` . Turqia liron nga burgu dy ushtarë grekë, Tsipras: Ky është një akt i drejtësisë – TV-SHENJA

Turqia liron nga burgu dy ushtarë grekë, Tsipras: Ky është një akt i drejtësisë

Dy ushtarë grekë të cilët u arrestuan në Edirne të Turqisë, u liruan sot, njofton një burim gjyqësor për Agjencinë Anadollu.

Më 1 mars, Aggelos Mitretodis dhe Dimitros Kouklatzis u arrestuan në afërsi të rrethit Pazarkule të Edirn dhe gjykata turke më 2 mars u shqiptoi masën e paraburgimit. Ata kishin kaluar ilegalisht kufirin mes dy vendeve ndërsa në arsyetimin e tyre para gjykatës thanë se kishin humbur dhe ishin futur brenda kufirit turk për shkak të motit të keq dhe më vonë u ndeshën me njësitë patrullore turke lokale.

Burimet turke të sigurisë thanë se ushtarët grekë u akuzuan për spiunazh.

Gjatë gjyqit në Edirne të martën, dy ushtarët përsëritën pretendimin e tyre se ata kishin kaluar gabimisht kufirin dhe i kërkuan gjykatës lirimin e tyre. Gjykata urdhëroi lirimin e ushtarëve.

Kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras e cilësoi këtë vendim si akt të drejtësisë, që do të rrisë miqësinë mes dy vendeve.

“Lirimi i dy ushtarëve grek është një akt i drejtësisë, i cili do të kontribuojë në forcimin e miqësisë, lidhjeve të mira fqinjësore dhe stabilitetit në rajon”, tha ai në llogarinë e tij të Twitter.

“Unë dua të përgëzoj dhe falënderoj dy oficerët tanë dhe familjet e tyre për forcën, durimin dhe besimin e tyre në përpjekjet për të gjithë ne, të cilat më në fund janë justifikuar”, shtoi ai.

Ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias gjithashtu përshëndeti lirimin e ushtarëve, duke deklaruar në llogarinë e tij Tëitter se “diplomacia është fituesi i madh i mbrëmjes”.

“Është një gëzim i madh që Angelos dhe Dimitris janë të lirë. Uroj që ata të arrijnë mirë në atdhe,” tha ai.