` . Tri deceniet e Kosovës – TV-SHENJA

Tri deceniet e Kosovës

Shkruan: Kushtrim SHEHU, Prishtinë

Problemi i Kosovës në gjenezë është problem i përballjes së dy qytetërimeve, të cilat në garë dominimi kundër njëra-tjetrës u mundën nga një proces i tretë shoqëror me prejardhje nga Perëndimi, të cilin shkencat humane e quajnë modernitet. Si një territor i sunduar nga Perandoria Romake, Bizanti e, më pas, shtetet mesjetare bullgare dhe serbe dhe, më vonë, nga Perandoria Osmane, Kosova ka qenë vendi qendror i ballafaqimit të këtyre forcave.

Duke qenë historikisht territor i banuar nga një popullsi autoktone, e cila në mungesë të konsolidimit social-politik vetanak, si zgjidhje të vetme e ka pasur integrimin e saj në strukturën shoqërore të sunduesve. Natyrisht, ky integrim ka sjellë simbiozën e saj, e cila më pas ka ndikuar në formësimin identitar të kësaj popullsie, gjegjësisht shqiptare. Shembulli më i dukshëm i saj mbetet te pranimi i besimeve monoteiste te shqiptarët. Që të dyja besimet, Krishterizmi dhe Islami, bëjnë pjesë në themelet identitare shqiptare, të cilat në ballafaqim me modernitetin i lëshojnë vend identitetit dhe përkatësisë etnike, duke dogmatizuar në nivel besimi dhe feje çdo gjë e cila ndërlidhet me etniken, kombëtaren ose populloren. Ky proces rivaliteti i brendshëm ka privilegjuar bartësit e modernitetit, përkatësisht politikanë, atdhetarë dhe patriotë, në njërën anë, duke nëpërkëmbur prijësit fetarë, në anën tjetër, si përfaqësues të rendit të vjetër në rënie.

Rrënimi i Perandorisë Osmane, copëtimi i arealit jetësor shqiptar, ngelja nën pushtimin serb, malazez dhe grek të shqiptarëve, e ka bërë situatën e çështjes shqiptare edhe më komplekse. Identiteti kombëtar i padefinuar dhe emancipimi social-politik i pazhvilluar, si parakushte të konsolidimit shtetëror, janë pasqyrat e vazhdimësisë së problemit për mbarë çështjen shqiptare edhe sot. Nën sundimin e Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene shqiptarët më shumë identifikoheshin si pakicë fetare, duke pasur një organizim dhe mendësi politike të trashëguar nga e kaluara osmane. Pas Luftës së Dytë Botërore, formimi i Jugosllavisë së re dhe ideologjia komuniste si pjesë e modernitetit i ka joshur edhe shqiptarët të jenë pjesë e këtij transformimi, duke u përfaqësuar më shumë në sferën politike mbarëjugosllave. Ndonëse ky përfaqësim ishte selektiv, prapëseprapë sistemi jugosllav ka pasur ndikim të jashtëzakonshëm si periudha më modernizuese në historinë e shqiptarëve jashtë shtetit shqiptar.

Projekti jugosllav më shumë se vizion komunist ishte përfundim i konstelacioneve të dominimit politik perëndimor me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Sovjetik. Marrëveshja e tyre për Europën e pasluftës e vendosi fatin edhe të shumë popujve të vegjël, përfshirë edhe shqiptarët. Jugosllavia ishte një përzierje popujsh, të cilët historikisht kishin luftuar me njëri-tjetrin duke bërë narracion mistfikimi kombëtar armiqësinë dhe luftën kundër tjetrit. Kjo trashëgimi, bashkë me disponimin dhe ndikimin perëndimor, solli shkatërrimin e projektit të Jugosllavisë.

Një shtet në miniaturë: Kosova 1974

Pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë nuk ngeli një elitë e vazhdueshme shoqërore-politike e cila mund të ishte prijëse e proceseve. Fillimisht u përndoqën, më pas u arrestuan dhe u likuiduan të gjithë ata elementë të cilët përfaqësonin vazhdimësinë elitare të popullit shqiptar të mbetur nën Jugosllavi. Ky proces i deelitizimit u bë nën presionin nacionalist serb krahas domosdoshmërisë modernizuese jugosllave dhe heshtjes ose detyrimit të qetësisë edhe nga shqiptarët komunistë. Largimi i dhunshëm i shqiptarëve mbetet një ndër krimet më të mëdha të shtetit jugosllav deri në vitin 1968 kur Kosovës iu njoh një subjektivitet i cili ishte themel i mëvetësisë si organizim politik, edhe pse ky mëvetësim nuk kishte një dobi në konsolidimin kombëtar të shqiptarëve në Jugosllavi, sepse i përgjysmonte ata në disa shtete duke humbur kompaktësinë dhe mobilitetin kombëtar.

