` . Triada kritike e Ballkanit: Kufitarizmi si anakronizëm – TV-SHENJA

Triada kritike e Ballkanit: Kufitarizmi si anakronizëm

Paqja me çdo kusht në Bosnjën e pas-Dejtonit (1995) ka gjeneruar një shoqëri fragjile, jofunksionale, një shtet të dështuar, ku pala që realizoi krimin dhe që u shpërblye me 49 % të territorit ndonëse përbënte vetëm 33 % të popullatës, vazhdimisht kërcënon qendrën, Sarajevën me secesionizëm, gjegjësisht me bashkim Serbinë, e cila i ka zgurdulluar sytë duke synuar zgjerimin post-luftarak pas humbjes së Kosovës që e kishte okupuar për një shekull.

Shkruan: Ali PAJAZITI, Shkup

Gadishulli Ballkanik është në epiqendër të vëmendjes që nga fillet e viteve 1990-të, kur u përjetua një kalvar trishtues, me pasoja tragjike për historishkrimin dhe ardhmërinë e këtyre trojeve, që do të mbeten në kujtesën kolektive dhe individuale të brezave për keq, për barbarizëm, gjenocid dhe gjëra që s’i zë lapsi as i rrok mendja e njeriut normal, gjithë kjo si pasojë e rigjallërimit të etno-nacionalizmave të ashpër, botëkuptimeve të ngushta që komshiun e deridjeshëm nisën ta kuptojnë dhe ta përkufizojnë si “tjetri kërcënues”, të cilin duhej dëbuar ose zhdukur. Dhe, thuajse tre dekada më pas, në këtë gjeografi sërish ka tensione, trazira, ligjërime të ngjashme si ato të dikurshmet. Ende flitet për ndryshim kufijsh, për bashkime, unifikime, për makro-teori shtetare. Në këtë konstelacion tre shtete janë në gjendje kritike: Bosnja, Kosova dhe Maqedonia.

