` . Urtësia dhe shëndeti shpirtëror - TV-SHENJA

Urtësia dhe shëndeti shpirtëror

Brenga paraqitet që të paralajmërojë një person që diçka e rëndësishme duhet të ndryshojë në jetën e tij. Ajo që e brengos një person, në të vërtetë, e shëron dhe e motivon atë të bëjë diçka urgjente për ta bërë dhimbjen të zhduket. Dhimbja zhduket kur një person e kupton mesazhin e saj dhe e ndryshon modelin negativ të jetës dhe sjelljes së tij…

Shkruan: Metin IZETI, Tetovë

Marrëdhëniet e shëndetshme
karakterizohen nga respekti, ndershmëria dhe harmonia.
Nëse marrëdhëniet nuk janë të tilla, nëse
konfliktet janë të shpeshta, nëse neve ose personin tjetër shpesh e shqetëson
diçka, nëse vuajmë rregullisht, nëse dikush na trajton në mënyrë të papërshtatshme
vazhdimisht dhe e shkel kufirin e të drejtave tona si individë, si dhe nëse ne e
bëjmë këtë vazhdimisht ndaj të tjerëve, këto janë shenja se ekziston një aspekt
i pazgjidhur brenda asaj marrëdhënie dhe, natyrisht, brenda vetes. Të punosh në
veten tënde përfshin rikthimin e vetvetes në thelb. Ajo paraqet një kujtesë se
kush jemi ne në të vërtetë. Një kujtesë e asaj qe dikur e dinim. Si rrjedhoje,
serish ta kthejmë integritetin, individualitetin dhe pjekurinë. Ne nuk jemi
krijuar të jemi të tensionuar, të zemëruar, nervozë, të trishtuar. Ky nuk është
thelbi ynë. Thelbi është paqja, harmonia, mirënjohja. Qenia jonë parësore është
shpirti ynë, është ajo që ne jemi vërtet.

Kur ka qenë hera e fundit që kemi bërë
diçka për shpirtin tonë ? Jo vetëm diçka që na pëlqen ta bëjmë, por diçka që na
mbush vërtet? E lehtë është t’u japim të tjerëve, të ndajmë me të tjerët…, por
shumë shpesh harrojmë t’i japim personit që ka më shumë rëndësi – vetvetes! Ne
harrojmë ta pyesim veten se çfarë kemi nevojë, si jemi…

Për shkak të dinamikës dhe shpejtësisë
së jetës, ne jemi mësuar t’i japim vetes gjëra “të vogla” …  Të pimë  një kafe me një mik, të ndajmë kohën për të
lexuar një libër që na pëlqen … Por, sa shpesh bëjmë diçka që na mbush vërtet
shpirtin, që na bën të plotë, na rigjeneron? Diçka që na bën të shkëlqejmë, të
rrezatojmë nga brenda!

Sa herë që eci drejt Teje, hapi im është
dukshëm më i lehtë. Sepse, heq barrën e padukshme nga shpatullat e mia dhe i
liroj këmbët nga prangat e padukshme…

Mund të jemi fizikisht dhe mendërisht
plotësisht të shëndetshëm, por shpirtërisht të vdekur. Ne trajtohemi gjithnjë e
më shumë dhe gjithnjë e më shumë na dalin sëmundje të ndryshme. Sa më shumë
trajtohemi, aq më të sëmurë jemi. Krejtësisht kontradiktore. Çfarëdo që bëjmë
është sipërfaqësore, sepse ne trajtojmë pasojën, jo shkakun dhe rrënjën e
problemit…

Shqetësimet e kësaj bote na bëjnë që të
mos e gjejmë rrugën drejt shëndetit shpirtëror dhe një jete të lumtur. Dhe, për
të jetuar sot lumturisht dhe me cilësi, është e nevojshme të gjejmë paqe
shpirtërore, e cila arrihet vetëm nëse jetojmë thjesht dhe në bashkësi me
njerëz të mirë.

Pendesa me lutje formon kulmin e
piramidës së shëndetit shpirtëror të njeriut. Pendesa është përgjigjja ndaj së
keqes! Duhet të kihet parasysh se njeriu nuk është një makinë falëse dhe është
i paaftë të falë në kohën e dhimbjes. Por, ka një nevojë dhe dëshirë të madhe
në shpirtin e një njeriu për një akt të veçantë te pendesës dhe faljes. Prandaj,
pendesa dhe falja vijnë nga thellësitë e shpirtit si një lloj njohjeje. Kur
pendesa piqet në shpirtin e një njeriu të plagosur, urrejtja dhe vetëkeqardhja
zhduken. Për të falur të tjerët, së pari duhet ta dimë se si ta falim veten.
Dhe, kjo është gjëja më e vështirë…

Brenga paraqitet që ta paralajmërojë një
person që diçka e rëndësishme duhet të ndryshojë në jetën e tij. Ajo që e
brengos një person në të vërtetë e shëron dhe e motivon atë të bëjë diçka
urgjente për ta bërë dhimbjen të zhduket. Dhimbja zhduket kur një person e
kupton mesazhin e saj dhe e ndryshon modelin negativ të jetës dhe sjelljes së
tij…

Falënderimi/mirënjohja është një mënyrë
e vlefshme për t’u kujdesur për shëndetin tonë fizik, mendor dhe shpirtëror. Shkalla e
lumturisë dhe kënaqësisë në jetë varet nga sasia e falënderimit dhe mirënjohjes
që ne ushqejmë. Nëse jemi mosmirënjohës, e shkatërrojmë veten dhe jo tjetrin…

