` . Turqia, një dimension tjetër i diplomacisë humanitare – TV SHENJA

Turqia, një dimension tjetër i diplomacisë humanitare

Shkruan: Ekrem Zajmi

Në raportin vjetor “Amnesty International” citon fjalët e një shtetase jemenite ‘humaniteti ka vdekur’ pasi që, tashmë edhe shkollat po bombardohen. Në kohën tonë kur humanizmi ka humbur betejën përball planeve strategjike gjeoekonomike , është lehtë për të nxjerrë dallimin që paraqet diplomacia humanitare nga ajo e zakonshme, ndonëse është term i rrallë në libra e media e aq më i rrallë në praktikë.

Lufta civile në Siri e cila çdo ditë e më tepër po përshkallëzohet duke u bërë më komplekse për tu zgjidhur, paraqet krizën më të madhe politike dhe humanitare që po e përshkruan këtë çerekshekulli. Kjo luftë ka vënë në provë anën humane të diplomacisë ndërkombëtare.

Gjatë kohës sa po shkruaj, në mendje po më gërshetohen fraza nga dy personalitete të ndryshme. Presidenti Erdogan pati deklaruar se “Ne nuk kemi naftë, por kemi një ndërgjegje të madhe sa Anadolli”, ai ndër të tjera pati thënë se ne strehojmë rreth 3 milionë mysafir nga Siria për të cilët kemi shpenzuar rreth 9 miliard dollarë. Pikërisht në këtë pikë dua ta ndërlidh frazën e dytë të një profesori në Universitet, i cili gjatë një pauze ligjërimi më tha, “Unë nuk jam kundër strehimit dhe ndihmesës për refugjatët sirian, por kur llogaris nëse këto 9 miliard dollarë do ishin investuar në reformim të arsimit dhe në kërkime shkencore, avancimit të shkencës dhe teknologjisë do i krijohej një horizont i ri në zhvillim dhe përparim.

Në sfondin e këtyre shprehjeve, duket qartë humanizmi i një Turqie e cila me qëndrimin e saj në çështjen siriane, është bërë zëri i ndërgjegjes globale, ka shpëtuar dinjitetin njerëzor. Nga ana tjetër paraqiten ndjenjat e turbullta të një profesori universitar në mes humanizmit në njërën anë, dhe dëshirës së zjarrtë për ta parë Turqinë në binarët e një thellësie intelektuale, efikasiteti ekonomik dhe dinamizmi social.

Turqia Republikane dështoi përballë ndryshimeve të kohës që ndodhën në botë. Nuk arriti të realizojë zhvillimin industrial. Nuk e bëri dot transformimin politik. Nuk ishte i aftë të siguronte rritjen ekonomike. Për më tepër, përherë mbeti i shtypur përballë gjithë këtyre zhvillimeve. Vërtetë kishin fituar luftën për pavarësi kundër pushtimit të vendit nga fuqitë e mëdha, por kishin humbur luftën përballë ndryshimit. Sot Turqia pas një përpjekje të gjatë, kaloj në një proces kritik të reformimit dhe zhvillimit të hovshëm ekonomiko – politik nën drejtimin e Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP – Akronimi në Turqisht), një formacion islamik i moderuar i cili që në atë kohë nuk e ka lënë pushtetin. Në vitin 2011 Turqia përshkruhej si një model për vendet që me Pranverën Arabe përpiqeshin që të çliroheshin nga regjimet diktatoriale, si dhe të gjenin një ekuilibër në mes islamit dhe demokracisë.

Së këndejmi, ky zhvillim ekonomik, politik dhe kulturor reflektoj edhe në diplomacinë humanitare. Sipas studiuesve Diplomacia Humanitare është e bazuar në ekuilibrin në mes ndërgjegjes dhe fuqisë. Nëse një shtet ka ndërgjegje por nuk ka fuqi, kjo paraqet dobësi, në rastin e kundërt paraqet tirani.

Siç dihet nga shembulli i ndihmës në rastin e Somalisë, përkrahjes së vazhdueshme në Gaza dhe refugjatëve të Sirisë, për të arritur qëllimin e ndihmës, duhet pas në dispozicion një tërësi institucionesh. Të ketë fuqi për të arritur aty ku dëshiron, e që domosdo duhet të kesh kompani ajrore siç është rasti me “Turkish Airlines” që të arrihet në Mogadishua – kryeqyteti i Somalisë – në fluturim direkt. Në të njëjtën kohë duhet pasur një TIKA (Agjencia Turke e Koordinimit dhe bashkëpunimit Ndërkombëtar) me anë të së cilës arrihen kontaktet dhe identifikohen problemet. Pastaj Gjysmëhënën e Kuqe Turke “KIZILAY” për të siguruar ndihmat. Gjithashtu Agjencia Turke e Ndërtimit të Shtëpive “TOKİ” dhe sigurisht, aparatura shtetërore për të i koordinuar këto. Ky kompleks institucionesh paraqet fuqinë me të cilën arrihet dora e ndihmës në gjithë botën.

