` . “Uh, Evropë, ti ...” - TV-SHENJA

“Uh, Evropë, ti …”

Shkruan: Latif MUSTAFA

Një titull si ky, mbase, mund të jetë një frazeologji thelbësore për kritikën e politikës ditore, por meqë atë e ngarkojnë mëkate dhe gjëra të tjera bizare, debati për Europën si qëllim dhe identitet qytetërimor ka ngelur nën pluhurin kalkulimit politik si mbijetesë shtazore. Kakofonia e çirrjeve se “Europa nuk na do neve” po ashtu ka shurdhuar edhe zërat më kritikë dhe të arsyeshëm sa i përket raportit dhe komplementaritetit të një filozofie politike, një ideje politike dhe ambicieve të pashtershme dhe shekullore për ta bërë këtë gjeografi, përfundimisht, pjesë të qytetërimit perëndimor.

Mbase shtetet e Bashkimit Europian tashmë janë vetëdijesuar, politika e zgjerimit, kryesisht ndaj shteteve të Europës Juglindore, është mekanizmi më efikas për ta mbrojtur qytetërimin dhe për ta rikonfirmuar, tashmë për të satën herë, se Europa nuk guxon të futet në një garë të madhe globale me fuqitë e mëdha, por ka vendosur që ta krijojë politikën e mureve për t’u mbrojtur nga rreziqet e aleancave të ndryshme ekonomike dhe qytetërimore. Një gjë e tillë, përpos që nga aspekti pragmatik është legjitime dhe pa asnjë apelim mbi baza etike ose njerëzore, në anën tjetër, Europa dërgon mesazhin e vetëmjaftueshmërisë së saj me historinë, progresin dhe rrethin vicioz që ka krijuar brenda qytetërimit të saj. Në këtë kontekst, zgjerimi i kufijve të saj do të bëhet me një përpikëri të lartë të kamufluar me koncepte dhe nocione të tjera të shkencës së marrëdhënieve ndërkombëtare dhe ekonomike. A mund t’i kushtojë një gjë e tillë Europës? Ndoshta po, ndoshta jo. Meqë ata janë shumë më të përparuar në shkencë dhe në parashikimin e skenarëve të së ardhmes, tashmë qysh moti do duhej t’i kenë bërë analizat e veta rreth pozicionit të tyre në historinë e së ardhmes.

Çirrjet dhe britmat histerike se neve nuk dashka Europa janë po ato zëra të mekur, që tashmë disa dekada përpiqen ta legjitimojnë këtë deduksion pa asnjë dimension aksiologjik dhe politik, por si një histeri se Europa paskësh qenë gjithmonë kundër nesh dhe se ndërmarrja e fundit e presidentit Macron e dëshmoi një gjë të tillë. Europa, BE-ja dhe NATO vazhdojnë të jenë linja e demaskimit etik, politik dhe historik. Në vend të koncepteve, ato janë shndërruar në slogane, që akoma vazhdojnë t’i ndajnë patriotët dhe tradhtarët, lindorët dhe perëndimorët, të mirët dhe të këqijtë. Akoma më keq, sloganizimi vazhdon të jetë forma më e stërkequr, por e vetmja për të mbuluar dhe hedhur hije mbi dyshimin edhe më të vogël, në rast se ky shtet do të bëhet ose jo dhe për të arsyetuar çdo krim njerëzor, ekonomik dhe politik. BE-ja është lavatriçja virtuale e kravatave të ndotura.

Ne, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, më tepër u dëshpëruam për qasjen e pandryshueshme të Europës ndaj neve si komb, përkundër gjithë këtij oportunizmi kulturor dhe politik, madje më tepër se sa të brengosemi për shtresën dhe përfaqësimin tonë injorant politik. Dëshpërimi dhe zhgënjimi janë rezultat më tepër i një krenarie të shtypur të skllavit për “lashtësinë” tonë europiane dhe kokëfortësinë, mbase edhe shpërfilljen e kontinentit, për borxhin që ka ndaj këtij kombi. Shqiptarët nuk hezituan të shkruanin e të ulurisnin me vargjet e Gjergj Fishtës “Uh! Evropë, ti kurva e motit!  Që i re  mohit, besës së Zotit!”, por që këto thirrje momentale histerike kurrë nuk janë marrë seriozisht.

Le të përpiqemi që ta kthejmë piramidën përmbys dhe ta lexojmë situatën ndryshe nga ordinerja. Çirremi me slogane absurde se për shqiptarët “dielli lind në Perëndim”, e në anën tjetër dridhemi nga dosjet nëpër gjykata; E duam Europën, ndërsa votojmë politikanë të korruptuar që në parim janë kundër Europës, llogaridhënies dhe parimeve universale njerëzore. Punojmë në Europë, e hamë bukën e saj, po nuk ndalemi me sharje e fyerje ndaj moralit të saj. Ia duam paratë, por jo çehren. Dhe, kur na refuzojnë, u themi “Uh! Evropë, ti kurva e motit!” Pyetja apo hamendësimi që kërkon përgjigje është ky që pas gjithë këtij oportunizmi të shtirur dhe të mekur, krejt thellë në zemër tonë kolektive, nëse kemi një të tillë, a mos NE jemi gjë eurofobë? Nëse jemi të tillë, çka nëse këtë gjë e di edhe Europa?