` . Trump dyfishon tarifat ndaj importeve të çelikut dhe aluminit të Turqisë – TV-SHENJA

Trump dyfishon tarifat ndaj importeve të çelikut dhe aluminit të Turqisë

Presidenti amerikan, Donald Trump ka thënë se ka autorizuar dyfishimin e tarifave në çelik dhe alumin për importet nga Turqia, teksa rritet konflikti diplomatik pas ndalimit të një pastori amerikan në Ankara.

Përmes një postimi në Twitter më 10 gusht, presidenti amerikan ka përmendur zhvlerësimin e lirës turke kundër “dollarit tonë shumë të fuqishëm”.

“Sapo autorizova dyfishimin e tarifave në çelik dhe alumin teksa valuta turke, lira turke bie me shpejtësi në krahasim me dollarin tonë amerikan”, ka thënë presidenti amerikan.

“Tarifat në alumin tani do të jenë 20 përqind dhe çeliku 50 përqind. Marrëdhëniet tona me Turqinë nuk janë shumë të mira në këtë kohë”, ka shtuar ai.

Në muajin qershor, Shtetet e Bashkuara kanë vënë tarifa 10 përqind në importet e aluminit dhe 25 përqind në ato të çelikut kundër disa prej partnerëve globalë, duke e arsyetuar këtë vendim me praktika të padrejta tregtare.