` . UNHCR: Evropa është në prag të krizës së vetëshkaktuar humanitare - TV-SHENJA

UNHCR: Evropa është në prag të krizës së vetëshkaktuar humanitare

Akumulimi i refugjatëve që janë bllokuar në kufirin grek me Maqedoninë dhe shtrëngimi i kontrolleve kufitare në Evropë çon në krizë humanitare, paralajmëroi Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), raporton Anadolu Agency (AA).

“Evropa është në prag të krizës së vetëshkaktuar humanitare”, tha zëdhënësi i UNHCR Adrian Edwards në Gjenevë.

Ai shtoi se akumulimi i shpejtë i refugjatëve në Greqi, bashkëpunimi jo i mirë ndërmjet vendeve, pavarësisht marrëveshjeve të arritura në shumë fusha dhe kontrollet e shtuara në kufitë e tyre çon në krizë humanitare.

Ai tha se mospërputhja në punën “shkakton vuajtje të panevojshme” dhe rrezikon shkelje të së drejtës evropiane dhe ndërkombëtare.

UNHCR-ja ka bërë vlerësimin se mbrëmë në Greqi 22 mijë persona kishin nevojë për strehim.

Koordinatori rajonal i UNHCR-së, Vincent Cochetel tha se më shumë se 122 mijë njerëz kanë mbërritur në Greqi në dy muajt e fundit, duke kujtuar se në gjysmën e parë të vitit 2015, ky numër ishte 120 mijë.

“Kjo tregon fluksin e lëvizjes në drejtim të Greqisë në këtë fazë. Greqia ka nevojë për një valvulë sigurie. Koha është që Evropa të zgjohet. Ne do të kemi ose zhvendosjen masive nga Greqia ose reprizën e asaj që pamë vitin e kaluar, shumë kaos dhe konfuzion”, tha Cochetel.

UNHCR-ja u bëri thirrje të gjitha vendeve anëtare të BE-së për të forcuar kapacitetin e regjistrimit dhe të përpunimit të azilkërkuesve përmes procedurave kombëtare, si dhe përmes skemës evropiane për zhvendosjen e tyre.

Numri i refugjatëve “të bllokuar” në kufirin greko-maqedonas në Idomeni është në rritje, pasi disa vende të rrugës ballkanike kanë njoftuar limitimin e hyrjeve duke reaguar veprimet e mëparshme të Austrisë.

Evropa po përballet me krizën më të madhe të refugjatëve që nga Lufta e Dytë Botërore.

Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM) tha se në Evropë në vitin 2015, përmes rrugëve tokësore dhe detare kanë arritur 1 milion e 5 mijë e 504 refugjatë, ndërsa që nga fillimi i vitit 2016 deri më tani në tokën evropiane kanë shkelur mbi 120 mijë refugjatë.

Postime të Ngjajshme