` . Universalizimi i vlerave si konsensus shoqëror – TV-SHENJA

Universalizimi i vlerave si konsensus shoqëror

EDITORIAL
Shkruan: Latif Mustafa

Debati për funksionin e gjërave, pra për funksionin si atribut plotësues të objektit që shënjohet përmes domethënieve, kuptimeve dhe ideve, tërheq një debat për vetë thelbin e nocionit të funksionit dhe objektit që i atribuohet funksioni. Analiza ose ndarja në kategori hulumtuese më vete e gjërave dhe funksioneve të tyre krijon teori më vete, kurse sintetizimi kolokuial, me gjithë ngrehinën teorike të objektit dhe funksionit si nocion dhe kategori më vete, krijon teorinë e teorisë apo meta-teorinë.

Funksioni, në kuptimin më të gjerë të fjalës, ndërlidhet me qëllimin ose përfundimin e realizimit. Thjesht, me funksion nënkuptojmë mundësinë e aplikimit praktik të një objekti apo gjëje. Megjithatë, etimologjia e saj buron nga folja functu/fungor, që do të thotë ekzekutim, zbrazje dhe përfshirje. Përfshirje në kuptimin e komplementar dhe të ndërvarur e të shtresuar mbi kuptimin e rafinuar metafizik të objektit. Por, ja që, jo rrallëherë, pyetjet për funksionin shpesh transformojë dhe shpijnë në ndryshimin e kuptimit të vetë objektit, me një fjalë nga atributi kategorik, funksioni si pjesë komplementare e objektit, e ndryshon edhe kuptimin e objektit, edhe pse domethënia mbetet statike dhe shpesh sfidon relativitetin koniuktural.

Ngjashëm siç pyetet për funksionin e çdo gjëje, pyetet edhe për funksionin e fesë. Kjo pyetje shoqërohet edhe me pyetje të tjera, që kanë të bëjnë me kufijtë, vëllimin dhe specifikat e fesë, gjegjësisht me kuptimin mbi “Zotin” dhe botën e padukshme ose botën që është vështirë e perceptueshme. Varësisht nga këto përcaktime, në formë linearike debatohet edhe për fetarinë ose manifestimin praktik të fesë dhe funksionin shoqëror. Përfshirja e debatit për funksionin shoqëror karakterizohet me binomin konceptual të shtrirjes së fetarisë dhe kufirit perceptues midis publikes dhe privates, si nocione relativisht të diskutueshme në vete. Pyetje si këto dhe të ngjashme diskutohen nga fusha të ndryshme të shkencave sociale, por që të gjitha burojnë nga një mendësi ose botëkuptim i theksuar ontologjik që njihet si shekullarizëm.

Shekullarizmi është definuar nga shkenca të ndryshme. Për më tepër, shekullarizmi në thelbin e tij paradigmatik ngërthen ndërmarrjen e ndryshimit të botëkuptimit ontologjik të “Zotit” dhe shmangies së perceptimit të tij. Shekullarizmi është një përpjekje teorike, fillimisht, por edhe politike e shkencore, që ta shndërrojë konceptin transcendent të “Zotit” në një koncept imanent. Transcendenca, si botëkuptim, e ngërthen edhe dimensionin fizik dhe hapësinor, ku përfshihet lartësia dhe tejqenësimi i “Zotit” dhe ashtu krijohet rendi kozmik dhe universal në subordinimin shtresor dhe palë-palë në zbritje drejt tokës. Transcendenca e “Zotit” shpesh interpretohet si besim naiv në antropomorfizmin e tij, e deri në amorfen kategorike që konceptohet përmes atributeve. Shekullarizmi është një përpjekje për ta zbritur “Zotin” në tokë, të shkrirë, të shtrirë dhe të kudogjendshëm e i barabartë me të gjitha qeniet njerëzore, reflektimi i të cilit është pjesë e vullnetit njerëzor dhe kuantum fizik në kuptimin material. Një zot i tillë humanizohet dhe, si i tillë, pra si qenie më vete, “nuk ekziston” më. Nuancat e kuptimit të tij shndërrohen në ndërgjegje njerëzore. Shekullarizmi është një përpjekje për ta harruar ekzistimin e dikurshëm të “Zotit” transcendent.

Nuk reshtin përpjekjet për racionalizimin e imanentizmit apo përfshirjes, përhumbjes dhe nënrenditjes, së “Zotit” prapa mozaikut të imazheve tokësore. Rrjedhimisht, imanentizmi imponohet si ide politike dhe promovohet fuqishëm si kompromis dhe konsensus në formësimin e hapësirës publike, si i tillë edhe shekullarizmi, pra konsensusi politik për harresën e transcendencës dhe mohimin e saj si kategori filozofike, e aq më tepër si produkt teorik dhe ontologji.

Pyetja mbi funksionin e fesë me siguri se na shpie drejt një debati të pafund të koncepteve më themelore, madje edhe duke rrëshqitur edhe drejt shpërfytyrimeve konceptuale e duke e harruar fillesën e problemit dhe metodologjinë ciklike të diskutimit. Realisht, pyetja më e saktë do të ishte se çfarë funksioni do t’i njihnim fesë në shoqëri? Kuptimi, roli dhe funksioni i fesë në shoqëri, aq më tepër i angazhimit të një shoqërie që beson në “Zot”, është krijimi i një tipologjie të veçantë fetarie, që do të insistonte në një komunikimi aktiv brendashoqëror, jo formën e një debati të pafund përpjekjeje për pajtimin e kuptimit transcendent dhe atij imanent të “Zotit”, por për mundësinë e konsensusit të universalizimit të vlerave që dalin nga këto botëkuptime, si dhe arritjen e shndërrimit të tyre në një normë shoqërore, që kërkon etikën dhe përgjegjësinë e realizimit të tyre. Vetëm zgjerimi i diskursit konceptual, përmes përgjegjësisë dhe angazhimit intelektual, do të mundësonte realizimin e një objektivi të tillë shoqëror, duke e përplotësuar kështu edhe kuptimin teorik të funksionit dhe mundësinë e aplikimit praktik të fesë. Në të kundërtën, prirjet për tendencat shteruese të afirmimit të një shekullarizmi arbitrar dhe vetëreferencial, në saje të vetë-magjepsjes nga simfonia konceptuale e saj, si dhe – në anën tjetër – insistimet në qëndrimet dogmatike të fetarëve dhe legjitimitetin e pakontestueshëm të tyre metafizik, e ngulfat komunikimin dhe shton predispozitat e totalitarizmit me efekte të pa prejudikuara politike dhe shoqërore.