Një dukuri e re, e cila s’do mend se te serbët ishte e papranueshme, ishte udhëheqja e Kosovës nga shqiptarët komunistë, të cilët ndonëse të brumosur me ideologjinë komuniste të bashkim-vëllazërimit, nuk ndaluan të krijojnë instrumente dhe mekanizma tejet kontributdhënëse, të cilat e ngritën natyrshëm mirëqenien dhe nivelin emancipues të shqiptarëve. Arsimimi i shqiptarëve në institucionet e larta në mbarë qendrat arsimore të Jugosllavisë, fillet e industrializmit, zgjerimi i rrjetit arsimor në gjuhën shqipe dhe hapja e Universitetit të Prishtinës ishin vërtetë “Pushtimi i Hapësirave të Reja” për shqiptarët. (“Pushtimi i Hapësirave të Reja” është quajtur nga kritikët e artit pamor cikli i pikturave të piktorit shqiptar nga Kosova me famë botërore Akademik Muslim Mulliqi, i cili qe i pari piktor modernist shqiptar nga Jugosllavia, që kishte shpërthyer kufijtë politikë dhe imagjinarë të paragjykimeve për shqiptarët nga vetë kombet dhe kombësitë që përbënin Jugosllavinë, deri atëherë të atribuara për shqiptarët si “njerëz me bisht”, “të egër” dhe “hamallë”.) Jugosllavia përbënte modelin më të spikatur përbrenda botës komuniste për nivelin e përfaqësimit dhe vetëqeverisjes në mbarë sferat e udhëheqjes dhe administratës së saj. Duke u nisur nga kjo premisë, shqiptarët – si pjesë shumicë në territorin e tyre – shumë shpejt arritën të krijojnë një pasqyrim të ri të implementimit të interesave të tyre shoqërore përbrenda sistemit jugosllav. Edhe pse tërë kjo ecuri zhvillimi përbënte një dualitet të ashpër nacionalizmi dhe përplasjeje serbo-shqiptare, prapëseprapë deri më 1980 sistemi jugosllav ishte më i qëndrueshëm përballë tyre.

Viti 1989 – filli i tragjedisë bashkëkohore në Ballkan

Ky zhvillim solli edhe shpërthimin e situatës nën petkun nacionalist pikërisht në kohën kur superstruktura shtetërore në Perëndim filloi të konsolidojë organizime politike mbinacionale dhe nacionalizmi si ideologji konsiderohej i tejkaluar. Serbët, duke pasur themel nacionalizmin, arritën të mobilizohen dhe të luftojnë përballë tërë kombeve të tjera të Jugosllavisë nën strukturën e trashëguar të vet shtetit jugosllav. Filli i këtij mobilizimi u bë në Kosovë. Po ashtu edhe fundi i kësaj tragjedie ngjau në Kosovë. Fjalimi i famshëm i liderit të ekspeditave të përgjakura serbe Sllobodan Millosheviq më 1989 ngjasonte me premtimet e ushtarakëve të mesjetës, të cilët nuk njohën tjetër, pos terrorit, masakrës dhe krimit kundër të tjerëve, e që – siç dihet – filloi në Kosovë. Ky fill ishte fundi i parimit jugosllav të barazisë kombëtare. Shumë shpejt do të përndiqeshin të gjithë ata të cilët dilnin përballë erës së fortë shoviniste serbe. Demonstratat si forma paqësore të mospajtimit shoqëror u kthyen shumë shpejt në fusha të përgjakura të dhunës. Suprimimi i autonomisë së Kosovës më 1989 dhe rikthimi faktik i pushtimit serb në Kosovë qe sihariqi i shkatërrimit të Jugosllavisë. Kapërcimi i krizës së shtetit jugosllav nga Kosova drejt Sllovenisë, Kroacisë dhe, më pas, Bosnjës bëri që të fitonte edhe vëmendje ndërkombëtare. Falë shtytjes në kohë dhe ndërkombëtarizimit të problemit jugosllav, shqiptarët e Kosovës i shfrytëzuan këto duke krijuar përfaqësimin e tyre politik paralel pushtetit okupator serb. Duke qenë tanimë të njohur me proceset ndërkombëtare, vlerat pluraliste dhe parimet demokratike të organizimit shtetëror, ata krijuan parti politike në konkurrencë për udhëheqje, por në konsensus dhe unitet të plotë në qëllimin politik të pavarësisë së Kosovës. Kësisoj gjatë kohës së zhvillimit të konfliktit të armatosur në Slloveni, luftës në Kroaci dhe gjenocidit në Bosnjë, shqiptarët e Kosovës, përmes udhëheqjes politike të përfaqësuar nga Dr. Ibrahim Rugova, arritën ta sensibilizojnë çështjen e Kosovës bashkërisht me ndihmën dhe lobimin e diasporës shqiptare në mbarë botën. Rugova e kishte nuhatur shumë mirë se shqiptarët, si shumicë myslimane, vetëm përmes kauzës së të drejtës ndërkombëtare, të drejtave humane dhe vlerës së tyre si pjesë e botës perëndimore mund ta fitonin simpatinë, përkrahjen dhe ndihmën e tyre në zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Një shembull të kundërt kishte ndjekur lideri antikomunist boshnjak Alija Izetbegoviq, i cili kishte llogaritur në ndihmën e shteteve myslimane, të cilat nuk kishin mundësi të atilla sa ato të botës perëndimore, që e kishin zgjatur luftën në Bosnjë. Ky dallim mes të dy liderëve krijoi dallime në afrimin e botës perëndimore kundrejt problemit boshnjak dhe problemit shqiptar. Serbët arritën të marrin më shumë nga Bosnja me luftën e tyre, ndërsa në Kosovë – ndonëse kishin bërë shkatërrime, vrasje dhe masakra të shumta – me përfundimin e luftës ata e dorëzuan Kosovën, duke u larguar si humbës moral të shfrenimit të tyre shtazarak.

