` . Udhëkryqi shqiptar, çiban europian - TV-SHENJA

Udhëkryqi shqiptar, çiban europian

Shkruan: Abdi BALETA, Tiranë

Mendoj se redaksia e “Shenja” për numrin e njëqindtë jubilar nuk mund të gjente temë më aktuale se “Udhëkryqi i përgjithshëm shqiptar” për t’u trajtuar si për shkak të profilit të revistës dhe të traditës që ka krijuar, ashtu dhe për shkak të zhvillimeve të ndërlikuara e të tensionura me gjithfarë ngarkesash rreth çështjeve shqiptare brenda e jashtë shoqërive shqiptare. Rreth aspekteve të ndryshme të kësaj teme kam qenë i angazhuar disa herë të shkruaja gjatë 7 viteve të bashkëpunimit të pandërprerë. Këto ditë mendoja të kërkoja nga redaksia mirëkuptim për të bërë një pushim në këtë sezon të nxehtë klimatik, por sapo u njoha me temën e sugjeruar nga redaksia, ndërrova mendje dhe po përpiqem të parashtroj për lexuesit edhe një herë mendimet e mia rreth çështjeve që, me shumë të drejtë, redaksia i përcakton si më shqetësueset për shqiptarët në këto çaste: 1) Amullia politike që mbisundon në Shqipëri; 2) Kosova e ngujuar para procesit ndërkombëtar të bisedimeve me Serbinë; 3) Shqiptarët e Maqedonisë Veriore në kllapinë e rëndë politike të iluzioneve të ushqyera nga premtimet e parajsës europiane, që po i pritka krahëhapur; dhe 4) Gara e armatosjes ku po përfshihen fqinjët sllavë e grekë të shqiptarëve dhe shqiptarët krejt të pavetëmbrojtur ushtarakisht përballë tyre. Nuk duhen lënë jashtë vëmendjes edhe shqetësime të tjera, si intensifikimi i ndërhyrjeve e sherreve të diplomacive ndërkombëtare në hapësirat ku janë shqiptarët në Ballkan ose dëmet që po ua sjellin shqiptarëve arbitraritetet e udhëheqësive të tyre politike në dy fushat kryesore të jetës kombëtare: nacionalizmit dhe etatizmit.

*          *          *

Rrjedhën e mendimeve dëshiroj ta nis duke kujtuar, për lehtësinë e lexuesit, se për zhvillime të tilla jam shprehur edhe më herët. Në “Shenja” të muajit korrik 2014 kam shkruar: “Në mendje kam bluar gjithnjë idenë për një trajtesë mbi tre udhëkryqe të çështjes kombëtare shqiptare si: rreziqet ndaj identitetit kombëtar shqiptar, rreziqet ndaj bashkimit kombëtar shqiptar që është zgjidhja e plotë e çështjes dhe pengesat ndaj nacionalizmit shqiptar, që është rruga më e sigurt politike drejt zgjidhjes”. Po në këtë shkrim lexuesi mund të rigjejë dhe fjalët në të cilat unë besoj sot edhe më shumë se atëherë: “Gjithnjë e kam radhitur veten midis skeptikëve të paktë shqiptarë për sa u përket mrekullive të imagjinuara dhe premtimeve të fryra iluzive lidhur me përfitimet e shpejta që do të kishin shqiptarët nga kalimi i etapave burokratike të procesit të integrimit në Europë”. Mendoj se tani kushtet e parametrat që vihen për zgjidhjet që kanë pritur shqiptarët janë rënduar e përkeqësuar, pra nuk janë lehtësuar. Tani shqiptarët janë vërtet në një udhëkryq të përgjithshëm politik, moral, ekonomik, shpirtëror, kombëtar e shtetëror dhe askush nga drejtuesit e tyre nuk ka ide të qarta se nga duhet t’ia mbajnë. Këtë të keqe e dallojnë shumë shqiptarë. Atë, madje, po e vënë në dukje më troç edhe ekspertë politikë e diplomatikë të huaj, që merren prej shumë kohësh me çështjet shqiptare. Xheims Huper, drejtor ekzekutiv i Këshillit të Veprimit për Ballkanin, i paralajmëronte shqiptarët (“Panorama” 23.08.2018) të kenë kujdes se “SHBA nuk është më ajo e dikurshmja dhe Kosova po ecën në rrugë me gropa”. Sugjerimi i tij ishte të arrihet marrëveshje me Serbinë. Në “MAPO” të datës 3 korrik 2019 është botuar shkrimi alarmant i Deivid Filipsit “Demokracia në Shqipëri po vdes”. Më parë se ai, eksperti Janush Bugajski lëshonte një alarm edhe më frikësues “Shqipëria në prag të katastrofës” (“Dita” 8. 6 2019). Po ky ekspert në “Dita”, të datës 06.07.2019 e trajtonte çështjen se “Çfarë do ta presë Shqipërinë”, ku paraqiste alternativën e zymtë: “politikanët do ta zgjedhin modelin e Moldavisë dhe të Venezuelës apo të Somalisë dhe të Jemenit”, që duhet kuptuar si “kaos i kontrolluar ose kaos kaotik i dhunshëm”.

