` . Turqia shqyrton kastrimin kimik për abuzuesit e fëmijëve – TV-SHENJA

Turqia shqyrton kastrimin kimik për abuzuesit e fëmijëve

 Turqia do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm kundër abuzuesve të fëmijëve, përfshirë edhe kastrimin kimik, deklaroi të sot ministri i Drejtësisë, Abdulhamit Gul, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një prononcim për mediat në Ankara, Gul tha se në ditët në vijim do të fillojë punën një komision brenda dikasterit të tij, në mënyrë që të përpilojnë masat e reja ligjore dhe administrative kundër abuzimit të fëmijëve.

“Komisioni i drejtuar nga zëvendës ministri do të fillojë punën nesër”, tha Gul, i cili ndër masat e parapara për abuzuesit, përmendi edhe kastrimin kimik.

Të martën, presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan paralajmëroi se rastet e abuzimit të fëmijëve, së fundmi të shpeshtuara në Turqi, mund të çojnë në shembje të shoqërisë.

“Ne jemi përgjegjës për mbrojtjen e të pafajshmëve, të cilët janë pjesë e jetës sonë. Duhet t’i mbrojmë nga rreziqet dhe kërcënimet, duke i rritur në mënyrë të sigurtë”, tha ai, duke paralajmëruar ndëshkimin e autorëve të veprave të tilla.