` . UNITETI edhe zyrtarisht përkrah protestat – TV SHENJA

UNITETI edhe zyrtarisht përkrah protestat

Partia UNITETI i mbështet protestat e sektorit civil dhe partive opozitare. Kështu deklaroi në konferencë për mediat kryetari i kësaj partie, Gëzim Ostreni, i cili nënvizon se ky proces nuk është ndërnacional mes shqiptarëve dhe maqedonasve, por është kundër VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së, partivenë pushtet të cilat, sipas tij, pandehen se kanë vjedhur vota dhe të korruptuara.

“Kërkesa për tërheqjen e vendimit të kryetarit të shtetit për faljen që bëri, insistimi për prononcim  të Gjykatës Kushtetuese për kushtetutshmërinë e Prokurorisë Speciale, kërkesa për formimin e departamentit special të Gjykatës për vepra kriminale, kërkesa për tërheqjen e vendimit për zgjedhje parlamentare më 5 qeshor dhe formimi i Qeverisë teknike-kalimtare nuk janë kërkesa kombëtare por qytetare”, tha kryetari i UNITETI-t, Gëzim Ostreni.

Ai mendon se nëse shqiptarët nuk e japin kontributin tani kur është mëse e nevojshme,  atëherë e dobësojnë të drejtën për t’u bërë pjesë e ndërtimit të demokracisë, për të cilën më së shumti kanë nevojë.

“UNITETI beson se mbështetja dhe pjesëmarrja e organizuar e kërkesave të shprehura nga shoqëria civile dhe realizimi i tyre, do ta bëjnë të mundur edhe realizimin e kërkesave të parashtruara nga uniteti në formë të iniciativës qytetare për ndryshime në Kushtetutë dhe ligje për demokratizimin e mëtutjeshëm të RM-së, për të drejtat themelore të shqiptarëve, për barazi të plotë të bashkësive etnike dhe qytetarëve në vend”, theksoi Ostreni.

Ostreni u dërgoi porosi shteteve fqinje duke u thënë se ata duhet ta kuptojnë që, maqedonasit nuk rrezikohen nga shqiptarët, por se qytetarët e Maqedonisë janë të gjithë të rrezikuar nga shteti, pa dallim përkatesie etnike të tyre.

Mefail Ismaili /SHENJA/


UNITETI edhe zyrtarisht përkrah protestat by tvshenjaofficial

Postime të Ngjajshme