` . Trump pohon se Kina po vendos trupa në kufirin e Hong Kongut - TV-SHENJA

Trump pohon se Kina po vendos trupa në kufirin e Hong Kongut

Inteligjenca e SHBA-ve tregon se Kina është duke lëvizur forcat e armatosura drejt Hong Kongut, bëri të ditur të martën presidenti amerikan, Donald Trump, mes demonstratave të vazhdueshme masive, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Inteligjenca jonë na ka informuar se Qeveria kineze po lëviz trupat në kufi me Hong Kongun. Të gjithë duhet të jenë të qetë dhe të sigurt!”, ka shkruar ai në Twitter.

Hong Kongu, një rajon autonom, nën kontrollin e Kinës që nga viti 1997, është përfshirë nga protestat të paprecedent që nga fillimi i qershorit kundër masës së pushtetit vendor për të legalizuar ekstradimin e të dyshuarve në territorin e Kinës, Macao dhe Tajvan.

Thirrjet e protestuesve janë zhvendosur në kërkesa më të mëdha pro-demokracisë.

Kina në fund të korrikut paralajmëroi se mund të vendosen forca të armatosura në rajon për të shuar demonstratat antiqeveritare.

Sipas raporteve të shumta, policia u përplas në ditën e dytë me radhë me protestuesit në aeroportin ndërkombëtar të Hong Kongut, ku fluturimet janë anuluar që nga e hëna.

Arrestime të shumta u raportuan pasi demonstruesit barrikaduan dyert me karrocat e bagazheve dhe policia u zhvendos brenda për t’i pastruar ato nga terminali kryesor.

“Shumë po më fajësojnë mua dhe Shtetet e Bashkuara për problemet që po ndodhin në Hong Kong. Nuk mund ta imagjinoj pse?” shtoi Trump.