` . Universitetet e rehatimit partiak - TV SHENJA

Universitetet e rehatimit partiak

Shkruan: Xhelal NEZIRI

Ka kohë që universitetet shihen si qendra të rehabilitimit të kuadrove partiak që ngelin pa post. Nëse një politikan që ka kontribuar për partinë duhet të shkojë për arsye të ndryshme, atëherë atë e “internojnë” në universitet. E bëjnë profesor universitar, pasi profesor i ndonjë shkolle të mesme do të kuptohej si një degradim për të.

Më parë kjo vlente vetëm për diplomacinë. Politikanët, që humbnin terrenin partiak, “depërtoheshin” në ndonjë vend të huaj si diplomat. Nuk mbahej aq shumë llogari nëse i njëjti do të mund t’i përfaqësojë, promovojë dhe mbrojë interesat e shtetit që përfaqëson dhe qytetarëve të tij. Kryesorja është të rehatohet funksionari që të jetë rehat edhe partia.

Në dekadën e fundit të veprimtarisë politike të shqiptarëve në Maqedoni universitetet kanë qenë një ndër institucionet e para, që janë pushtuar nga secila parti që e ka marrë pushtetin. Puçe dhe revolucione të armatosura kanë ndodhur brenda këtyre objekteve që simbolizojnë majat e arsimit dhe lirisë akademike. Një përdhunim i vrazhdë i universiteteve dhe errësim edhe më të madh të perspektivës së gjeneratave të reja.

Universiteti i ri në Shkup

Politika i merr vendimet edhe për themelimin e universiteteve. Në çdo vend normal, ku arsimi është i shenjtë, politika vihet në funksion të universitetit me atë që plotëson çdo nevojë për zhvillim dhe përshtatje me trendët e reja studimore. Ky relacion midis politikës dhe universitetit është i bazuar në një partneritet të mirëfilltë, ku autonomia universitare është deri në fund e paprekshme dhe e pacenueshme. Kjo autonomi është e patjetërsueshme me qëllim që universitetet të kenë lirinë e zgjedhjeve të brendshme, përcaktimin e mënyrës së funksionimit, zgjedhjes së stafit të nevojshëm, hulumtimeve shkencore dhe të definimit të strukturës organizative. Autonomia gjithsesi se nuk nënkupton mosrespektim të ligjeve të shtetit, shpërdorim të mjeteve universitare ose edhe të pasivitetit akademik. Çështja e autonomisë universitare është një parakusht i integrimit evropian, ku kjo strukturë tanimë ka përcaktuar një kornizë të autonomisë dhe llogaridhënies universitare për sistemet arsimore të vendeve anëtare të saja.

Lajmi për themelimin e universitetit të ri në Shkup, i cili do të jetë edhe në gjuhën shqipe, ngjalli debate të ndryshme në opinion. Njëjtë sikur u regjionalizua politika me gravitimin e partive te një qytet i caktuar, u krijua përshtypja se po fillon një ndarje e këtillë edhe në arsimin e lartë. Përveç universitetit në Tetovë, tash u paralajmërua se do të ndërtohet edhe një në Shkup, i cili nënkuptohet se do ta konkurrojë dhe mbase dëmtojë të parin. Por, 21 vjet pas themelimit të Universitetit të Tetovës dhe 10 vite sa ky institucion i lartë arsimor funksionon si legal, reagimet e qytetarëve shqiptarë ishin pa eufori, të matura dhe me një dozë të theksuar kriticizmi lidhur me idenë për një universitet të ri. Mungoi ajo energjia e vitit 1994, kur themelimi i UT-së ngjalli një shpresë të madhe te shqiptarët se përfundimisht do të dalin nga errësira e injorancës dhe do të hapërojnë sigurt në dritën e dijes. U bënë mburojë e gjallë për këtë institucion ku i kishin deponuar të gjitha shpresat për një të ardhme më të mirë.

Andaj, përvoja me devalvimin e universitetit në Tetovë dhe partizimin e skajshëm të tij bën që universiteti i Shkupit të shihet me mosbesim që në fazën ideore. Por, përvoja tregon se qasja e partisë shqiptare në pushtet – Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), është zaptimi dhe kontrollimi i të gjitha institucioneve që duhet të kenë autonomi veprimi, siç është universiteti. Nëse një funksionar i lartë partie i ankohet liderit për “pastrim të USHT-së nga BDI-ja”, nëse familjarë të liderit janë rehatuar në universitet, nëse miq e akraba të funksionarëve të tjerë janë instaluar nëpër fakultete, atëherë nuk ka dilemë se bëhet fjalë për një çerdhe partiake ku strehohen militantë dhe ata paguhen nga arka shtetërore, që mbushet me haraçin e mbledhur nga populli.

Strehim militantësh

Nëse nga ky prizëm e shohim iniciativën për themelimin e universitetit në Shkup, atëherë rezulton se qëllimi i tij nuk është arsimor e shkencor, por thjesht partiak dhe rehatues. Faturën e degjenerimit të këtillë të sistemit të arsimit të lartë do ta paguajnë pikërisht kuadrot që do të dalin nga universitetet partiake. Studentët në këto institucione shihen vetëm si numër për t’i krijuar një vend punë profesorit, si burim i financave për funksionimin e tyre dhe si një shtresë që duhet mbajtur nën kontroll për të mos shkaktuar ndryshime, të cilat do të rrezikonin rehatinë e partisë.

Argumentet se ky universitet do të jetë i njëmendtë zbehen shkaku i periudhës së lansimit të këtij projekti. Në një moment kur fushata parazgjedhore tashmë ka kohë që filluar, promovimi i universitetit gjithsesi se bëhet në kuadër të propagandës që ka për qëllim grumbullimin e sa më shumë votave.

Ky projekt fisnik mund të realizohet dhe zhvillohet me të gjitha standardet vetëm nëse aty nuk do të gjejnë vend politikanë të dështuar me diploma të blera, të cilët duket se shkaku i fraksioneve të brendshme partiake nuk kanë gjetur vend në universitetin e Tetovës. Në të kundërtën, universiteti i Shkupit që është emëruar me emrin e nobelistes “Nënë Tereza”, do të paraqesë një alternativë më tepër për rehatimin e mbeturinave politike dhe një vend ku do të ndahen diploma me të cilat mund të punësohesh vetëm në administratën po ashtu të partizuar.

Postime të Ngjajshme