` . Trump përshkallëzon “luftën tregtare” me Kinën – TV-SHENJA

Trump përshkallëzon “luftën tregtare” me Kinën

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump ka dhënë udhëzim për aplikimin e taksave doganore ndaj produkteve me vlerë 200 miliardë dollarë ndaj Kinës e cila më parë i ishte kundërpërgjigjur tarifave nga SHBA-të, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim nga Shtëpia e Bardhë thuhet se Përfaqësuesve të Tregtisë së SHBA-ve (USTR) u janë dhënë direktivat që të përcaktojnë produktet me origjinë kineze në vlerë prej 200 miliardë dollarë për të vendosur tarifën doganore shtesë ndaj tyre.

Trump ka kritikuar me një gjuhë të ashpër deklaratën e qeverisë kineze për vendosjen e tarifave të barazvlefshme me tarifën e SHBA-ve prej 50 miliardë dollarëve e cila do të hyjë në fuqi më 6 korrrik.

“Ditën e premte njoftova planin tonë për të zbatuar një tarifë doganore me vlerë 50 miliardë dollarë për produktet e importuara nga Kina. Këto tarifa do të vihen në praktikë për të inkurajuar Kinën që të ndryshojë praktikat e saj të padrejta në fushat e teknologjisë dhe inovacionit”, thotë Trump.

“Fatkeqësisht përballë kësaj Kina mori vendimin që të vendosë tarifa me vlerë 50 miliardë dollarë për importet e SHBA-ve. Duket se Kina nuk ka ndërmend të ndryshojë praktikat e saj të padrejta ndaj të drejtave të pronës intelektuale dhe teknologjisë së Amerikës. Në vend që të ndryshojë këto praktika ajo kërcënon kompanitë, punonjësit dhe bujqit amerikanë”, ka thënë Trump.

Duke tërhequr vëmendjen se kjo situatë është e papranueshme, presidenti amerikan ka mbrojtur idenë e tij se ka nevojë për masa shtesë që të inkurajojnë Kinën që ajo të ndryshojë praktikat në fjalë, të hapë tregun për produktet amerikane dhe të pranojë një tregti më të balancuar me SHBA-të.

Pasi ka vënë theksin se tregtia SHBA-Kinë duhet të jetë në një nivel më të barabartë, Trump thekson se “Për këtë arsye USTR-së i kam dhënë udhëzim që të përcaktojë produktet me origjinë kineze me vlerë prej 200 miliardë dollarë ndaj të cilave do të zbatohet tarifa shtesë me 10 për qind. Këto tarifa do të hyjnë në fuqi pas plotësimit të procesit ligjor nëse Kina refuzon të ndryshojë praktikat e saj dhe nëse insiston të vë në zbatim tarifat që ka njoftuar më parë”.

Po ashtu Trump ka cekur edhe rrugën që do të ndiqet në rast se Kina do të kundërpërgjigjet sërish. “Nëse Kina rrit sërish tarifat e saj, atëherë ndaj kësaj do të përgjigjemi duke vendosur një tarifë shtesë doganore ndaj produkteve me vlerë 200 miliardë dollarë”, thotë ai.

Administrata e Washingtonit njoftoi të premten e kaluar se duke nisur nga 6 korriku 2018 do të zbatonte një tarifë doganore shtesë prej 25 për qind mbi produktet e teknologjisë me një vlerë mbi 50 miliardë dollarë të importuara nga Kina. Pas këtij hapi, qeveria kineze njoftoi se do të zbatojë tarifat prej 25 për qind për 659 produktet me vlerë 50 miliardë dollarë të importuara nga SHBA-të.