` . Trump: Nuk kam asnjë lidhje apo marrëveshje me Rusinë – TV-SHENJA

Trump: Nuk kam asnjë lidhje apo marrëveshje me Rusinë

Presidenti i zgjedhur i SHBA-së Donald Trump, ka thënë sot se pretendimet se Rusia ka në dorë informacione kofidenciale në lidhje me gjendjen e tij financiare dhe jetën private mund të jenë servirur nga njësitë e inteligjencës amerikane, raporton AA.

Trump ka organizuar konferencën e parë për mediat në New York pas zgjedhjes së tij si president i këtij vendi. Në këtë konferencë për mediat Trump i është përgjigjur pyetjeve dhe pretendimeve se Rusia ka gisht në zgjedhjet e kaluara dhe se disponon informacione kofidenciale në lidhje me jetën e tij private si dhe ekonominë e tij.

Pretendimet në fjalë Trump i ka cilësuar si “lajme të stisura” dhe “armiqësore”, si dhe të publikuara nga njerëz të sëmurë. “Kjo është një absurditet dhe mbase janë servirur nga inteligjenca amerikane. Nëse qëndron kjo atëherë do të vënë vetes një njollë të madhe”, tha ai në fjalën e tij.

Duke vënë në dukje se ai nuk ka asnjë lidhje apo marrëveshje me Rusinë, nuk e di nëse do të ketë marrëdhënie të mira ose jo me ta, por se do të provojë të bëjë një gjë të tillë, Trump në vijim tha se e cilëson si një vlerë faktin që Presidenti i Rusisë Vladimir Putin e do atë.

“A besoni se Hillary do të ishte më e ashpër ndaj Putin-it? A i beson kush kësaj me të vërtet?” tha Trump dhe më pas shtoi se organizatën terroriste e ka krijuar qeverisja e tanishme e SHBA-së dhe se Rusia mund të ndihmojë SHBA-në në luftën kundër kësaj organizate.

Ndërsa në lidhje me çështjen e hakerimit, Trump tha: “Mendoj që pas kësaj fshihet Rusia, por mendoj që ka edhe persona si dhe shtete të tjera të përfshirë në këtë histori.”

Kompanitë do t’ia kalojë fëmijëve

Ndërsa në lidhje me të ardhmen e biznesit të tij, Trump ka thënë se drejtimin e kompanive që ai disponon do të ja kalojë fëmijëve të tij. “Dy djemtë e mi do të kenë drejtimin e kompanive dhe nuk do të konsultohen për asnjë gjë me mua.”

Nga ana tjetër edhe avokati i Trump, Sheri Dillon, në një konferencë për mediat ka dhënë informacion në lidhje me këtë temë.

Dillon ka vënë në dukje se Trump do të ndajë punët e qeverisjes së shtetit me ato të kompanive të tij. Ai ka theksuar se Donald Trump dhe vajza e tij Ivanka do të heqin dorë nga të gjitha detyrat që kanë në këto kompani.