Prezenca e Turqisë në rrugët e Gazës, Myanmarit, Somalisë, Jemenit, Sirisë, e jo pak edhe në rrugët e Ballkanit, nuk paraqet vetëm fuqinë e këtij shteti, para së gjithash paraqet ndërgjegjen dhe zemërgjerësinë. Kjo është edhe arsyeja pse sot Turqia renditet vendi i dytë në botë pas SHBA-ve, për nga dhënia e ndihmave humanitare.

Njëri nga dimensionet e diplomacisë humanitare të Turqisë është edhe pozicionimi në anën e kërkesave te popullit për liri e drejtësi. Mbase mund të ketë qenë doza e tepruar e optimizmit që e solli “Pranvera Arabe”, ajo e cila e ndikoj diplomacinë turke për ta humbur neutralitetin në çështjet e brendshme në disa nga shtetet e përfshira në revolucion. Fillimisht duke bërë thirrje të hapur për krerët e këtyre diktateve për të reflektuar ndaj kërkesave të revolucionarëve. Më pas kur revolucioni në shumicën e vendeve, ende pa e arritur qëllimin final dështoj dhe në disa shtete u rikthye në pikën zero si në rastin e Egjiptit, diplomacia turke mbeti e vetmuar duke e mbrojtur revolucionin dhe duke kundërshtuar riformimin e qeverive në rrjedha jo demokratike.

Shtetet perëndimore të cilat në parim e proklamojnë demokracinë, ata qëndruan heshturazi mbi parimin e viteve të 90-ta, “një sistem demokratik në botën myslimane mund të krijoj regjime islamike, me ndjenja anti perëndimore”. Mbyllja e syve përballë masakrës në Egjipt ndaj protestuesve që e kundërshtonin Grushtin Ushtarak dhe e kërkonin presidentin e tyre të zgjedhur, në esencë paraqet keqësimin e jo stabilitetit politik duke ju siguruar fuqive hegjemoniste një mundësi të artë për ti manipuluar këto konflikte të brendshme për qëllimet e tyre strategjike. Turqia vazhdon të qëndroj mbi parimet e saj në të cilat është përcaktuar që në fillim të revolucionit, përkundër problemeve ekonomiko – politike që po i paraqiten përball këtyre qëndrimeve. Ky lloj sakrifikimi për hir të së drejtës në diplomaci, paraqet edhe hipotezën tonë në këtë punim. Diplomacia Turke vërtetë dëshiron të del nga parimi “Diplomacia Ndërkombëtare ndërtohet mbi bazën e interesave” duke promovuar një paradigmë të re, “Diplomacia Ndërkombëtare duhet të funksionoj mbi parimin e së drejtës”! Qëndrimi i palëkundur i Turqisë ndaj Izraelit në rastin e anijes humanitare “Marmara” deri në kërkim falje. Qëndrimi i palëkundur kundër Grushtit Ushtarak në Egjipt i cili rrëzoj Presidentin e zgjedhur Muhamed Morsi dhe vazhdimi për të mos e njohur El Sisin si president. Qëndrim i palëkundur ndaj regjimit diktatorial të Bashar El Asad-it në Siri etj. Vërteton faktin se Diplomacia Humanitare Turke ka marr një dimension të ri ndërkombëtar, i cili ka për qëllim “parimin e së drejtës”. Qëndrimi pas këtij parimi, ndonëse po krijon një vetëdije ose nëse guxojmë ta quajmë një doktrinë humane në botën ndërkombëtare, Turqisë i ka shkaktuar dëme ekonomike dhe probleme diplomatike, së paku në dy dimensione;

– Së pari parimi “Paqe në vend, paqe në rajon” është stopuar dhe është kthyer në kahe të kundërt. Sot Turqia është izoluar pothuaj se në të gjitha kufijtë e saj. Në njërën anë nga Jugu ka Irakun dhe Sirinë, të cilat ndodhen në gjendje lufte dhe paraqesin rrezik permanent për eksport të terrorizmit dhe kjo u dëshmua deri më tani së paku në katër raste. Në Lindje ka Armeninë dhe Iranin me të cilat ka marrëdhënie pothuajse të ngrira. Armenia pretendon për gjenocid në vitin 1915 dhe nuk pranon marrëdhënie të rregullta diplomatike me Turqinë. Në veri ka Rusinë me të cilën ndodhet në tension të lartë pas rrëzimit të avionit ushtarak në nëntor 2015, dhe në perëndim kemi Bashkimin Evropian i cili ushtron politika balancuese dhe ndërron pozicion nga vitit në vit dhe nga rrethana në rrethanë.

– Së dyti, Turqia aspironte të bëhej fuqi kulturore, ekonomike dhe diplomatike në nivel rajonal. Sot është në vështirësi për shkak të ngadalësimit të zhvillimit ekonomik – ndër të tjera për arsye të kufizimeve në eksport me Rusinë dhe Egjiptin – pastaj problemeve me sigurinë dhe pakënaqësinë e brendshme, pasojat e të cilës mund të rriten në të ardhmen.

Koncepti Kemalist “Paqe në vend, paqe në rajon” i cili shërbeu si bosht i Diplomacisë Turke, veçanërisht në dekadën e parë të këtij shekulli, Pranvera Arabe në vend që ti jepte dinamizëm, së pari e pasivizoj, e tashmë siç duket e ka shndërruar në një paradigmë tjetër “Siguri në vend, siguri në rajon”!

Postime të Ngjajshme