` . Universiteti shqiptar: vështrim aksiologjik - TV-SHENJA

Universiteti shqiptar: vështrim aksiologjik

Diplomat e falsifikuara të një universiteti shtetëror të Maqedonisë mësohet t’u jenë shitur me shumicë qytetarëve italianë. Në nëntor të vitit të kaluar, Ministria e Punëve të Brendshme në një nga shtëpitë e një fshati zbuloi një mini-punëtori, në të cilën janë përgatitur diplomat falso. Një banor i fshatit, i moshës 30 vjeçe, në podrumin e objektit i ka përgatitur vërtetimet e fakulteteve dhe ato ua ka shitur shtetasve italianë.

Shkruan: Ali PAJAZITI, Shkup

Kohëve të fundit po flitet edhe për një krizë të akademisë ose të universitetit. “Kriza e universitetit” është krizë e shoqërisë dhe vice versa (Kapo, 2013). Kohëve të fundit arsimi i lartë dhe akademia në hapësirën ballkanike janë degraduar goxha. Numri i universiteteve dhe dokumenteve strategjike të publikuara për reforma është shumë i madh, kurse vendnumërimi, madje edhe dekadenca, janë trende të dukshme. Në trojet ballkanike po shënohet një bum kuantitativ i universiteteve dhe një dekadencë e cilësisë. Disa universitete shtetërore tentojnë që ende ta ruajnë sistemin e vjetër të studimeve, me profesorin në epiqendër, ndërsa disa universitete private e kanë banalizuar arritjen deri te diploma.

Drejtori i Qendrës për Hulumtim për Evropën Juglindore, Florian Bieber, lidhur me rritjen marramendëse të numrit të universiteteve në Ballkan thotë: “Duke marrë në konsideratë resurset e kufizuara, si në aspektin e pagesës së studentëve ashtu edhe në kuadrin profesional të mësuesve, numri i universiteteve në Ballkan është habitës!” Analiza e përmbajtjes, të dhënat empirike, madje edhe barcoletat e krijuara flasin për gjendjen reale të akademisë gjithandej Ballkanit.

Në mediat serbe gjejmë artikuj që flasin për “Krizën shoqërore dhe krizën e universitetit” (Z. Goluboviq), për “Destruksionin e universitetit”, për “Tendosjen, krizën dhe kaosin” (Stošić, 2008) etj. Shkrime të ngjashme gjejmë edhe lidhur me realitetin e Bosnjë-Hercegovinës (Weber, 2007), ku një nga figurat kyç është ai “profesorit politikan” (Kapo, 2013), atë Malit të Zi (“Kriza e universitetit s’ka të ndalur”), ku flitet për dështimin e universitetit që t’u shpëtojë ndikimeve politike dhe të tjera që e rrezikojnë interesin publik (Kaluđerović, 2013). Krizë ka edhe në identitetin e universitetit kroat, si pasojë e trysnisë që vjen nga politika, tregu, projektet, interesat… (Vrček, 2013).

Në një protestë studentore të organizuar në Tiranë studentët, mes tjerash, dolën edhe me këto parulla: „Universitetin universitarëve, jo tregtarëve!”, “Student jo klient!”, “Dija s’është mall!”, “Reformim jo shformim!”, “Universiteti publik, rahmet pastë!” (“Reforma në Arsim”, Opinion, TV Klan 4 qershor 2014). Derisa analistët flisnin për masovizim pa financim, për pikëpamjen “të bëjmë ndonjë lek sot, po punë e madhe se dalim injorantë nesër” dhe për shumë tendenca të tjera negative, kryeministri Rama, në një prononcim të tij, u shpreh se gjendja në arsimin e lartë është emergjente. Në korrik të vitit 2014 u publikua raporti përfundimtar për reformimin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, punë kjo e një grupi akademikësh elitarë.

