` . UEFA zbulon planet për VAR-in në Ligën e Kampionëve – TV-SHENJA

UEFA zbulon planet për VAR-in në Ligën e Kampionëve

Federata e Futbollit Evropian (UEFA), në bazë të pretendimeve të një numri të mediave evropiane, thuhet se është duke shqyrtuar përdorimin e video-asistentit (VAR) në Ligën e Kampionëve, me gjasë në fazën e dytë të kompetecionit, transmeton AA.

Në shtator të këtij viti, Bordi Ekzekutiv i UEFA-s njoftoi se VAR do të përdoret nga sezoni 2019/20. Megjithatë, mediat thonë se UEFA për disa javë ka shqyrtuar mundësinë e aplikimit të tij.

Frika për gabimet e mëdha, të cilat ndikojnë direkt në rezultatet, me njohuritë se VAR me sukses është përdorur në Botërorin e fundit, ka çuar deri aty sa njerëzit kyç të futbollit evropian të rishqyrtojnë vendimin e tyre.

Penaltia e gjykuar mbrëmë në ndeshjen e Ligës së Kampionëve për Manchester City-n në një duel kundër Shakhtar pasi Raheem Sterling u pengua vet, paraqet rastin më të fundit që ka rritur kritikat ndaj udhëheqjes së UEFA-s lidhur me dështimin për përdorimin e sistemit VAR nga ky sezon.

Trajnime dhe seminare për referët po mbahen në të gjithë Evropën ndërsa konsiderohet se tashmë janë trajnuar mjaftueshëm arbitra për përdorimin e suksesshëm të sistemit VAR në të gjitha kompeticionet e UEFA-s, jo vetëm në Ligën e Kampionëve.

Vendimi mund të merret në fillim të dhjetorit kur është caktuar seanca e ardhshme e Bordit Ekzekutiv të UEFA-s.