Pra, po na kujtojnë më fort se kurrë se Shqipërinë, Kosovën, shqiptarët në përgjithësi, bota po i rendit në kategorinë e kombit e shteteve dështakë e ngatërrestarë për diplomacinë europiane dhe amerikane. Diplomati i lartë amerikan Riker e ka thënë hapur “nuk jemi krenarë me shqiptarët”. Edhe më goditëse për politikat shqiptare është intervista e dhënë në “Zëri i Amerikës” nga Xheims Huperi (botuar në “Gazeta Shqiptare” më 14 korrik 2019), që përfaqëson praktikisht platformën e politikës amerikane ndaj shqiptarëve dhe për problemet në Ballkanin Perëndimor në këto momente. Në këtë intervistë ka mjaft përcaktime shqetësuese për pozitën dhe interesat shqiptare si: “Thaçi dhe Vuçiqi janë dakord t’i ndryshojnë kufijtë… Merkeli dhe Haradinaj nuk i kuptojnë këto realitete… e vetmja mundësi është ajo e një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Nuk mendoj se ka një shans për një marrëveshje graduale ose të pjesshme”. Huperi ka mbajtur qëndrim shumë kritik ndaj diplomacisë së BE-së për ndërmjetësimin në bisedimet shqiptaro-serbe dhe e ka qortuar fort ashpër diplomacinë gjermane të Merkelit, që i mundësoi Haradinajt t’i bllokonte bisedimet për shkëmbim territoresh Kosovë-Serbi dhe t’i ruante tarifat e larta për mallrat serbe, që e pengojnë rifillimin e bisedimeve. Në këtë intervistë doli hapur mospajtimi dhe rivaliteti amerikano-gjerman në Ballkanin Perëndimor, që ishte kuptuar edhe nga shumë zhvillime të mëparshme. Intervista ishte paralajmërim se ditët e qëndrimit të Haradinajt në postin e tij të kryeministrit ishin të numëruara. Nuk vonoi shumë që atij t’i mbërrinte fletëthirrja nga Gjykata Speciale e Hagës dhe ai dha dorëheqje e u nis për atje për herë të dytë sipas së njëjtës procedurë që në vetvete përmban shumë cinizëm. Për të mos lënë vend për dyshim nëse këto zhvillime ishin të diktuara nga SHBA-ja, si një goditje për diplomacinë gjermane, shërben deklarata e një tjetër analisti të njohur, Daniel Server, se pas çështjes Haradinaj qëndron SHBA-ja (“Sot” 21. 7. 2019).

