` . Unë, “Ne” dhe Historia – TV-SHENJA

Unë, “Ne” dhe Historia

Shkruan: Latif MUSTAFA

Tri metodologjitë më prevalente të nënqiellit tonë të historiografisë janë: botëkuptimi etatist, etnocentrik dhe ideologjik i historisë. Jo rrallë herë këto tri metodologji konvergjojnë në historiografi, duke krijuar një lloj premiskuiteti narrativ, me ç’rast edhe shmangen ose entropizojnë, duke nxjerrë një produkt të çuditshëm metodologjik dhe, si të tillë, shpesh edhe jo-shkencor të historisë.

Botëkuptimi etatist i narracionit ose rrjedhës narrative, kryesisht, bazohet në shtrirjen teorike, përmes së cilës projektohet identiteti i shtetit, me një fjalë të gjitha ujërat rrjedhin në drejtim të oqeanit-shtet, si struktura dhe mendësia më e lartë politike. Thelbi tipologjik i këtij narracioni është “heroi” ose “heronjtë” që sakrifikuan për gjeneratat e ardhshme dhe pothuajse gjithçka sillet rreth heroit të kauzës. Një karakteristikë tjetër e kësaj tipologjie është dikotomia tradhtar-patriot në raport me “kauzën” që është ndjekur. Të gjithë ata që kanë besuar në një projekt tjetër politik, krahas shtetit prezent, janë shpallur tradhtarë dhe persekutuar dhe historiografia i përshkruan gjithmonë si të tillë. Shembulli më tipik i këtij narracioni është historiografia jugosllave në raport me ballistët shqiptarë, të cilët me plotë të drejtë kanë besuar në një projekt tjetër politik dhe, si të tillë, jo vetëm që janë përndjekur e persekutuar, por edhe janë stereotipizuar përmes projektimit historiografik në emër të narracionit për Jugosllavinë, si projekt më i lartë politik.

Botëkuptimi etnocentrik është rrjedha narrative, e cila ka të bëjë me projektimin e së kaluarës, varësisht nga koniunktura politike kombëtare, ku në thelb të kësaj tipologjie qëndron etnia, e cila jodomosdoshmërish ndërlidhet me kufijtë fizikë të ndonjë shteti, aq më tepër kur dy shekujt e fundit kufijtë e shteteve kombëtare kanë qenë fluide. Një tipologji e tillë historie, në metodologji, edhe nuk dallon shumë, por që heronjtë-tradhtarët, miqtë-armiqtë projektohen jo aq shumë nga koniunktura politike ose rrethanat e caktuara. Projektuesit e një narracioni të tillë historik bazohen mbi të “vërtetën historike” dhe trajektoren drejt ardhmërisë hegjemone mee tone mimikrie të emancipimit dhe qytetërimit. Ky lloj historiografie vendos në qendër etninë ose popullin e caktuar dhe, normalisht, përballë tij qëndron po ashtu një armik historik me aleatët e saj. Një shembull i tillë i shkrimit të historisë është karakteristikë e historiografisë serbe, ku populli serb në histori krijon mbretërinë e Nemanjitëve, Mbretërinë e SKS-së, Jugosllavinë dhe, krejt në fund, shtetin modern etnik.

Tipi i tretë i historiografisë është narracioni, i cili ndërtohet mbi “kolektivin” si produkt ideologjik. Ky kolektiv, në bazë të narracionit”, ngaqë është produkt ideologjik i komunizmit, i “zhduk” klasat shoqërore dhe, si kolektiv, nënrenditet në klasat e shtypura të skenës botërore. Në aspektin psikologjik, kjo lloj tipologjie, ngjashëm si të tjerat, por me një theks të shtuar, krijon projeksionin e “vetes” dhe “tjetrit”, si dy subjekte në një marrëdhënie dinamike reflektimi. Të gjitha etapat e zhvillimit njerëzor projektohen dhe interpretohen përmes thjerrëzave rigide dhe teorisë vulgare të ideologjisë. Thelbi i kësaj tipologjie është “kauza”, rreth së cilës qëndrojnë “heronjtë” dhe, kundruall saj, qëndrojnë “tradhtarët”. Kauza, përpos që konsiderohet një shpikje gjeniale dhe i shërben kolektivit në sendërtimin e saj historik, ajo vazhdon të jetë paradigma e pushtetit ose superstrukturës që e projekton këtë lloj historiografie. Shembulli i tillë i kësaj tipologjie është historiografia enveriste, e cila varësisht nga koniunktura, i interpreton dhe “persekuton” figurat historike. Tri dekada, deri më tani, nga rrëzimi i këtij sistemi, Shqipëria dhe shqiptarët në përgjithësi vazhdojnë ta ndjejnë nevojën e një zëvendësimi ideologjik të interpretimit të historisë dhe jo shkencorizimit të saj.

Historia e rajonit, në përgjithësi, përpos që çalon në mungesën e metrologjisë dhe interpretimit shkencor të saj, ajo “vuan” nga mbitheksimi i dimensionit politik të saj. Pak mund të gjejmë nga historia kulturore, ekonomike ose historia e zhvillimit shkencor. Botëkuptimi i historisë dhe historiografisë sonë “vuan” nga holizimi dhe konceptet imagjinare, që shpesh janë të pakuptimta. Një fushë e paprekur është “mikrohistoria”, nëndisiplinë kjo e cila u kushton rëndësi individëve, familjeve dhe komuniteteve të vogla shoqërore, që shtrihen në hapësira të vogla gjeografike. “Subaltern studies”, historia nga poshtë ose në margjina, janë studime po ashtu që i mungojnë historiografisë sonë. Çlirimi i historiografisë nga “mainstream”-at etatist, etnocentikë dhe ideologjikë dhe dekolonizimi i saj nga nocionet holiste, është një mundësi për çlirimin e shpirtrave të nënqiellit tonë.