 Bosnja: Krim-republika kërcënon kurbanin

Paqja me çdo kusht në Bosnjën e pas-Dejtonit (1995) ka gjeneruar një shoqëri fragjile, jofunksionale, një shtet të dështuar, ku pala që realizoi krimin dhe që u shpërblye me 49 % të territorit ndonëse përbënte vetëm 33 % të popullatës, vazhdimisht kërcënon qendrën, Sarajevën me secesionizëm, gjegjësisht me bashkim Serbinë, e cila i ka zgurdulluar sytë duke synuar zgjerimin post-luftarak pas humbjes së Kosovës që e kishte okupuar për një shekull. Beogradi, i udhëhequr nga një klikë radikale, po e mban gjithë Ballkanin në një ngërç permanent, duke i provokuar shtetet e reja përreth, në veçanti Bosnjën dhe Kosovën, që s’mund ta kapërdijë si entitet të pavarur edhe pas 19 viteve. Kultura politike serbe është e infektuar rëndë nga një ideologji prapanike e kufitarizmit, e hapjes, zgjerimit të kufijve drejt tokave të reja, duke e lëkundur seriozisht në veçanti Bosnjën gjysmë të zbrazur, pa njerëz dhe në një dekadencë të madhe ekonomike dhe psikologjike. Siç duket, Serbia atë që s’mundi ta realizojë përmes agresionit, synon ta realizojë përmes presionit ndaj bashkësisë ndërkombëtare, duke e marrë si pretekst Kosovën, duke synuar ta kompensojë atë me një ekspansionizëm tjetër, në perëndim të saj, përtej Drinës së larë me gjakun e muslimanëve boshnjakë si capri espiatori (kurbanit) të neglizhencës europiane. “Shkolla e Millosheviqit”, e kamufluar me demokraci, përdor të gjitha metodat për ta bërë Republika Sërpska-n Serbi. Sikur të ndodhte një gjë e tillë, kjo do të ishte një deprimim i madh për gjithë botën, një akt i ekzekutimit të popullit boshnjak, që s’ka vatër tjetër, pos Bosnjës, e të cilën e mbrojti me mbi 200 mijë qytetarëve të ekzekutuar në mënyrat më mizore. Çështja e kufijve të brendshëm artificialë vazhdon të rrezikojë Bosnjën natyrale, ku edhe kroatët e shohin ëndrrën e bashkimit të Hercegovinës me Zagrebin, ndonëse politika zyrtare kroate e luan më mirë lojën politike sesa ajo serbe. Ndarja territoriale e Bosnjës në dy entitete (Federate dhe RS) është treguar si jofunksionale dhe si bllokuese e proceseve. Çka nëse ndodhë tkurrja e Bosnjës? Orekset politike të Serbisë do të zgjerohen përnjëherë edhe në Kroaci dhe Kosovë, do të ndodhë një fitore e madhe e politikës shoviniste dhe pansllaviste. Serbia gjenocidale do të kthehej fuqishëm në skenë dhe do të merrte bajrakun në dorë në katër anët e këtij nënqielli, gjë që do t’i trimëronte të gjithë aktorët e tjerë të dhunës në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ndërkohë Sanxhaku do të kërkonte bashkimin me Bosnjën, që do ta transferonte debatin në rrafshin fetar, segment ky i kalimit në ujëra më të rrezikshme, të rreshtimit religjioz. Në vitin 2012 Fondacioni “Friedrich Ebert” në kryeqytetin e Bosnjës prezantoi projektin “BeH 2025: Skenarët për zhvillimin e ardhshëm të ngjarjeve”, ku 20 ekspertë profetë-socialë, shpalosën pesë skenarët e mundshëm për të ardhmen e këtij vendi në vitin 2025: (1) “Dayton Mail” –asgjë nuk ndryshon; (2) “Trans BiH Arrow” – shtet i decentralizuar, funksional, anëtar i BE-së, me ekonomi të zhvilluar, që i respekton të drejtat e njeriut; (3) “BiH Union Express” – shtet i centralizuar, anëtar i BE-së, i etabluar pas tendencës për shkëputje të Sërpskas, konfliktit të brendshëm dhe ndërhyrjes së NATO-s; (4) “Western Balkan Inter City” – BeH dhe shtetet fqinjë në BE, ndarjet etnike bëhen të pakuptimta (Procesi i rilidhjes së shteteve është realizuar përmes elementeve motivuese, si ndërvarësia ekonomike, vlerat e njëjta sportive dhe kulturore, perspektiva e përbashkët, eliminimi i barrierave gjuhësore.); (5) “Tripartite Border Train” – skenari më kontrovers dhe më pesimist – shpërbërja e Bosnjës: tre entitete të reja Republika Sërpska, Shteti Kroat dhe Shteti Boshnjak, ndarje kjo që vërtetohet me “Dayton 2022”. Sido që të jetë, një gjë është evidente: Bosnjë do ketë, pa marrë parasysh sa do të jetë ajo, sepse ka një popull që e do atë, ka një ndërgjegje politike që e mbron me mish e me shpirt.

 Kosova: Veriu si tetivë akiliane

Sërish Serbia në aksion dhe sërish një sakrificë, me hark kohor më të gjatë të okupimit sesa Bosnja. Kosova, shteti më i ri europian, me popullatën më vitale në kontinentin e vjetër provokohet nga enklava serbe e Mitrovicës dhe veriut. The New York Times i 19 shtatorit me titullin Talk of Ethnic Partition of Kosovo Revives Old Balkan Ghosts (Debatet rreth ndarjes së Kosovës ringjallin fantazmat e vjetra ballkanike), duke e cilësuar këtë shtet si “tokë hidhërisht e kontestuar” thotë se sinjalizimi që bëri Trump-i për gatishmërinë e tij rreth shkëmbimit të territoreve bie ndesh me politikën amerikane për të mbështetur një Kosovë të pavarur etnikisht të përzier. Shqiptarët, nga viti 1980-të, e luajtën lojën politike në mënyrën më të mirë, me protesta, gandizëm vendor (rugovizëm) e ballafaqim luftarak, e fituan simpatinë e kombeve dhe në fund ia arritën qëllimit: Kosova shtet sovran. Tani, në këtë fazë kritike, kur Serbia ka në dorë një kartë të dytë shumë të rrezikshme për rajonin, Veriun e Kosovës, duhet guxim dhe urtësi plotikëbërieje që puna të çohet deri në fund, që oponenti të mundet pa pasoja për paqen e vendit dhe rajonit. Kosovës i duhet një vetëdije e jashtëzakonshme dhe një sens anticipimi i të së ardhmes. Koha punon për kosovarët dhe shqiptarët. Nervoza dhe paniku janë në anën e serbëve, që kanë qasje retrograde, tendencë për rikthim të gjendjes së kaluar edhe përkundër krimeve të bëra dhe fajësisë së njohur botërisht. Vetëllogaria do të ishte më pragmatike për Serbinë: serbëve u duhet ballafaqim i ngjashëm që gjermanët kanë pasur me nazizmin, duhet të realizojnë diçka të ngjashme me denacifkimin.

