` . Turqia: Po tregohet kujdes të mos dëmtohen civilët dhe infrastruktura - TV-SHENJA

Turqia: Po tregohet kujdes të mos dëmtohen civilët dhe infrastruktura

Ministria e Mbrojtjes e Turqisë tha se gjatë operacionit “Burimi i Paqes” i cili filloi sot në veri të Sirisë kundër organizatave terroriste PKK/YPG dhe DEASH shënjestrohen vetëm terroristët, njëlloj sikurse në dy operacionet e mëparshme antiterroriste, transmeton AA.

Në një deklaratë në Twitter, ministria tha se operacioni i cili filloi me urdhër të presidentit Recep Tayyip Erdoğan po zhvillohet në përputhje me rezolutat e OKB-së dhe në kuadër të së drejtës për vetëmbrojtje sipas nenit 51 të Kartës së OKB-së, duke respektuar integritetin territorial të Sirisë.

“Ashtu sikurse në operacionet ‘Mburoja e Eufratit’ dhe ‘Dega e Ullirit’, gjatë planifikimit dhe ekzekutimit të operacionit në shënjestër janë vetëm terroristët dhe bunkerët, strehimoret, pozicionet, armët, automjetet dhe pajisjet e tyre”, thuhet në deklaratën e ministrisë.

“Po tregohet çdo kujdes dhe ndjeshmëri të mos dëmtohen civilët dhe personat e pafajshëm dhe strukturat historike, kulturore dhe fetare, infrastruktura në zonën e operacionit dhe elementet e vendit aleat dhe mik që mund të gjenden në rajon”, theksohet më tej.

Ndryshe, Turqia sot njoftoi fillimin e operacionit “Burimi i Paqes” në lindje të lumit Eufrat në veri të Sirisë për të siguruar kufijtë e saj duke eleminuar elementet terroriste dhe për të garantuar kthimin e sigurt të refugjatëve sirianë dhe integritetin territorial të Sirisë.