` . Unioni Afrikan kërkon më shumë investime në kontinent - TV-SHENJA

Unioni Afrikan kërkon më shumë investime në kontinent

Kryetari i Komisionit të Unionit Afrikan (AU), Moussa Faki Mahamat, u bëri thirrje ekonomive të mëdha në botë që të punojnë më shumë për të promovuar investimet private në kontinentin afrikan, raporton AA.

Duke folur në konferencën Kompakt me Afrikën në Berlin, Mahamat theksoi se reformat e fundit ekonomike dhe politike nga vendet afrikane kanë rritur investimet e huaja, por se ato investime janë shumë poshtë nën vlerësimet.

“Këto investime nuk i kanë përmbushur plotësisht pritjet tona… as nuk janë një përdorim i plotë i potencialit që ka ky kontinent”, tha Mahamat.

Mahamat propozoi që më shumë vende afrikane të përfshihen në iniciativën e Kompaktit me Afrikën të udhëhequr nga Gjermania.

“Ne po flasim për 12 ose 15 vende në Afrikë, kjo nuk është e mjaftueshme. Ne duhet ta zgjerojmë grupin”, tha ai.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, riafirmoi mbështetjen e Berlinit për përpjekjet e reformave dhe iniciativave për të promovuar investimet në vendet afrikane.

Ajo po ashtu shprehu gatishmërinë për të hapur Kompaktin me Afrikën për vendet tjera afrikane.

“Nëse ka vende afrikane që dëshirojnë të bashkohen dhe janë të gatshëm ta bëjnë këtë në bazë të kushteve që kemi përcaktuar, ne do të jemi të hapur”, tha Merkel.

Gjermania inicioi programin në vitin 2017 për të promovuar reformat, investimet private dhe zhvillimin e infrastrukturës në vendet afrikane.

Benini, Bregu i Fildishtë, Egjipti, Etiopia, Gana, Guinea, Maroku, Ruanda, Senegali, Afrika e Jugut, Togoja dhe Tunizia i janë bashkuar iniciativës deri më tani.