Bie në sy edhe thënia e Huperit se “zoti Vuçiq dhe zoti Thaçi kanë arritur shumë. Ata kanë kapërcyer barrierat e komunikimit mes Kosovës e Serbisë në nivelin zyrtar. Ata kanë kanale të veta të komunikimit”. Pra, tani hapet një pistë e re për të vlerësuar gjithçka ka ndodhur deri tani në marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe midis forcave politike e krerëve pushtetorë në Kosovë për këto marrëdhënie. Tani do të tërheq vëmendjen më shumë roli i mëtejshëm i SHBA-së për fatin e nismave gjermano-franceze dhe ndikimet që këto pastaj do të kenë mbi fatet e të drejtave e interesave shqiptare, mbi real-politikën shqiptare dhe mbi folklorin politik diplomatik shqiptar. Mbi të gjitha, me rëndësi do të jetë si do pasqyrohen këto në ristrukturimin e shtetshmërisë në Kosovë apo do t’i bëjnë krizën dhe udhëkryqin shqiptar më të rrëmujshme për shqiptarët dhe çibanin shqiptar më të dhimbshëm për Europën, e cila ende nuk e ka mbledhur mendjen se si duhet ta kurojë njëherë e mirë këtë çiban, por vetëm e shtrydh kohë pas kohe, sa për të lehtësuar dhimbjet që ai ia shkakton Europës. E panjohura e madhe tani është “po SHBA-ja a do të vendosë se çibani shqiptar duhet kuruar me ndërhyje të vendosur e në mënyrë radikale apo do ta ndjekë vijën e njohur europiane hiq e mos këput?”.

Mund të radhiten edhe të tjera deklarata në frymën e atyre që u prekën më sipër. Këto e zbehin shumë entuziazmin e rremë që përpiqej të ngjallte presidenti i Kosovës, Thaçi, para një viti në ceremonitë e dhjetëvjetorit të pavarësisë me fjalët: “asnjëherë më parë në histori shqiptarët nuk kanë pasur pozicion më të mirë politik”. Shqiptarëve vërtet asnjëherë në histori nuk u ishin krijuar kushte më të favorshme për çështjen e tyre se gjatë ndërhyrjes çlirimtare të NATO-s në Kosovë në vitin1999 dhe të shpalljes në Tiranë nga presidenti amerikan Bush i Riu më 10 qershor 2007 se Kosova do të bëhej shtet i pavarur i njohur ndërkombëtarisht, por politikat shqiptare i shpërdoruan turpshëm e pa përgjegjësi shanset e mëdha dhe sot çështja shqiptare është krejtësisht në udhëkryq e nuk dihet çfarë na pret më tutje. Tani duket qartë se të “keqen shqiptare” (për të cilën kam shkruar posaçërisht në dy raste në “Shenja”, në shkurt e mars të vitit 2013) është bërë edhe më e vështirë ta kurosh sot, në këtë çoroditje të madhe që ka përfshirë mendimin politik dhe politikat shqiptare dhe në rrethanat ndërkombëtare që janë ndërlikuar edhe më shumë në dëm të shqiptarëve.

Megjithatë, edhe në këtë zallamahi mendimesh e ngjarjesh nuk kanë munguar idetë “origjinale” se rrugëdalja për shqiptarët nga vorbulla politike ku kanë rënë nuk qenka punë aq e pamundur dhe e vështirë, por mjafton të shfrytëzohet përvoja politike e grumbulluar në Maqedoninë e Veriut nga shqiptarët nën udhëheqjen e Ali Ahmetit për t’i vënë në rrugë të mbarë zhvillimet edhe në Kosovë enë Shqipëri. Më 8 korrik 2019 në gazetën “Dita” u botua shkrimi “Në ‘kërkim’ të Ali Ahmetit”. Titulli ishte shumë ngacmues dhe përmbajtja krejt e befasishme. Opinionisti politik i “Ditës”, Bedri Islami, i njohur për rolin e tij në krye të Lëvizjes Popullore të Kosovës, pas emigrimit të tij nga Shqipëria në Gjermani në fillim të viteve 1990-të, ka paraqitur një letërkëmbim me një mikun e tij ku bëhet fjalë për figurën politike dhe rolin politik të rëndësishëm të Ali Ahmetit për shqiptarët në Maqedoni dhe për gjithë shqiptarët po ta ndjekin rrugën e tij. Ka shumë vlerësime ditirambike për Aliun si “lider i veçantë në rrugëtimin e tij politik”. Letërkëmbyesit bashkohen në vlerësimin se tani “Në Maqedoninë e Veriut ka më tepër qetësi, më shumë ecje drejt demokratizimit, megjithëse aty duhej të kishte më tepër probleme dhe miku ynë i përbashkët dhe drejtuesi më i lartë politik i shqiptarëve Ali Ahmeti luan rolin e tij të pazëvendësueshëm”. Bedri Islami ka dhënë mendimet e tij superlative pozitive për mikun e vet dhe ankohet që drejtuesit politikë të Kosovës që kanë dalë nga LPK-ja e UÇK-ja nuk kanë ecur në rrugën e Ahmetit, por janë kacafytur me njëri-tjetrin në luftën për pushtet e janë zhytur në korrupsion. Thelbin e qëllimit të kësaj korrespondence Bedri Islami e ka mbledhur në fjalitë: “Për fat të keq as në Kosovë as në Shqipëri nuk kemi një figurë rreth të cilit të shkohet me besim, pa drojtje dhe me bindjen se është rruga e duhur… pra mungon një figurë e ngjashme me atë të Ali Ahmetit… Ndaj edhe e kërkoj figurën e tij”. Morali i këtij rrëfimi është se edhe shqiptarët e Shqipërisë e të Kosovës “Mesinë politik” e paskan para derës së shtëpisë. Prandaj Bedriu “po kërkon Aliun”.

