` . Trudeau nuk kërkon falje për komentet lidhur me Trump-in - TV-SHENJA

Trudeau nuk kërkon falje për komentet lidhur me Trump-in

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, nuk kërkoi falje për komentet të publikuara në një video më herët gjatë samitit të NATO-s në Londër në të cilën ai dëgjohet duke u bërë shaka për presidentin e SHBA-së Donald Trump, raporton AA.

Një video virale në të cilën shihej Trudeau dhe disa liderë të tjerë, përfshirë kryeministrin britanik Boris Johnson, presidentin francez Emmanuel Macron dhe vajzën e mbretëreshës britanike, Princeshën Anne, duke folur për Trump, bëri që presidenti amerikan ta quante Trudeau-n “dyfytyrësh”.

Videoja është xhiruar në Pallatin Buckingham të martën dhe në grupin e liderëve, kur Johnson e pyeti Macron-in se pse ishte vonuar.

Trudeau bën shaka duke thënë se presidenti francez është vonuar sepse ka marrë pjesë në një “konferencë të shkurtër shtypi” me Trump.

I pyetur nga gazetarët për komentet e tij në video, Trudeau tha se ai thjesht informoi liderët e tjerë për njoftimin e Trump se takimi i ardhshëm i G7-tës do të mbahet në Camp David në SHBA.

“Mbrëmë, unë iu referova faktit se kishte një konferencë shtypi të paplanifikuar para takimit tim me presidentin Trump dhe isha i lumtur që mora pjesë në të”, tha Trudeau, duke iu referuar takimit të paplanifikuar të Trump-it me Macron-in.

Ndërkaq, i pyetur nga gazetarët në lidhje me komentet, Trudeau nuk kërkoi falje dhe nuk tha nëse e ka diskutuar videon me presidentin amerikan.

Trump, megjithatë, dha një interpretim tjetër kur dëgjoi komentet nga videoja.

“Ai është dyfytyrësh”, ka thënë Trump në përgjigje ndaj asaj që shihet të jetë koment i Trudeau-s për konferencën e gjatë dhe të paplanifikuar të Trump-it me Macron-in.

Trump tha se thashethemet e Trudeau-s mund të jenë rezultat i presionit nga mospërmbushja e synimit prej 2 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto për shpenzime në mbrojtje në NATO.