` . Tym dhe mjegull në Maqedoninë e ndotur - TV-SHENJA

Tym dhe mjegull në Maqedoninë e ndotur

Emri i shtetit dhe simbolet kryesore të Maqedonisë lidhen vetëm me identitetin kombëtar dhe fetar të maqedonasve. Në realitetin e sotëm shqiptarët kurrë nuk do të mund ta ndjejnë këtë shtet edhe si të vetin për arsye se asgjë nuk është e lidhur me identitetin e tyre kombëtar dhe fetar.

Shkruan: Iljasa SALIHU, Kumanovë

Nuk ka vit që qytetari në Maqedoni nuk kërcënohet me luftë, për arsye se nuk kishte vit që bilanci i veprimtarisë së politikanëve të mos ishte i mbushur me krime. Përpjekja për t’i mbuluar gjurmët e krimit prodhoi krizë të thellë politike, që preku shtresat e ndjeshme të sigurisë. Përkundër faktit se lojën të gjithë e kanë kuptuar, sërish qytetarët vështirë të mos bien në greminën e kësaj loje. Të gjithë e dinë se presidenti i shtetit është një përfaqësues i një partie politike dhe se për të satën herë me radhë ai e shkelë Kushtetutën, mirëpo ai ende është president pa asnjë hetim juridik. Presidenti i shtetit, edhe pse para pak kohësh i fali kriminelët, sërish kjo nuk u pengoi politikanëve shqiptarë të shkojnë në rezidencën e tij për të marrë këshilla në lidhje me formimin e qeverisë. Habitshëm, pas pak politikanët shqiptarë sërish u habitën që ai e shkeli Kushtetutën për sa i përket dhënies së mandatit për formimin e qeverisë. Pikërisht këta, që si nuse të reja u palosën para këtij që shquhet për skandale dhe shkelje, pyetën se si ka mundësi që presidenti në këtë kohë krize të shkaktuar prej tij t’ia mbathë zyrtarisht për në Azerbajxhan? Gjithsesi, ende shpresojnë në mundësinë e pendimit të presidentit, ndaj në vend të ndonjë padie penale për gjithë këto shkelje dhe papërgjegjshmëri, këta duket se ende e presin pendimin e presidentit. E gjithë kjo panoramë e cenon dukshëm seriozitetin dhe sinqeritetin e politikanëve shqiptarë.

Prejardhja apo përmbajtja?

Prejardhja apo përmbajtja e Platformës u pengon? Thjesht, mundësia që shqiptarët, të cilët nga dita në ditë po shtohen dhe të bëhen komb shtetformues u pengon, prandaj ata që po vajtojnë se sikur platforma të ishte bërë në Shkup dhe jo në Tiranë do të zbutej i egri president. Një gjë duhet kuptuar: kur njeriu të urren, ekzistojnë me mijëra rrugë për ta shfaqur atë urrejtje. Po ashtu, kur njeriu dëshiron të të refuzojë për diçka, gjenden me mijëra arsye.

Në të kundërtën, meqë mendohet dhe neveritet se Platforma Shqiptare është shkruar dhe nënshkruar në Tiranë, atëherë është mirë që politikanët shqiptarë ta bëjnë një platformë këtu në Shkup, duke mos e përfshirë shtetin amë, në të cilën pika e parë do të ishte zgjidhja e statusit të UÇK-së dhe pastaj të vazhdonin me kushtet e tjera, të cilat kanë në spikamë të drejtat dhe barazinë mes etniteteve. Nëse sërish i pari i shtetit këtë platformë nuk e sheh si vullnet të brendshëm të shqiptarëve të Maqedonisë, atëherë politikanët shqiptarë duhet të zgjedhin mes demagogjisë së të parit të shtetit dhe bashkëjetesës në këtë shtet. Megjithatë, shihet se nuk është vetëm faji i presidentit, por edhe i atyre që herë e gjuajnë me gurë presidentin e herë darkojnë së bashku.

Kush duhet të mos bie pre e provokimeve?