Këtu e keqja nuk është se dy ithtarë të Aliut e ngrenë në qiell rolin e këtij si një “Mesi politik” të gjithë shqiptarëve. E keqja është se hidhet ideja politike që modeli i zgjidhjes së problemeve të shqiptarëve tani është modeli i Maqedonisë së Veriut, që ende nuk ka kaluar as zjarrin e parë të provës. Synimi i këtij modeli është se shqiptarët duhet të ambientohen edhe më shumë se deri tani me copëtimin kombëtar, të heqin dorë nga pikësynimi e përpjekjet për bashkim kombëtar dhe të kënaqen me diçka më shumë në trajtimin politik e shoqëror atje ku i hodhi fati pasi i copëtoi. Ky letërkëmbim dhe vlerësimet rreth figurës e rolit politik të Ali Ahmetit e pozitës që kanë tani shqiptarët në Maqedoninë e Veriut duket se ka një ndikim frymëzues nga një mendim i Bugajskit: “Maqedonia e Veriut edhe pse ka dy parti të mëdha për shkak të rolit të rëndësishëm që partitë shqiptare marrin në koalicionet qeverisëse, parlamenti funksionon ndërsa qeveria është në gjendje të bëjë marrëveshje me fqinjët e saj” (“Dita” 08.07.2019). Bugajski këto rreshta i ka shkruar për të thënë sa keq është puna në Shqipëri që nuk ka parti ekuilibruese si në Maqedoni. Stërhollime të tilla publicistike janë njëfarë thirrje për një debat të gjerë në fushën e mendimit të veprimit politik dhe intelektual shqiptar. Nuk di nëse zotërinjtë e redaksisë së “Shenjës” e kanë pas lexuar apo jo shkrimin “Në kërkim të Ali Ahmetit” kur na kanë përcjellë vlerësimin e tyre “mbi kllapinë që paska zënë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut në pozitën e tyre të re”. Por, termi “Kllapi” të bën të mendohesh shumë, sidomos po të njihesh dhe me një varg poetik të Martin Camajt “Para sosjes çdo gja kalemendet në kllapi”. Për çfarë sosje duhet të mendojmë pas këtyre reflektimeve: do të vija “sosja e lumtur për gjithë shqiptarët”, siç paska ardhur për ata në Maqedoninë e Veriut apo edhe këta do të provojnë shijen e daljes nga “Kllapia” pas një trullosjeje. Unë nuk mendoj si Bedri Islami se problemet shqiptare marrin fund lehtë duke ndjekur modelin shqiptaro-maqedon të Ali Ahmetit edhe në Shqipëri e Kosovë. Mësimet e historisë nuk të lënë të besosh se mund të vijë kaq lehtë “Mesia politik”.

