` . Turqia është më e fortë një vit pas grushtit të shtetit - TV SHENJA

Turqia është më e fortë një vit pas grushtit të shtetit

Përpjekja gyleniste për grusht-shteti ishte gjithashtu një akt pushtimi në kuptimin më të gjerë të fjalës, duke cenuar jo vetëm jetët e njerëzve dhe institucionet e shtetit, por edhe zemrat e mendjet e popullit të Anadollit, që qëndron si një pishtar shprese për dhjetëra miliona njerëz, të cilët duan ta shohin një botë më të drejtë dhe më njerëzore.

Shkruan: Ibrahim KALLËN*

Një vit i plotë ka kaluar që prej asaj dite të errët, kur gylenistët brenda ushtrisë turke nisën përpjekjen për një grusht-shteti të përgjakshëm në Turqi. Por, planet e tyre më shumë se dyzetvjeçare u shkatërruan për më pak se 24 orë nga vullneti i popullit. Rrallë kemi parë në historinë moderne një moment të tillë të fuqisë popullore.
Kur miliona turq e risjellin në mendje grushtin e dështuar të shtetit të verës së shkuar, ata kujtojnë 250 njerëzit e pafajshëm të bërë theror prej puçistëve dhe më shumë se 2.000 të tjerë që i mbijetuan sulmit me lëndime. Prindërit kujtojnë se do u duhej t’u shpjegonin fëmijëve të tyre se ç’ishte saktësisht një puç ushtarak e pse persona të armatosur, që mbanin veshur uniformat e ushtarëve turq, po qëllonin mbi njerëz të cilët mendohej që t’i mbronin. Është një burim krenarie për ne se si u bëmë bashkë si komb dhe e çuam dëm një përpjekje për grusht shteti. Për dallim nga kjo, ka pasur një përpjekje të bashkërenduar që prej përfundimit zyrtarisht të përpjekjes për grusht-shteti për ta minimizuar domethënien e asaj që kishte ngjarë e për t’u përqendruar në vend të kësaj te hapat e ndërmarrë prej qeverisë turke për t’i parandaluar sulmet e ardhshme nga aktivistët e grupit terrorist gylenist (FETÖ). Por, rrëfenja e propaganduar kundër Turqisë nuk i ndryshon faktet në terren. Pavarësisht pikëpamjeve politike, gjinisë ose gjendjes shoqërore, populli turk e shkroi historinë përgjatë 12 muajve të shkuar, duke ia dalë ndaj këtij sulmi të turpshëm mbi demokracinë, lirinë dhe mëvetësinë e tij.
Me deklarimin e gjendjes së jashtëzakonshme dhe me largimin e aktivistëve të njohur të FETÖ-s nga postet publike, qeveria ua hoqi duarsh terroristëve fuqitë zyrtare dhe burimet publike që ata i shfrytëzuan për vite me radhë për të financuar dhe për të vënë në jetë planet e tyre të liga. Pretendimi se Turqia, si një aleat i NATO-s, do të përballej me një rrezik për sigurinë pas arrestimit të puçistëve në ushtri, ka rezultuar të jetë tërësisht i gabuar. Në të kundërtën, policia dhe ushtria turke e kanë marrë tashmë plotësisht veten nga virusi i depërtimit gylenist dhe i kryejnë shërbimet ndaj popullit dhe vendit ashtu siç është menduar.
Qe falë përpjekjeve tona që forcat e armatosura turke mundën ta nisin operacionin Mburoja e Eufratit dhe t’u japin një goditje të madhe terroristëve të DAESH-it në veri të Sirisë vetëm gjashtë javë pas grushtit të dështuar të shtetit. Në të njëjtën kohë, Turqia ndërmori hapa domethënës kundër grupeve të tjera terroriste, përfshirë PKK-në, duke ndalur rrjedhën e rekrutëve dhe të burimeve financiare drejt terroristëve. Përpos kësaj, ekonomia turke është mëkëmbur shpejt prej goditjeve shoqëruese të grushtit të dështuar të shtetit dhe ka regjistruar pesë për qind rritje në çerekun e parë të 2017-tës. Indeksi i Bursës së Stambollit, BIST 100, fitoi vlerë thuajse 30 për qind që nga janari, për të kapur kështu majat e për të shpërblyer investuesit. Ndërkaq, ne po bëjmë përpara me projekte shumë të mëdha, përfshirë ndërtimin e aeroportit më të madh të botës në Stamboll dhe të një ure ndërkontinentale përgjatë Dardaneleve.
