me Turqinë.

Dërgimi i forcave turke, i cili realizohet në korniza të marrëveshjeve të arritura në Astana të Kazakistanit me dy shtetet e tjera garantuese të armëpushimit në Siri, Rusinë dhe Iranin, do të vazhdojë në linjën kufitare Idlib-Afrin.

Në periudhën në vijim, vendosja e trupave turke do të realizohet gradualisht nga veriu në drejtim të jugut, ndërsa pritet të formojnë mbi dhjetë pika të vëzhgimit.

Njësitë e TSK-së, të cilat janë pjesë e Forcës së Kontrollit për Deeskalim të përbërë nga njësitë e forcave të armatosura të shteteve garantuese, do të vendosen në kuadër të marrëveshjeve të arritura në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, për arritjen e paqes në Siri.

Në këtë drejtim, Turqia do të formojë pika kontrolli në zonat e brendshme të Idlibit, ndër forcat ruse në pjesët e jashtme.

Gjithashtu, misioni i forcave turke në Idlib që synon krijimin e pikave të vëzghimit për monitorimin e armëpushimit në zonat e deeskalimit, po bëhet në koordinim me Ushtrinë së Lirë Siriane (ULS).

Vendosja e TSK-së do të shmang valën e migrimit

Dërgimi i TKS-së synon krijimin e kushteve të volitshme për rritjen e efikasitetit të armëpushimit midis regjimit dhe opozitës, përfundimin e konfliktit, dërgimin e ndihmave humanitare dhe kthimin e të zhvendosurve në shtëpitë e tyre.

Paraprakisht, ekzistonin shqetësime se në rast të moszbatimit të armëpushimit, mund të fillonte një valë e re e madhe e dhunës në Idlib nga regjimi i Asadit, forcat e mbështetura nga Irani dhe Rusia.

Një situatë e tillë parashihej se mund të krijonte një valë prej miliona njerëzve të cilët do të dëshironin të hynin në Turqi. Aktualisht, në brezin kufitar strehohen mbi një milionë persona në kampe.

Meqenëse me dërgimin e forcave turke do të sigurohet strehim i sigurtë i civilëve, në këtë mënyrë do të shmanget një valë e mundshme migrantësh.

Muri i sigurisë kundër PKK/PYD-së

Linja ushtarake, të cilën Turqia do ta formojë brenda Idlibit, në të njëjtën kohë do të jetë mur i sigurisë përballë zgjerimit në drejtim të Idlibt të organizatës terroriste PKK/PYD, e cila gjendet në Afrin në provincën e Halepit në veri të Idlibit.

Organizata terroriste, e cila nga viti 2011 e deri më tani ka pushtuar Afrinin, dëshiron të marrë nën kontroll një pjesë të territorit të Idlibit në mënyrë që të krijojë korridor drejt Mesdheut, duke filluar nga kufiri me Irakun.

Gjendja në Idlib

Idlibi, që ndodhet në veriperëndim të Sirisë, në kufi me Turqinë, ishte adresë sulmesh intensive të regjimit që nga marsi i vitit 2011 me fillimin e luftës civile. Në mars të vitit 2015, Idlibi doli nga kontrolli i Bashar Asadit, ndërsa u mor nën kontroll nga grupet opozitare dhe organizatat e armatosura kundër regjimit.

Qyteti ka një popullsi prej rreth 2.5 milionë banorësh, kurse aktualisht është shndërruar në një hapësirë të ngjeshur me afër katër milionë njerëz.

Rreth tre muaj më parë, nga qendra e qytetit janë tërhequr grupi opozitar më aktiv në qytet, Ahrar al-Sham, dhe grupi i armatosur kundër regjimit, Hejet Tahrir al-Sham.

Qendra e provincës së Idlibit administrohet nga Kuvendi Lokal, i cili përbëhet nga civilë.

Shërbimet e ofruara për popullatën mbulohen me resurse të dërguara Kuvendit Lokal nga ana e Qeverisë së Përkohshme të Sirisë.

Përderisa në qendrën e provincës nuk ka ndonjë grup ose organizatë të armatosur, njësitë e tilla ndodhen në postblloqe në pjesën rurale të qytetit.

Muajt e fundit, në rajon ishte intensifikuar prania e Hejet Tahrir al-Sham. Në Idlib ekzistojnë edhe shumë grupe lokale që veprojnë nën çatinë e ULS-së.

Idlibi kufizohet me Halepin perëndimor në verilindje, me pjesën rurale të Hamas në jug dhe me Latakian në perëndim.

Një pjesë e zonave në fjalë kontrollohen nga opozita, ndërsa pjesa tjetër nga ana e forcave të regjimit.

Në kuadër të marrëveshjes së arritur në takimet e Astanas për arritjen e paqes në Siri, Turqia Rusia dhe Irani kishin rënë dakord që Idlibi dhe rrethina e tij, gjegjësisht disa pjesë të Halepit, Hamas dhe Latakias, nëpër të cilat kalon linja e frontit e dy pjesëve të rajonit, të merren brenda “Zonës së deeskalimit të Idlibit”.