Procesi i shtet-ndërtimit të mirëfilltë kosovar do ta bindte edhe faktorin ndërkombëtar, por edhe vetë Serbinë, se shqiptarët e meritojnë shtetin e dytë dhe se janë të gatshëm për garën europiane dhe globale. Imazhi i mirë ndërtohet në saje të një shoqërie me vlera sociale, me meritokraci, luftë kundër korrupsionit, avancime në arsim, kulturë, me progres ekonomik, me partneritet me fuqitë vendimmarrëse, me aktivizëm konstruktiv me fqinjët. Pas 20 viteve Kosova a do të jetë pjesë e Shqipërisë apo shtet sovran modern, me marrëdhënie të natyralizuara me Serbinë, ish-dhunuesin e vet? Kjo varet nga hapat që do të ndërmarrë Serbia dhe nga tabela e shahut internacional.

Përvoja flet se shqiptarët, më shumë sesa boshnjakët, e kanë të zhvilluar ndjenjën e kujtesës historike, përjetojnë, mbajnë mend dhe regjistrojnë dhe janë larg Sindromit të Stokholmit, që nënkupton një gjendje psikologjike që përfshin lidhjen dhe ndjenjat pozitive të viktimës kundrejt rrëmbyesit, në këtë rast, dhunuesit. Do të ishte hiperoptimist skenari se shumë shpejt do të ndodhë “miqësia shqiptaro-serbe”, ndonëse politikat integruese europiane imponojnë kooperimin me fqinjët, bashkëjetesën pa fërkime, identitetin europian para atyre nacionale. “A mundet që europianizmi të jetë frymë që do ta bëjë mbinacionalen dominuese edhe në Ballkan?”, kjo është një pyetje, përgjigjja e së cilës fshihet diku në ardhmëri. Edhe Kosovë do të ketë, shtet kosovar po ashtu, sepse është produkt i drejtësisë superiore që s’e toleron padrejtësinë. Themelet e Kosovës janë të shëndosha: nën të qëndrojnë eshtrat e dëshmorëve dhe është ndërtuar edhe me krahun e fuqive të mëdha që e kanë parasysh sfidën Ser-Rusiane.