Nuk është sukses mosrënia pre e provokimeve nëse kjo mosrënie shoqërohet me humbje. Edhe Adem Jashari duke u dorëzuar ka mundur të mos binte pre e provokimeve serbe, mirëpo pastaj kryengritja e brendshme dhe përkrahja e jashtme do të ishin vetëm një rrëfenjë e bukur për lexim pak para gjumit. Sigurisht, në rastin e tanishëm në Maqedoni, qytetari nuk do të binte pre e provokimeve, sikur politikani të mos binte pre e privilegjeve. Politikanët, pasi shkaktojnë zjarr nëpër shtëpitë e qytetarëve, thonë: “Shiheni e frymëzohuni prej zjarrit, por jo edhe të ndërhyni, paçka se shtëpitë po u trajtësohen në hi!”. Kësodore politikanët po hanë kumbulla, kurse qytetarëve u mpihen dhëmbët. Për fat të keq, ata ushqehen shtrenjtë, ndërsa qytetarët ua shlyejnë faturën, prandaj jashtëzakonisht është vështirë mosrënia pre e provokimeve në kohën kur pas çmendurisë së presidentit, zëshëm dhe fyeshëm po proteston elita maqedonase së bashku me klerin ortodoks dhe akademikët maqedonas kundër substancës shqiptare. Skenari është i qartë dhe lehtë i realizueshëm: politikanët fillojnë me fjalë të ashpra, pastaj qytetarët e emocionuar dalin në protesta, fillojnë rrahjet, shpeshtohen rrahjet edhe jashtë protestave, kërcet diku pushka, pësojnë dukshëm qytetarët, kush nën dhe e kush në burg dhe, krejt në fund, po këta politikanë të pashpirt thërrasin për qetësi, drejtësi dhe mirëqenie, mbase ftojnë që të mos bien qytetarët pre e provokimeve.

Po sikur t’ia shohim rrënjët problemit!

Emri i shtetit dhe simbolet kryesore të Maqedonisë lidhen vetëm me identitetin kombëtar dhe fetar të maqedonasve. Në realitetin e sotëm shqiptarët kurrë nuk do të mund ta ndjejnë këtë shtet edhe si të vetin, për arsye se asgjë nuk është e lidhur me identitetin e tyre kombëtar dhe fetar. Flamurin shtetëror maqedonasit e kanë edhe flamur kombëtar. Gjuhën shtetërore e kanë edhe gjuhë kombëtare. Emri i shtetit përkon me identitetin e tyre maqedonas. Simbolet e tjera shtetërore janë të lidhura dukshëm me identitetin e tyre kombëtar dhe ortodoks. Në gjithë këtë ndërtim vlerat kombëtare shqiptare dhe fetare nuk gjenden askund. Kot flasim për gjëra të tjera nëse këtë realitet e heshtim. Ndërtesa e përbashkët nuk mund të ndërtohet mbi këto themele. Për më keq,mundohen të na barazojnë me serbët, turqit, boshnjakët, vllahët dhe romët. Pikërisht me ata që kurrë nuk e tradhtuan politikën e partisë së Gruevskit. Pikërisht këto pakica përfituan në kurriz të djersës dhe gjakut të shqiptarëve, mirëpo kurrë nuk u ndanë prej shtratit të Gruevskit.

A mund të na shpëtojnë ata që po mbyten?

Është kundërthënie e llojit të veçantë të presësh shpëtim prej atij që është duke u ngulfatur. Natyrshëm, atij i mjafton halli i tij sa të mos mund të brengoset për dertin e tjetrit. Përgjimet e publikuara ishin vetëm një vulë në dokumentin të cilin e kishim në dorë prej kohësh. Varfëria, izolimi, montimet politike, krimi ekonomik, vrasjet me prapavijë politike etj., ishin ngjarje dhe argumente që secili qytetarë lehtas mund t’i shihte dhe përjetonte. Gjithë kjo mynxyrë nuk mund të mos kishte autorë, gjegjësisht nuk mund të ketë të keqe pa keqbërës. Tani, pikërisht ata që ishin pjesë e pushtetit në kohën kur pushteti bënte batërdi ndaj shqiptarëve, sot orvaten të hiqen si të pafajshëm dhe dashamirë të atyre që vuajtën shumë. Ata që nuk qenë në gjendje t’i parandalonin montimet politike, sot kërkojnë zbardhjen e rasteve në të cilat u vranë dhe po vuajnë shumë shqiptarë. Ata që ishin pjesë e pushtetit dhe në anën tjetër kërkojnë zbardhje të rasteve në fjalë, thjesht janë duke punuar për të kundërtën e asaj që e thonë. Atyre nuk u intereson zbardhja e rasteve të montuara politike, ngaqë vetë këtyre do t’u nxihej fytyra. Mirëpo, përmes kësaj loje duan t’i mashtrojnë qytetarët dhe të lënë përshtypje se po të kishin gisht në këto raste, atëherë nuk do të kërkonin zbardhjen e tyre. Ngjashëm siç thoshin përgjatë hedhjes së bombave, “hidhni të gjitha”, por kur filloi t’u ngushtohet rruga, atëherë dolën kundër hedhjes së bombave. Kësisoj, proceset kombëtare vetëm se do të ndërlikohen dhe assesi të shkojnë përpara, ngaqë protagonistët e këtyre proceseve janë të zënë me mbulimin e gjurmëve të tyre.

Postime të Ngjajshme