Para disa muajsh në Kosovë u përjetua një skandal lidhur me ish-rektorin e këtij universiteti, që kishte botuar një tekst krejtësisht jashtë branshës së tij (historia), pra në sferën e mineralogjisë në një revistë shkencore të shpikur, që më pas shkaktoi rebelim e protesta studentore, që përfunduan me dorëheqjen e tij. Ndër parullat që studentët shfaqën ishin edhe “Krejt Kosova Prof. Dr., Mr.”, “Edhe unë jam prof. Dr., Mr.!”, “Ekspres doktoratura vetëm për 3 minuta”, “Zbritje: Publikojmë punime shkencore vetëm për 59.99 euro në Indinë ekzotike!” etj. Përveç kësaj, studentët hoqën katër shkronja nga muri i UP-së dhe Universiteti i Prishtinës u cilësua si “i prisht”, pra i degraduar, i dërrmuar, si institucion i krizës strukturale.

Diplomat e falsifikuara të një universiteti shtetëror të Maqedonisë mësohet t’u jenë shitur me shumicë qytetarëve italianë. Në nëntor të vitit të kaluar, Ministria e Punëve të Brendshme në një nga shtëpitë e një fshati zbuloi një mini-punëtori, në të cilën janë përgatitur diplomat falso. Një banor i fshatit, i moshës 30 vjeçe, në podrumin e objektit i ka përgatitur vërtetimet e fakulteteve dhe ato ua ka shitur shtetasve italianë. Pjesa më e madhe e diplomave e kanë mbajtur logon e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë (BIRN, 2013) Në një emision televiziv një profesor universitar rrëfen për një rast të komunikimit me një taksist, i cili rrëfen gjendjen e djalit të tij në universitet: “Në shkollë fillore ishte shumë i dobët, shumë njëshe kishte, tani shyqyr në universitet gjithë nënta e dhjeta!”

Çështja e vlerave fillon me papërcaktimin apo shumëkumptimësinë e nocionit “vlerë”. “Vlerë mund të jetë çdo gjë që favorizohet ose që synohet te arrihet. Ato mund të jenë vlera për orientim, qëndrime rreth të dëshirueshmes në kuptimin e udhërrëfyesve kulturorë, religjiozë, etnikë ose socialë. Vlerat janë më shumë se dëshira, dallojnë nga dëshirat. Dëshirat e theksojnë atë që e dëshirojmë, kurse vlerat i shprehin idetë tona nga e deshirueshmja, që është vlerë (Fuerstenberg, 2001).

Në shoqëritë perëndimore ka shumë hulumtime me qasje aksiologjike mbi ndryshimin e vlerave (Voicu et. al., 2016), ndërsa në vendet e Ballkanit deri më tani nuk është bërë ndonjë hulumtim serioz mbi historinë dhe aktualitetin e sistemit të vlerave.

Në hulumtimin – të dhënat e të cilit po i shpalosim në këtë shkrim – janë përfshirë gjithsej 449 studentë të universiteteve të tri vendeve (Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë), shifër kjo që ka kapacitete reprezentative lidhur me raportin perceptimet e popullatës studentore për vlerat. Studentët që përbëjnë mostrën e këtij hulumtimi janë nga universitetet shqiptare të këtyre vendeve: Universiteti i Tiranës, Universiteti “Hasan Prishtina” – Prishtinë, Universiteti i Europës Juglindore – Tetovë dhe Universiteti i Tetovës. Instrumenti kërkimor (anketa) është përgatitur nga mësimdhënësit e universiteteve të sipërpërmendura, më pas është shpërndarë dhe është realizuar në korrik-gusht 2016.

Pjesa dërrmuese e respondentëve ishin të mendimit se politikat arsimore ndikojnë në afirmimin e vlerave demokratike. Në Shqipëri dhe Kosovë kjo përqindje është më e madhe (64.6%, gjegjësisht 60.5%), kurse studentët shqiptarë të Maqedonisë janë të mendimit se ky korrelacion është më i dobët (43.3%).

Nga ilustrimi i mëposhtëm shohim se si formë më e shfaqur e diskriminimit është ajo e statusit ekonomik (22.1%), më pas ajo e vendbanimit (16.7%), e pamjes së jashtme (15.8%), e grupeve të margjinalizuara (13.2%) dhe e fesë (11.6%). Është interesant fakti që forma më të ulëta të diskriminimit në shoqërinë shqiptare shfaqen ato me bazë etnike dhe të gjuhës, që është një kontradiktë nëse e marrim parasysh faktin se shoqëritë ballkanike janë shumë të tensionuara në baza etnike, në aspekt të etnocentrizmave tipikë ballkanikë.