Sot e gjej me vend të theksoj edhe më fort se para pesë vitesh se në rrezik nuk është më vetëm identiteti kombëtar i shqiptarëve të ndarë në copa-copa dhe objekt praktikash asimiluese, por e kërcënuar është edhe vetë substanca biologjike kombëtare, indi i veçantë biologjik shqiptar. Pikërisht ditët e fundit shqiptarët janë bombarduar me lajme alarmante se për disa dekada popullsia e Shqipërisë do të ulet deri në 1.000.000, madje 500.000 frymë dhe shumica e këtyre do të jenë pensionistë të moshuar. Lajmet thonë se ky shqetësim qenka shprehur deri në mjediset e OKB-së. Atëherë, a bën të mendojmë edhe tash e mbrapa se shqiptarët ndodhen vetëm para një fatkeqësie të pashmangshme natyrore e shoqërore apo duhet të fillojmë të mendojmë edhe ndryshe, pa neglizhuar as teoritë konspiracioniste?! A duhet të shtrojmë edhe hipoteza se mos kemi të bëjmë me një synim njerëzor të menduar mirë për të ndryshuar fizionominë e relievin demografik e etnologjik të Ballkanit në dëm të elementit shqiptar?! Plane të tilla janë shpallur me kohë, sidomos nga shovinistë serbë e grekë. Gjenocidi e spastrimi etnik janë praktikuar me marrëveshje ndërkombëtare në Ballkan për homogjenizim etno-fetar të territoreve të caktuara si në fillim ashtu dhe në fund të shekullit XX, madje me miratimin e diplomacisë së fuqive të mëdha. Prova më rrëqethëse u bë në Bosnjë në fillim të viteve 1990-të. “Nëse nuk do të kishin ndërhyrë SHBA dhe NATO, serbët do ta kishin zgjidhur çështjen e Kosovës me anë të spastrimit etnik. Kosovarët do të ishin flakur në Shqipëri dhe forcërisht do të bashkoheshin me popullin e tyre. Kosova do të zotërohej dhe banohej vetëm nga serbë. Sado që të duket monstruoze të lihej regjimi i Milosheviqit të nxirrte përfitime nga krimet e tij, çdo gjë do të kishte marrë fund”. Me këtë alogjikë të mbrapshtë ka shkruar autori amerikan Deivid Fromkin në librin e tij “Kosovo Crossing. The Reality of American Intervention in the Balkans”, botuar në vitin 2002 (faqe 190). Pra, do të ndodhte dhe në Ballkan një katastrofë si ajo e palestinezëve në vitin 1948 në Lindjen e Mesme. Katastrofa palestineze u përgatit me propagandën se “Palestina ishte një tokë pa popull dhe çifutët një popull pa tokë” Kështu që duhen marrë me njëfarë serioziteti lajmet se Shqipëria brenda pak dekadash mund të bëhet praktikisht “tokë pa njerëz”, që për mundësitë e bukuritë e saj mund ta lakmojnë për vendosje kolektive “popullsi të zgjedhura” që kanë edhe mjete të bollshme për të imponuar projektet e tyre. Deri tani jemi në dijeni vetëm të një orvatjejë të tillë. Biografi i Uniston Çërçillit, studiuesi Martin Gilbet, ka shkruar në librin e tij “Çërçill and the Jews” (botim i vitit 2007 në Angli f. 154): “Çërçilli deshi t’i ndihmonte çifutët e Gjermanisë dhe të Austrisë, duke gjetur ndonjë vend tjetër ku t’i vendoste si refugjatë. Kur ishte për pushime në jug të Francës, në janar të vitit 1939, ai takoi një diplomat shqiptar, Çatin Saraçi, që rridhte nga një familje e rëndësishme katolike pronare tokash. Saraçi tregoi mirëkuptim për idenë që Shqipëria të pranonte refugjatë dhe pasi e kishte paraqitur çështjen në Tiranë, i shkroi Çërçillit: “Jam i autorizuar të hyj në bisedime”. Brenda muajit Musolini dërgoi trupat e tij ushtarake në Shqipëri, pavarësia e saj u rrënua dhe skema e shpëtimit të çifutëve mori fund”. Ndërkaq tani në Shqipëri janë vendosur, nën kujdestarinë e SHBA-së, disa mijëra refugjatë iranianë kundërshtarë të regjimit të sotëm në Iran dhe në kampet e tyre bëhen takime e veprimtari politiko-diplomatike me pjesëmarrje autoritetesh amerikane e ndërkombëtare. Nuk dihet sa mund të vazhdojë kjo gjendje, as çfarë zhvillimesh të tjera të ngjashme mundtë ndodhin, por është real shqetësimi që përmban titulli gazetaresk “Irani dhe SHBA: Shqipëria e vogël në mesin e një loje të madhe” (MAPO, 15.07.2019)