Arritja e më të mirës së mundshme nuk
është detyrë e lehtë. Është një proces i kërkimit, është arsyeja pse kemi
lindur. Por, ajo kërkon këmbëngulje, durim dhe një vizion të qartë të asaj që
duam të jemi, duke e kuptuar veten dhe duke mos e gjykuar veten ose të tjerët.
Për shumë prej nesh kjo gjithashtu do të thotë të lutesh, të dëgjosh thirrjen e
jetës, të njohësh misionin e jetës, ta shtosh dashurinë. Është e rëndësishme që
të mos përpiqemi të krijojmë nga vetja atë që nuk jemi, të mos krijojmë një
vetvete të rreme. Kur aktivizohet vetja jonë autentike, atëherë ne gjithashtu e
njohim vendin tonë të vërtetë në botë, kuptimin tonë të vërtetë të
ekzistencës…

Urtësia është njohuri e nevojshme për
një jetë të mirë. Është rezultat i një kuptimi objektiv të përvojës së jetës.
Urtësia na mëson se ku gjenden vlerat reale në jetë. Një njeri i urtë e respekton
natyrën dhe ligjet që ekzistojnë në të. Ai ka një orientim produktiv, duke e
përmirësuar vazhdimisht veten dhe rrethinën e tij dhe për këtë arsye jeton
mirë…

Është shumë e vështirë për njerëzit ta
shohin urtësinë kur bëhet fjalë për fuqinë e tyre në shoqëri, sepse kjo fuqi
mbart iluzionin e tejkalimit të pafuqisë në natyrë. Nëse lumturia qëndron në
pushtet mbi njerëzit, atëherë njerëzit më të pasur dhe më të famshëm në botë
duhet të jenë njerëzit më të lumtur. A janë vallë? Sa më e madhe të jetë fuqia
në shoqëri, aq më të mëdha do të jenë iluzionet për shoqërinë dhe aq më shumë
bien ndesh me ligjet objektive të natyrës…

Urtësia është një virtyt i zemrës
njerëzore, e karakterizuar nga njohuri të thella, shikim depërtues dhe aftësi
për arsyeshmëri…

Aliu (Allahu ia fisnikëroftë fytyrën) përcolli se Pejgamberi (paqja dhe
mëshira e Zotit qofshin mbi të) ka thënë: “Dy gjërave u druhem për ju mbi
gjithçka tjetër: rendja pas epshit dhe shpresat jetëgjata. Sepse rendja pas
epshit e ndan njeriun nga e Vërteta, kurse shpresat jetëgjata janë dashuri për
këtë botë.” Pastaj ai tha: “Vërtet, Zoti (i Lartësuar është Ai) ia dhuron
dynjanë atij njeriu që Ai do dhe njeriut që Ai e urren; dhe kur Ai e do robin e
Tij, ai i jep atij besim. Dhe, vërtet, feja ka bijtë e saj, ashtu siç i ka dhe
dynjaja; prandaj, qëndroni me bijtë e fesë dhe mos qëndroni me bijtë e kësaj
bote. Dhe, vërtet, dynjaja ka kaluar dhe ka sosur, ndërkohë që Jeta e Amshuar
është avitur dhe ka ardhur afër. Dhe, vërtet, ju jeni në një ditë në të cilën
ka veprim pa llogari, por pothuajse u jeni afruar një dite në të cilën ka për
të pasur llogari, por jo veprim.”.

Ummel-Mundhiri thotë: “I Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut
qofshin mbi të) doli përpara njerëzisë një mbrëmje dhe tha: ‘O njerëz, a nuk ju
vjen turp përpara Allahut?’ ‘Si qenka kjo punë, o i Dërguari i Allahut?’, e
pyetën ata dhe ai iu përgjigj: ‘Ju grumbulloni atë që nuk keni për ta ngrënë,
ju shpresoni për atë që nuk keni për ta arritur kurrë dhe e ndërtoni atë ku ju
nuk do të rroni kurrë’.”

Abdullah [Ibn Mes’udi] thotë: “I Dërguari i Zotit (paqja dhe mëshira e
Zotit qofshin mbi të) vizatoi një herë një katror para nesh, duke hequr një
vizë nga lart poshtë në qendër dhe mandej duke hequr të tjera vija në anë dhe
një tjetër që shpinte jashtë tij. ‘A e dini se çfarë është kjo?’, pyeti ai, dhe
ne ia kthyem: ‘Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më mirë!’. Ai bëri me gisht në
vijën që shtrihej në qendër dhe tha: ‘Ky është njeriu dhe kjo është
jetëgjatësia që e rrethon atë”’. ‘Këto – duke treguar me gisht vijat që shtriheshin
përreth tij –janë ndodhitë e rastit, të cilat e këpusin atë; kur njëra nuk e zë
atë, ai këputet nga një tjetër. Dhe kjo – duke treguar vijën që shpinte jashtë
–është shpresa e tij’.”

Një njeri që dëshiron të bëhet i urtë
nuk duhet të lejojë që dijet e imponuara ta udhëheqin atë. Ai duhet ta ndjekë
rrugën e tij. Që një njeri të jetë i urtë, ai duhet të ketë kohë për veten e
tij. Një kohë për ta analizuar botën përreth tij dhe veprimet e tij, një kohë
për të zbuluar se ku janë vlerat e vërteta, për të zbuluar se çfarë është më e
mira për të dhe shoqërinë. Ai duhet të jetë kritik ndaj çdo forme të njohurive
të imponuara. Sa më shumë që fillon ta bëjë atë, aq më i saktë është ai. Kjo
nuk është e lehtë për t’u realizuar, por vetëm në këtë mënyrë mund të
zhvillohet aftësia për të gjetur vlerat e vërteta të jetës dhe për të shmangur
ato të gabuara. Kështu ndërtohet objektiviteti, i cili është një kusht i
mjaftueshëm për zhvillimin e urtësisë.