` . BE, ulet me 2,6 për qind kërkesa për automjete në periudhën janar-prill - TV-SHENJA

BE, ulet me 2,6 për qind kërkesa për automjete në periudhën janar-prill

Kërkesa për automjete pasagjerësh në Bashkimin Evropian (BE) është ulur me 2,6 për qind në periudhën janar-prill të këtij viti, bën të ditur Shoqata Evropiane e Prodhuesve të Automobilave (ACEA), raporton Anadolu Agency (AA).

Shoqata në fjalë thotë se regjistrimet e automjeteve të reja pasagjerësh përgjatë bllokut 28 anëtarësh, kap shifrat prej rreth 5.3 milionë në katër muajt e parë të vitit 2019.

“Tregjet gjermane dhe franceze mbetën pothuajse të pandryshuara katër muajt e parë të vitit”, tha ACEA.

“Ndërkohë regjistrimet në Itali kanë rënë me 4,6%, Spanjë 4,5% dhe Britani 2,7% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2018”, thuhet më tej.

Me prodhimin e markave Volkswagen, Audi, Skoda, Seat dhe Porsche, grupacioni VW mban 24 për qind të tregut, me 1.28 milionë automjete të prodhuara.

Grupacioni PSA, i cili ngërthen markat e njohura Peugeot, Citroen dhe Opel, si dhe grupacioni Renault nxënë 16,8 dhe 10,4 për qind të tregut.

Vitin e kaluar, në BE u regjistruan mbi 15 milionë automjete të reja pasagjerësh.

BE është tregu kryesor për eksportin e automobilave nga Turqia, ku veprojnë prodhuesit më të mëdhenj ndërkombëtarë, përfshirë Ford, Honda, Hyundai, Mercedes, Renault dhe Toyota.

Eksportet automobilistike të Turqisë në vendet evropiane arritën mbi 25 miliardë dollarë ose 79,5 për qind të totalit të eksporteve automobilistike në vitin 2018.