 Maqedonia e post-Gruevizmit: Hapërimi drejt normales

“Dita më e zezë në demokracinë e Maqedonisë moderne, të pavarur (Mickovski), “R.I.P. Macedonia”, “Katastrofë”, “Populli të hyjë në Kuvend”, “Ku.va tradhtare!”, “Mos i zëntë sabahu!”, “Zoti ju gjykoftë!” Janë këto disa nga komentet në mediat dhe rrjetet në gjuhën maqedonase pas votimit të Marrëveshjes së Prespës dedikuar 80 deputetëve që më 19 tetor e nisën procesin e ndryshimeve kushtetuese, që hapin një faqe të re të jetëshkrimit të Maqedonisë si shtet dhe shoqëri. Periudha e diktaturës dhjetëvjeçare të Gruevskit dhe VMRO-DPMNE-së, që implementonte një politikë iliberale, partitokratike, shpesh edhe me ngjyrime fashizoide, dalëngadalë, por sigurt, po mbyllet. Në këtë drejtim shqiptarët kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm edhe përkundër provokimeve permanente etnocentriste dhe religjiocentriste që nga 2001 e këndej, në veçanti në periudhën 2006-2016. Kështu në zgjedhjet e fundit parlamentare е nokautuan “boksierin” (Gruevskin) me një pjesë të votave të tyre në taborin politik maqedonas të moderuar dhe, së fundmi, me PRO-në referendumiane të 30 shtatorit 2018. Emri i ri i shtetit (Maqedonia e Veriut) sjell një konstelacion tjetër të gjërave: thyhet monopoli i shtetbërjes etnike. Më në fund, Maqedonia i ka gjasat më të mira në historinë e vet që ta akceptojë realitetin, të bëhet varkë e të gjithëve drejt BE-së dhe NATO-s, drejt një të ardhmeje më mirë. Skenari i ruajtjes së status quo-së i prish të gjitha baraspeshat, krijon një amulli, në të cilën askush s’e di se nga do ia mbajë. Ndërkohë, pengesë është mentaliteti etnik maqedonas, që dita-ditës po dobësohet, kjo për dominim të padiskutueshëm ndaj grupimeve të tjera etnike, dhe kulti i shtetit që e perceptojnë si të vetin, ndërsa të tjerët si varrmihës të kauzës së tyre. SHBA-të dhe BE-ja dalëngadalë po e fusin “djallin” politik në shishe dhe tani janë kah ia vënë tapën. Sot Maqedonia i ka të gjitha parametrat për t’u deetnizuar, për t’u bërë një shtet shumetnik funksional. Përralla për Maqedoninë si shtet nacional i sllavo-maqedonasve mbetet për analet e historisë, ndonëse një pjesë e mirë e maqedonasve s’mund ta kapërdijnë këtë të vërtetë. Në këtë aspekt, shqiptarët duhet të vazhdojnë me politikën e urtë për një shtet si “shtëpi të të gjithëve”. Shqipëria dhe Kosova me vizionaritet kanë ndërtuar një ligjëratë që asnjëherë s’ka shprehur pretendime territoriale ndaj Maqedonisë si një shtet me “etnitetin më të madh” (maqedonasit etnikë) me “mangësi fabrike”: gjuha, religjioni dhe emri i kontestuar. Maqedoni do të ketë për aq sa maqedonasit do të duan bashkëjetesë, në një shtet me konstrukt shumë më të ndryshëm se ai i deritanishmi: qytetar.

 Konkluzione

Kufijtë janë përshkruesi i diagnozës së sëmundjes ballkanike. Ndryshimi i sërishëm i kufijve është shumë i rrezikshëm. Kërkesat e kombeve ballkanike mund të jenë nga më të ndryshmet, maksimaliste. Vetëm politika e multikulturalizmit mund t’i shpëtojë këto tre shtete fragjile, skaj të cilave gjendet destabilizatori, Serbia, që ka një klitor të fortë – Rusinë putiniane, që tenton ta mbajë rajonin brenda një klime të nebulozës politike, brenda një statusi të paqartë, larg Perëndimit Serbia vazhdon të mbetet kunji që po e çan trungun proeuropian, por që me vete e bart barrën e një të kaluare të afërt të pahijshme, kompleks dhe mëkat akilian ky që do duhet me vepra të lahet e të paguhet. Shqiptarët janë një faktor tepër i rëndësishëm në rrjedhat e Ballkanit të mileniumit të ri, kur me siguri nuk do ketë Mesi nga qielli, por mund të ketë inxhinierë socialë të mençur, që dinë ta lexojnë kohën dhe rrethanat. Bosnja, Kosova dhe Maqedonia janë në një gjendje të raporteve antagoniste mes zbutjes (de-escalation) dhe përshkallëzimit (escalation) (Kriesberg, 1981). Shpresa mbetet që, me kontributin e të gjithë aktorëve, edhe kësaj gjeografie, siç do të shprehej Herodoti,“t’i trokasë lumturia në derë”.