` . Umit Karan: Të bashkuar ia dolëm ta ngritim FC Shkupin – TV-SHENJA

Umit Karan: Të bashkuar ia dolëm ta ngritim FC Shkupin

FC Shkupi ishte skuadra që e nisi në mënyrën më të keqe këtë sezon në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë, ndërsa në fund të gjysmësezonit vjeshtor arriti të ngritet dhe ta mbyll në vendin e 5-të në tabelë me 23 pikë të tubuara, vetëm 3 më pak se vendi i katërt që zotërohet nga Rabotniçki. Rrugëtimin dhe sfidat e vështira të FC Shkupit në kampanjën e re i sqaron trajneri turk Umit Karan në një intervistë të dhënë për kanalin e klubit “bardhekaltërt” pas përfundimit të gjysmësezonit vjeshtor.

Umit Karan, trajner i FC Shkupit
“Në fillim kur erdha këtu punët ishte tepër të përziera, ekipi ishte në krizë, nuk kishte lojë, nuk kishte shoqëri në ekip. Në fillim arritëm të bëjmë një shoqëri të mirë, pastaj motivuam mirë ekipin dhe normalisht rritëm intensitetin e stërvitjeve. Ekipi punoi mirë dhe gjitha punët u realizuan mirë. Ne nuk kemi numër të madh të futbollistëve, por kemi shumë futbollist të ri të cilëve ua besuam fanellën. Tash jemi në një pozitë të mirë, aspak nuk ishte e lehtë ta ngritim ekipin nga ajo situatë e rëndë, por të bashkuar me përkrahjen e tifozëve ia dolëm. Shpresoj që me disa përforcime në gjysmë sezonin tjetër, do të jemi ekip edhe më i mirë”. 

Strategu turk premton se në pranverë do të ketë një Shkup më ndryshe, pasi gjatë kësaj periudhe të pushimeve do të punojnë edhe për transferime të reja.

Umit Karan, trajner i FC Shkupit
“Pushimi këtu është shumë i gjatë, tani futbollistët do jenë në pushim një mujor, gjatë kësaj periudhe ne do të punojmë për transferime të reja, përgatitjet do të fillojnë në janar. Fillimisht do të ushtrojmë në Shkup dhe pastaj do të vazhdojmë në Antalia, ku mendoj se me përgatitje të mira në sezonin tjetër do të kemi një Shkup të mrekullueshëm”.

Nga tabori i skuadrës nga Çairi për momentin është larguar vetëm Bazhe Ilijoski, ndërsa afrimet dhe ndryshimet tjera pritet të bëhen gjatë periudhës në vijim. Aziz Sahiti /SHENJA/