` . Tridhjetë qilare – TV-SHENJA

Tridhjetë qilare

Dikush tha se zemrat janë si kandila! Fitilat i kanë të njomë, ndaj i merr flaka shpejt e rrëmbyeshëm. Tjerët thonë se zemrat çelin nëpër shkronja librash dhe nota pentagrami. Aty, mes rreshtash, marrin jetë për ta lanë atë, vogëlsinave…

Shkruan: Fjolla SPANCA, Mitrovicë

Nata që shkoj la pas vetes një aso ndjesie t’ngatërrueme, që mbi të gjitha të shtyen me menu përtej jetës pa menim! Nata që shkoj, ish hileqare! Veç na shkrumboj n’dehje e na la, fillikat! Besa, na la te hutuem! T’habitun prej tanë atij vrulli! T’mahnitun prej qosheve tinëzare të menjes, që qenë pluhnue kahera! Nata qe përmendje. Përkujtim se Menimi i Naltë asht Udha, e pakryeme! Sokak prej ku dalin rrugicat e ngushta për tek i Mrami Stacion, nga ku pastaj, e Bardha bahet shtrojë e jona!
Nata ish 30. Tri dhjetëshe të stolisuna me Dashni! 30 andrra t’ngujueme n’frymë që guxuen me i hallakatë vështrimet e atyne që guxojnë me i dal kundra vetit. 30 degë ullini që i shplanë trupat e zehruem me zem-zem. Po aq kokrra fiku amëlsisht i lagën buzët e përzhitunan’mall! 30 ditë kalamendje odave t’vetmueme. 30 djej çelën mbi vjetërsinat vetmitare të këtij shpirti, që ish heshtue prej frikës. Në çdo agshol, 30 rreze gozhdonin synin e pabindun. Përkundej shpirti n’qetësi qiejsh! Oh, ç’qetësi! Paqe e Lehtë! Dhe pastaj, mbas çdo muzgu, 30 herë pyesja veten se ç’njeri asht njeriu pa menim? A është ai akoma njeri?

Kanga jonë

Nata ish yrnek për ditët që pasuen ngadalë por furishëm; ashtu si uji i kronit n’Pranverë t’hershme. Atyre netëve, nuk ishim shumë, por as pak. Unë dhe vetja! Nji soj paqeje e dëshirueshme. Nji paqtimi munguar. Jo, s’ishim shumë, për aq kohë sa s’dukej kund Vetja tjetër. Ajo që shpesh herë ma zë frymën me hatër. E vockla vete’ që ço krye tue ma ul zemrën n’arat e pa lëvrume … pra, ishim aq sa me e çlirue trupin prej mykut t’paditunisë! Aq, sa me e kuptue se Dashnija asht Kanga jonë; e para fjalë që na shoshit deri n’kërcellë.

Halvet a n’hall t’vet

Për 30 ditë rresht, pa e kuptu dhe pa u sforcu e pash vetën në nji qoshk të huej, shkëputun prej marakut të përbotshëm. Besa, s’ish krejt e kollajtë. Vetmia asht magji dhe si e tillë bahet nji farë gërryese sistematike tuneleve të menjes dhe shpirtit. Mbase prandaj, asht nji fije e randë. Ditët vetmitare u shtruen në 30 qilare, ku gatuhej pastër e më bollëk, uria. Të ftohta ishin ato kthina, por ama tështyenin me e ruejt mirë veten. Aty shtroheshin sofrat e Bardha. Sofra me muhabete t’zgjedhuna. Jabanxhi ishim tëgjithë: sytë, vetullat, balli, hunda, veshët, buzët, duart, krahnori, veshkat, kambët, gishtat, flokët, thonjtë, zorrët, damarët, mishi, gjaku … mysafirë t’ftuem n’qilarët e Vetmisë. Secili n’hall t’vet. Si me qenë, tujjetun’gurbet!
Jetuam aq sa Fryma aty na dukej gja e rrallë. E papërsëritun. Frymuam me frikën se s’kishim për t’i zënë më ato erna shpirti. Jetë dhe frymë e açikume!

M

Mall
Mëngjesor.
Muhabet
Mjalte
Mungojnë
Mëritë!
Muhabete,
Mjedrash!
Mangët
Marazi
Madhnueshëm
Malli,
Mjaftueshëm
Mall,
Malli jem
Muhamed!

Qysh me e djeg zemrën?

Dikush tha se zemrat janë si kandila! Fitilat i kanë të njomë, ndaj i merrë flaka shpejt e rrëmbyeshëm. Tjerët thonë se zemrat çelin nëpër shkronja librash dhe nota pentagrami. Aty, mes rreshtash, marrin jetë për ta lanë atë, vogëlsinave…
Ama ai Miku që për 30 dit e nat i ngjyu qilaret, me ma t’bukurat vargje, na diftoj se zemrat janë baule qiellnore që rrotullohen derisa të bahen NJI. Baule kujtimesh e idhnimesh që digjen deri n’frymën e mramë, për me u afrue me t’Dashtunin! Zemrat, ato arkëza sekretesh që lundrojnë n’Tokë pa kalendar. Pupëza të ndrojtuna lutjeve t’nisuna për tek AI!

E pyeta zemren nji natë
A t’kapërvlue Malli?
Ajo uli kryet
e prej marres,
s’nxorri asnji Fjalë
veç dy pikëza që e shtuen edhe më, Mallin.

Ajo s’tha gja
veç u rrotullue
Vetmitare,
e heshtun.

n’ag, në loçkë t’saj
bani Dritë, Emni yt!

Sa herë kam dashtë me ik prej hallit, më kapërthekue nji ndjesi e qashtër, e cila me çonte te bunari e më linte pa pi ujë! Sa herë kam kërkue më u liru prej nyjave që ma nxejshin frymën, gjithmonë aty dilte nji gazele që ma vjedhte menjen, e me bante me i shkuemas! Herë me e herë pa menje. Shpërfillshëm. Ftillueshëm ose hutueshëm. Por, këtij moti kur dola prej qilarit, për të parën herë në tanë këto vite jetë, më mbërtheu nji dridhmë e fortë nëpër trup. S’la vend pa m’pickue mërzia e Atij që u largue. Veçse bojë e Diellit ish tepër e bukur për synin tem! Po aq, ish frymëzuese pragmram jan’ shoqnit’ atyne që jetojshin larg shpellës sime. Secili sosh ish i dashtun e i rrallë. I afërt dhe i largët! Ishin krejt tuj e kërkue Atë që e kisha pas lyp edhe unë, nji muej rresht! Kërkujt nuk i shkruhej se asht ma i miri, dhe as ma i ligu! Secili kish guralecë n’ballë, mu tamli i qilarit! 30-të pranvera n’krahnor; 10 të tilla mu n’Shpirt! 7 palë frymë për Anej! Fundja, udha për te AI qenka përpjekje e përbashkët, Dashni pa kusur për çdo grimcë nga Krijimi i Tij!