Së fundi, miliona vëllezër muslimanë, nga Azia Qendrore në Amerikën e Jugut, nga Indonezia në Afrikë, ishin me Turqinë në natën e përpjekjes për grusht shteti dhe u lutën për paqen dhe mirëqenien tonë. Në fakt, menjëherë pas përpjekjes për grusht shteti, shumë publikime nga anekënd botës islame dhe nga udhëheqës të panumërt muslimanë shprehën hapur qëndrimin krah Turqisë. Miliona u derdhën në sheshe publike, u mblodhën me turma nëpër xhami, për të treguar afërsinë me publikun turk. Përndryshe, mungesa e plotë e reagimit nga shumica e vendeve perëndimore, dështimi i tyre për të demonstruar edhe një fije solidariteti, komentet e vonuara ose të dykuptimshme, ngjanë, për të thënë më të paktën, si provokuese mendimi.
Turqia po ndërmerr hapa të guximshëm në arenën ndërkombëtare që prej përpjekjes për grusht shteti të verës së kaluar. Ndonëse vendimi nga vende të caktuara europiane për dhënien azil puçistëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre nxit tensione, Turqia dhe Bashkimi Europian po përpiqen të përfshihen në një dialog konstruktiv për t’u ridhënë jetë bisedimeve të anëtarësimit. Me proceset e Gjenevës dhe të Astanasë, Turqia po luan një rol kyç në frenimin e luftës së përgjakshme në Siri dhe në gjetjen e një zgjidhjeje politike për konfliktin që ka marrë jetët e qindra dhe mijëra njerëzve. Turqia vazhdon ta zgjerojë e ta bëjë të larmishëm këndvështrimin e saj të politikës së jashtme për Afrikën, Lindjen e Mesme, Azinë dhe Amerikën Latine.
Turqia mbetet për qeveritë dhe investitorët e huaj një vend ku mund të gjejnë miq dhe aleatë me të cilët mund të punojnë mbi projekte reciprokisht përfituese. Megjithatë, është e rëndësishme që bota të pajtohet me faktin se përpjekjet tona për t’i vënë para drejtësisë të gjithë puçistët, duke përfshirë udhëheqësit kryesorë të FETÖ-s, janë të panegociueshme. Ne kemi për t’i proceduar këta përgjegjës në caqet e ligjit, ndërsa mbetemi plotësisht të angazhuar ndaj rendit ligjor.
Duhet të kujtojmë se përpjekja gyleniste për grusht-shteti ishte gjithashtu një akt pushtimi në kuptimin më të gjerë të fjalës, duke cenuar jo vetëm jetët e njerëzve dhe institucionet e shtetit, por edhe zemrat e mendjet e popullit të Anadollit, që qëndron si një pishtar shprese për dhjetëra miliona njerëz, të cilët duan ta shohin një botë më të drejtë dhe më njerëzore. Ata që i strehojnë gylenistët dhe që kërkojnë të gjejnë mënyra për ta përligjur aktin e tyre të urryer të tradhtisë rrezikojnë të humbasin këtë popull fisnik dhe një vend kyç për një grusht kriminelësh apokaliptikë.
Sikur të ishit me ne e të luteshit me ne në atë ditë të turpshme…

*Autori është Zëdhënës i Presidencës së Republikës së Turqisë – Ambasador

Përktheu:
Bujar M. Hoxha

Postime të Ngjajshme