` . Turqia, partneri i pestë më i madh i BE-së në tregtinë e jashtme – TV-SHENJA

Turqia, partneri i pestë më i madh i BE-së në tregtinë e jashtme

Turqia ka vazhduar të jetë partneri i pestë më i madh i Bashkimit Evropian (BE) në tregtinë e jashtme, pasi vitin e kaluar në periudhën janar-dhjetor Unioni ka realizuar eksporte në vlerë prej 84.8 miliardë eurosh në Turqi dhe importe në vlerë prej 69.7 miliardë eurosh nga ky vend.

Sipas të dhënave që Anadolu Agency (AA) ka përpiluar nga Zyra Evropiane e Statistikave (Eurostat), BE-ja e përbërë prej 28 shtetesh vitin e kaluar ka realizuar eksporte në vlerë prej 1 trilion e 878.5 miliardë eurosh dhe import prej 1 trilion e 853.5 miliardë eurosh.

Gjatë periudhës në fjalë, eksporti i BE-së në Turqi është rritur për 8.8 për qind, për të arritur në 84.8 miliardë euro, kurse importi ka arritur në 69.7 miliardë euro me një rritje prej 4.5 për qind.

Kështu, Turqia ka ruajtur pozitën e pestë si partneri më i rëndësishëm i BE-së në tregtinë e jashtme.

SHBA, partneri më i madh tregtar i BE-së

Shtetet anëtare të Unionit kanë realizuar eksporte në vlerë totale prej 375 miliardë eurosh në SHBA dhe importe prej 254.2 miliardë eruosh. Në këtë mënyrë, edhe SHBA ruan pozitën e saj si partneri më i madh tregtar i BE-së në periudhën janar-dhjetor të vitit 2017. Eksportet e BE-së në SHBA janë rritur për 3.2 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të një viti më parë, kurse importet për 1.5 për qind.

Në periudhën e njëjtë, partneri i dytë më i madh tregtar i BE-së ka qenë Kina, vend në të cilin Unioni ka realizuar eksporte në vlerë prej 198.3 miliardë eurosh, ndërsa vlera e importeve nga Kina ka arritur në 374.3 miliardë eurosh. Eksportet në Kinë në periudhën në fjalë janë rritur për 16.9 për qind, kurse importet nga ky vend për 8.5 për qind.

Importet e BE-së nga Rusia më të mëdha se eksportet

Zvicra është regjistruar si partneri i tretë më i madh tregtar i BE-së, pasi vitin e kaluar në këtë vend janë kryer eksporte në vlerë prej 150.8 miliardë eurosh me një rritje prej 6.1 për qind krahasuar me një vit më parë, kurse nga ky shtet ka realizuar importe në vlerë prej 110.2 miliardë eurosh, që paraqet ulje nga një vit më parë për 9.4 për qind.

Me eksporte në vlerë prej 86.2 miliardë eurosh dhe importe prej 145 miliardë eurosh, Rusia ka qenë partneri i katërt më i madh tregtar i BE-së. Eksportet në Rusi janë rritur për 19.1 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të një viti më parë, kurse importet nga ky vend po ashtu janë rritur për 22 për qind.

Në radhitjen e partnerëve më të mëdhenj tregtar të BE-së Turqia ndiqet nga Japonia, Norvegjia, Koreja e Jugut, India dhe Kanadaja.