` . Universiteti i Tiranës thirrje studentëve t’i rikthehen procesit mësimor - TV-SHENJA

Universiteti i Tiranës thirrje studentëve t’i rikthehen procesit mësimor

Studentët e disa fakulteteve të Universitetit të Tiranës (UT) kanë vazhduar sot bojkotin e mësimit nëpër auditore, duke protestuar për realizimin e plotë të kërkesave të tyre, ndërsa UT iu ka bërë thirrje të ndërpresin bojkotin, raporton AA.

Universiteti i Tiranës iu ka bërë thirrje studentëve t’i rikthehen procesit mësimor, duke theksuar se respekton edhe të drejtën e tyre për të protestuar. Sipas këtij institucioni, për shkak të zgjatjes së protestës dhe bojkotimit të procesit mësimor nga një pjesë e studentëve, mësimi nuk është zhvilluar normalisht.

Rektorati i Universitetit të Tiranës, nëpërmjet një njoftimi ka konfirmuar se ka vendosur të marrë masa që të garantohet plotësimi i programit mësimor për vitin akademik 2018-2019 nëpërmjet zëvendësimit të orëve mësimore të parealizuara për shkak të protestës duke përshtatur strukturën akademike.

Gjithashtu është vendosur që të merren masa për shtyrjen e afatit të pagesës së tarifave dhe për shtyrjen e procedurave të marrjes së dokumentacionit për përfitim burse dhe të studentëve të kategorive të veçanta.

Në Fakultetin e Ekonomisë dhe Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës, sot ka patur edhe momente tensioni mes studentëve dhe punonjësve të policisë private që ruajnë ambientet e fakulteteve, ndërsa pjesë e bojkotit janë bërë edhe studentë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës.

Kujtojmë se protesta e studentëve të universiteteve publike filloi më 5 dhjetor të vitit të kaluar me kërkesat kryesore të tyre për përgjysmimin e tarifave vjetore të studimeve, përmirësimin e kushteve nëpër konvikte dhe rritjen e buxhetit për arsimin. Pas pushimeve zyrtare të universiteteve protesta rifilloi më 7 janar, duke kërkuar ndërhyrjen e Kuvendit të Shqipërisë për amendimin e ligjit për arsimin e lartë.

Gjatë dhjetorit, Qeveria e Shqipërisë miratoi disa vendime në lidhje me kërkesat e studentëve të universiteteve publike, por studentët insistojnë se vendimet nuk janë të plota. Konkretisht janë miratuar vendime për përcaktimin e kategorive të individëve që përfitojnë ulje të tarifës vjetore të studimit, për garantimin e transparencës financiare në institucionet publike të arsimit te lartë dhe për përcaktimin e kritereve dhe të procedurave të përzgjedhjes së anëtarëve të bordit të administrimit në institucionet publike të arsimit të lartë.

Qeveria e Shqipërisë ka publikuar në dhjetor edhe draftin e një “pakti për universitetin”, pas kërkesave të vazhdueshme të studentëve protestues të universitete publike.