Udhëkryqi i sotëm i përgjithshëm shqiptar ka një histori të gjatë. Për ta paraqitur më qartë e më shkurt po sjell pjesë nga libri “Shqipëria një enigmë europiane”, shkruar nga historiani amerikano-shqiptar Nilkolla J. Costa dhe botuar në SHBA në vitin 1995. Libri fillon me këto vlerësime: “Sot Shqipëria është ashtu siç ka qenë qysh kur doli si shtet i pavarur në vitin 1912 një shtet-komb në krizë. Ajo është një njësi gjeopolitike mbajtja e së cilës si vend i pavarur u përcaktua në një shkallë të lartë nga lëvizjet dhe kundërlëvizjet e shteteve fqinj të saj, Greqisë, Serbisë, Malit të Zi dhe Italisë, të cilët fillimisht do të manovronin për të aneksuar toka shqiptare dhe pastaj do të përpiqeshin me sulm frontal ose penetrim ekonomik të vendosnin hegjemoninë mbi “Vendin e shqiponjave”. Sot mbetet për të shtuar vetëm edhe emrin e Maqedonisë së Veriut në listë. Libri mbyllet me këto konstatime e vlerësime: “Në kontekstin më të gjerë historik e politik Shqipëria që kur hyri në periudhën e konsolidimit të saj kombëtar është parë si një enigmë. Konvertimi fetar në Islam nga brezat që jetuan nën Perandorinë Osmane jo vetëm e shndërroi Shqipërinë në një ishull islamik në detin e krishterë europian, por bëri që “Vendi i shqiponjave” të shkëputej nga rryma europiane e zhvillimit kulturor e politik. Për më tepër paaftësia e saj për të qenë një njësi vitale ekonomike e politike vazhdimisht kërkonte që Shqipëria të hynte në marrëdhënie të pabarabarta me fuqitë që do të plotësonin nevojat e saj politike ekonomike me koston më të ulët. Kështu që sot sikurse në të kaluarën çështja qëndron: a do të vazhdojë Shqipëria të ekzistojë, jo për sa i përket popullit të saj, por për sa i përket shtetit të pavarur, si një njësi politike në kufijtë gjeopolitikë europianë që sot përkufizojnë kombin shqiptar”. Siç u parashtrua në paragrafët e mësipërm, 24 vjet pasi ishin shkruar këto fjalë dëgjohen përzishëm kambana alarmi se shqiptarët janë të rrezikuar edhe në ekzistencën e tyre si popull e si komb. Kriza dhe udhëkryqi historik e politik marrin kështu pamjen më trishtuese se kurrë më parë.

Këtë ndjesi e bën më të rëndë niveli i ulët i nacionalizmit tek shqiptarët dhe prirja e politikanëve shqiptarë për ta rrënuar etatizmin për hir të zotërimit të pushtetit e grabitjes së pasurive të vendit. Shqiptarët, deri tani, nuk kanë pasur fatin e mirë të gëzojnë si duhet të mirat e nacionalizmit dhe të etatizmit normal pak a shumë demokratik dhe efikas. Shqiptarët kanë provuar vetëm fatin e keq të bëjnë jetë shtetërore shumicën e kohës nën sundim të huaj, në shthurësi demokratike masonike ose nën diktaturë të egër ideologjike. Pas rrëzimit të diktaturës komuniste lindën shpresat për një etatizëm demokratik edhe në Shqipëri. Por, asnjë nga qeveritë shqiptare të 30 viteve të fundit nuk punoi sinqerisht e me efikasitet për këtë as në Shqipëri, as në Kosovë, ku etatizmi ka mbetur i parritur si duhet e në amulli të plotë. Edhe më keq kanë shkuar punët sepse institucioni më i lartë shtetëror, Presidenca, në të dy shtetet shqiptare është bërë nga fillimi hallka më problematike në zinxhirin e etatizmit. Më shëmtueshëm kjo po duket tani në Shqipëri, ku kanë filluar procedurat parlamentare ligjore për shkarkimin e kryetarit të shtetit, Presidentit Ilir Meta, i cili me veprimet e qëndrimet e tij i ka dhënë një goditje të rëndë etatizmit dhe ka nxitur e mbështetur opozitarizmin obstruksionist e anarkist të opozitës, që praktikisht mundohet të ngrejë në Shqipëri një pushtet e një shtet paralel.