Format e diskriminimit në mjediset universitare.

Studentët e Shqipërisë theksojnë se më i dukshëm është diskriminimi ekonomik (19.3%), ata të Kosovës e fokusojnë dikriminimin e vendbanimit (21%), kurse të Maqedonisë dskriminimin socio-ekonomik (31.9 %). Në bazë të universiteteve të veçanta konstatojmë se në Universitetin e Tiranës më i pranishëm është diskriminimi ekonomik dhe ai i pamjes së jashtme, në Universitetin e Prishtinës diskriminimi i vendbanimit ose ndarja klasike (katunar e shehërli) dhe ai fetar, kurse në dy universitetet shqiptare të Maqedonisë më i shfaqur është diskriminimi social-ekonomik: më tepër në UEJL (37.9%) sesa në UT (28.7%). Diskriminimi në bazë fetare është më i shprehur në Kosovë (15.3%), pastaj në Maqedoni (13.5%) dhe më së paku është i pranishëm në Shqipëri (vetëm 6%). Në Kosovë të dhënat flasin se ka një atak të vrazhdë ndaj fesë dominuese, Islamit, që merr edhe ngjyrime të islamofobisë. Realiteti i Maqedonisë është më i ndryshëm: diskriminimi u bëhet grupimeve të tjera fetare nga shteti që e avancon njërin grupim fetar, gjë që shënohet edhe nga organizatat ndërkombëtare, por edhe nga State Departament-i. Shqipëria mbetet ende vatër e tolerancës ndërfetare, dukuri kjo që mund të shpjegohet edhe me një nukleus shqiptar të mirëkuptimit ndërfetar, por edhe si rrjedhim i një indolence fetare, i fetarizmës së dobët në korniza të Shqipërisë.

Përmes pyetjes 17 (Sa respektohet parimi i meritokracisë në institucionin tuaj arsimor?) kemi dashur të mësojmë një segment të rëndësishëm të jetës studentore dhe akademike, faktikisht se sa evaluohen ata sipas shkathtësive dhe performansave të treguara në leksione, ushtrime dhe më gjerë, sa ata marrin notën e merituar ose hakun e tyre. Nga gjetjet konstatojmë se vetëm 8.5% pohojnë se ky parim respektohet shumë, 58.6 % deri diku, kurse 21.8 % e atyre që janë përgjigjur janë shprehur se ai nuk respektohet.

Fjala e lirë duhet të jetë shenjë dalluese e institucioneve të arsimit të lartë – liria akademike është në nga termat kyç që ndërlidhen me universitetin. Një pyetje e lidhur me këtë ishte edhe ajo se sa merret parasysh mendimi kritik në auditorët universitarë. Vetëm rreth 1/3 (30%) e studentëve janë të bindur se kriticizmi është frymë mbizotëruese në komunikmin akademik. Një shifër goxha e lartë fletë për dilemat që i ka rinia universitare për t’u shprehur lirshëm, për ta thënë atë që mendon para mësimdhënësve dhe kolegëve të vet.

Institucioni arsimor Sa merret parasysh mendimi kritik në auditorët në institucionin/universitetin tuaj?
Shumë Po Deri diku Jo Pa përgjigje Gjithsej
Universiteti i Tiranës 9.4% 22.8% 55.7% 8.1% 4.0% 100%
Universiteti i Prishtinës 7.3% 21.3% 54.7% 6.0% 10.6% 100%
Universiteti i Evropës Juglindore 12.1% 32.8% 37.9% 1.7% 15.5% 100%
Universiteti i Tetovës 3.4% 10.3% 52.9% 21.8% 11.4% 100%
Tjetër 0.0% 20.0% 40.0% 40.0% 0.0% 100%
Gjithsej 35 95 235 43 41 449
7.8% 21.2% 52.3% 9.6% 8.1% 100%

Mendimi kritik në universitet.

