` . Ushqimi i përgatitur në enët e bakrit më i shijshëm, restorantet e vënë në përdorim – TV SHENJA

Ushqimi i përgatitur në enët e bakrit më i shijshëm, restorantet e vënë në përdorim

Përdorimi i bakrit në industri, elektronikë por edhe në ndërtimtari është i madh, por kërkesa për këtë metal është në rritje e sipër edhe në gastronomi, shkruan Anadolu Agency (AA).

Bakri është përçues i mirë i të nxehtit për çka ushqimi i përgatitur në një enë prej bakri është më i shijshëm thonë ekspertët.

Enët prej bakri gjithnjë e më shumë po gjejnë përdorim në gastronominë e qytetit turk Gaziantep, i cili ndodhet në “rrjetin e UNESCO-s të qyteteve kreative”.

Kryetari i shoqatës së gastronomëve dhe gatuesve në Gaziantep, Battal Yildirim për AA thotë se kuzhina e pasur në këtë qytet, në fakt është produkt i varfërisë.

Ai rikujtoi se në fillim të shekullit të 20-të, kur Franca dhe Italia pushtuan qytetin, për çka popullata lokale pothuajse 11 muaj nuk mundi të marrë ndihmë, popullata vendase në atë periudhë, shpiku 50 lloje të pjatave nga bullguri dhe 40 nga domatja.

“Bakri është pjesë e rëndësishme e kulturës sonë. Në enët prej bakri ne shërbejmë ushqimin, por edhe e përgatisim. Tipari më i shquar i bakrit është se përhap nxehtësinë në mënyrë të barabartë. Për shkak të kësaj, dhe ushqimi që përgatitet në kësi ene është më i shijshëm”, thotë Yildirim i cili rikujtoi se në tavat nga tefloni temperatura nuk përhapet në mënyrë të barabartë.

Ai bëri të ditur se enët nga bakri janë vënë në përdorim të madh gjatë shërbimit të ushqimit. ”E keni parasysh ushqimin e servirur në enë të bardhë nga porcelani. Tani imagjinoni një enë nga bakri dhe të zbukuruar. Madje edhe ata të cilët nuk gatuajnë në një enë prej bakri, në të tillë e shërbejnë ushqimin sepse ashtu ftohet më ngadalë”, u shpreh Yildirim.

Xhelal Açik, në cilësi të kryetarit të Odës së Zejtarëve, tha se Bakri është njëri nga elementet më të shëndetshëm në botë, duke rikujtuar përdorimin e tij edhe në të kaluarën.

“Në Turqi, restorantet luksoze po i kthehen bakrit. Ushqimi shërbehet në enët e bakrit,” tha Açik i cili beson se prezantimi vizual i ushqimit është po aq i rëndësishëm.

Sipas tij, blerja e enëve nga bakri mund të jetë më e shtrenjtë, por tha se enët e tilla përdoren për kohë me të gjatë.

 

Postime të Ngjajshme