` . U hap Edicioni i 13-të i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit "Skupi Festival" - TV-SHENJA

U hap Edicioni i 13-të i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Skupi Festival”

Me shfaqjen “Karnavali është në Korçë” nga Kosova, mbrëmë në Teatrin “Komedia” filloi Edicioni i 13-të i Festivalit Ndërkombëtar të Teatrit “Skupi Festival”.

Në hapjen e festivalit mori pjesë edhe ministri i Kulturës, Hysni Ismaili, i cili në fjalimin e tij para audiencës theksoi se kultivimi i këtij festivali është një mundësi për ta ndjekur aktivitetin e aktorëve nga vendi, si dhe mysafirëve nga: Serbia, Kosova, Rusia, Bullgaria, Sllovenia, të cilët nëpërmjet veprave teatrale do të na sjellin diçka të re dhe të ndryshme në skenën tonë kulturore.

Ai shtoi se Ministria e Kulturës, duke e njohur rëndësinë e festivalit si një impuls krijues në fushën e krijimtarisë teatrore, e jep mbështetjen për realizimin e tij.

“Si ministër i Kulturës, dëshiroj ta shpreh besimin tim që Ministria e Kulturës do të vazhdojë ta mbështesë realizimin e këtij festivali edhe në të ardhmen, i cili kontribuon shumë në avancimin e bashkëpunimit me teatrot në rajon, por edhe në thellimin e lidhjeve kulturore me vendet e tjera në përgjithësi”, tha Ismaili.