Vetëm 29.6% e studentëve pohojnë se ka transparencë në universitet, parim ky që nënkupton të qenët i hapur, komunikativ dhe i përgjegjshëm, një mundësi që të tjerët të shohin se cilat veprime performohen. Studentët kanë ankesa lidhur me pjesëmarrjen në procesin e vendimmarrjes. Pjesëmarrjen studentore si shumë të lartë dhe të lartë e kanë vlerësuar 46.6% të studentëve të UEJL-së dhe 40.6% të UP-së, kurse vetëm 25.3 % të Universitetit të Tetovës dhe të 18.2 % Universiteti të Tiranës.

Popullata studentore e vlerëson ndikimin pozitiv të ligjëratave dhe ushtrimeve në rritjen e njohurive për vlerat demokratike (65.7% kanë mendim pozitiv, “ndikojnë” dhe “shumë ndikojnë”). Në universitetet shqiptare nuk motivohet mendimi kritik: vetëm 29% e studentëve kanë qëndrim të prerë se motivohet kriticizmi akademik në mjediset universitare. Korrupsioni, nepotizmi dhe klientelizmi janë dukuri të pranishme në universitetet shqiptare: 40.8% e studentëve janë përgjigjur me “Po” në pyetjen “A mendoni se ka dukuri të ndryshme si korrupsioni, nepotizmi dhe klientelizmi në institucionin tuaj të arsimit të lartë?”

Si universitete me probleme më të mëdha etike lidhur me korrupsionin, nepotizmin dhe klientelizmin janë radhitur ai i Tetovës (49.4%), i Prishtinës (42%), i Tiranës (26.9%) dhe më së paku ai i UEJL-së (23.9 %).

Janë shumë negative gjetjet nga pyetja 18 lidhur me atë nëse ka mospërputhje mes asaj që flasin dhe asaj që e bëjnë profesorët universitarë. Vetëm 17.4% kanë pohuar se ekziston një koherencë mes fjalëve, ligjëratës dhe praktikës së stafit akademik. Një pjesë goxha e madhe e tyre (67.5%) kanë shprehur dilema, duke pohuar se “deri diku ka përputhje” mes këtyre dy segmenteve të mësimdhënësve. Kjo tregon se stafi akademik duhet të jetë më i kujdesshëm në mënyrën e jetesës nëse duan që ta meritojnë epitetin “role model”. Studentët, madje, e kanë theksuar edhe rëndësinë e vlerave dhe pamjes/paraqitjes së jashtme të profesorëve.

Arsimi për vlera synon promovimin e kapaciteteve, qëndrimeve dhe shkathtësive që janë të vlefshme jo vetëm në shkollë, por edhe përtej saj, duke e bërë botën vend më të mirë jo vetëm për ta, por edhe për familjen, shokët dhe të gjithë pjesëtarët e shoqërisë. Arsimi për vlera demokratike e përforcon të kuptuarit e vlerave të shoqërisë së hapur, që duhet të rrënjosen te studentët jo vetëm për interesat e tyre, por edhe për të mirën e përgjithshme që reflekton ekuilibër mes interesave të ngushta individuale dhe atyre më përfshirëse, shoqërore.

Nga hulumtimi i realizuar konstatojmë se:

  • Institucionet shqiptare të arsimit të lartë duhet t’i japin më tepër hapësirë fjalës së lirë;
  • Vetëm rreth 1/3 e studentëve pohojnë se kriticizmi është frymë mbizotëruese në komunikmin akademik;
  • Studentët kanë vërejtje lidhur me dallimin mes asaj që profesorët e flasin dhe asaj që ata bëjnë, pra shohin mospërputhje mes fjalëve dhe veprimeve të tyre;
  • Faktorët e politikave arsimore në spektrin shqiptar nuk janë impuls për promovimin e vlerave demokratike – politikat destruktive në arsim kanë ndikuar në mënyrë deprimuese të rinia universitare;
  • Dallime në perceptime janë shënuar ndërmjet studentëve të tri universiteteve publike dhe atij privat, që përbëjnë kampionin e këtij hulumtimi;
  • Sugjerojmë ndryshime cilësore në kurrikulat universitare, kjo në bazë të trendeve globale, duke instaluar një frymë të re kreative, më liberale, të mësimit interaktiv, pastaj krijim të universiteteve të brezit të tretë, avancim të kuadrove të reja, të profileve me njohuri e shkathtësi të kohës.

 

Postime të Ngjajshme