Durimi i jashtëzakonshëm, solidariteti dhe serioziteti në kërkesën e tyre për pavarësi ua solli shqiptarëve të Kosovës admirimin ndërkombëtar. Përkundër daljes në skenë të lëvizjes së armatosur shqiptare nën organizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ballafaqimi me ushtrinë serbe nuk zgjati shumë. Falë intervenimit ushtarak të Aleancës Veriatlantike, Kosova gjeti lirinë e saj. Shtetet perëndimore, me në krye SHBA-të, tanimë u gjenden brenda problemit të Kosovës. Bashkë me OKB-në, përmes një rezolute, ata filluan rindërtimin e Kosovës, duke dhënë ndihmë të jashtëzakonshme në shtetndërtimin dhe përkrahjen e pavarësisë së Kosovës. Një kapitull dhjetëvjeçar i rivalitetit nacionalist serbo-shqiptar mbi të drejtën e tyre mbi Kosovën përfundoi më 1999, me intervenim ndërkombëtar, i cili e njihte të drejtën e shumicës për vetëvendosje, duke krijuar mekanizmat e mbrojtjes së të drejtave për mbarë pakicat të cilat jetojnë në Kosovë përfshirë edhe pakicën serbe.

Rivalitetet e pushteteve, dhuna, legjitimiteti dhe demokracia

Ndëshkimi i Jugosllavisë, gjegjësisht Serbisë, nga Aleanca Veriatlantike zgjati afërsisht tre muaj, duke marrë epilogun e përfundimit në fillim të qershorit me Marrëveshjen e Kumanovës. Marrëveshja e njihte Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara si pjesë e legjitimitetit ndërkombëtar për ndërhyrje në territorin e një shteti sovran. Në fakt, pjesa ku ushtarët e KFOR-it mund të operonin ishte përbrenda territorit të Kosovës. Synimi i tyre ishte kthimi i mbi një milionë refugjatëve të shpërngulur, si dhe ndërtimi i sistemit demokratik.

Tanimë e vërteta për Kosovën ndahej në tri versione. Versioni i parë përfshin mendësinë shqiptare, e cila supozon të drejtën e të qenit faktori vendimtar i shtetit në ardhje. Si një e drejtë historike dhe e shumicës demografike, populli shqiptar i Kosovës e kishte determinuar kërkesën për pavarësi të shtetit të Kosovës. Në brendësinë e mendësisë shqiptare për Kosovën ishte zhvilluar edhe ideja e bashkimit kombëtar, që rezultoi me konflikt të armatosur në Kosovën Lindore dhe pjesën e banuar me shqiptarë në Maqedoni. Ky dualitet i mendësive përbrenda politikës shqiptare do të paraqesë më vonë rivalitetet politike të shqiptarëve në Kosovë. Në anën tjetër, serbët e lidhnin të drejtën mbi Kosovën me të kaluarën historike, si dhe trashëgiminë fetare dhe kulturore të tyre. Andaj, serbët e Kosovës, të organizuar nga politika qendrore e Beogradit, shumë shpejt para opinionit të bashkësisë ndërkombëtare nga agresori u shfaqën në rolin e viktimës. Të tretët në këtë mes, pra faktori ndërkombëtar, e kishte synim ndërtimin e një shoqërie multietnike, ku të drejtat e njeriut dominonin mbi përkatësitë etnike. Investimit më i madh është bërë në këtë drejtim. Për një konsolidim të tillë kompromisin më të madh e kanë bërë shqiptarët – duke qenë populli shumicë i Kosovës i njohën shumë të drejta dhe privilegje për pakicat e tjera, veçanërisht për pakicën serbe të Kosovës.

Interesante brenda politikës shqiptare të Kosovës është rivaliteti i ashpër në luftën për pushtet. Lidhja Demokratike e Kosovës, e udhëhequr nga një sërë intelektualësh shqiptarë të Kosovës, që nga vitet e nëntëdhjetë si një lëvizje popullore kishte ndërtuar një rrjet aktivistësh që kishin përkrahje më të madhe nga populli shqiptar i Kosovës. Hisen më të madhe të ndërtimit të sistemit paralel shtetëror e mbante pikërisht kjo lëvizje. Përballë tyre kishte disa parti të tjera, të cilat ishin formuar për të krijuar sistemin pluralist të Kosovës, por pa ndonjë ndikim të madh në jetën politike të shqiptarëve të Kosovës. Mirëpo, ekzistenca e Lëvizjes Popullore të Kosovës, e cila kishte lidhje më të forta me shtetin shqiptar dhe aktorët brenda sigurimit të shtetit shqiptar, synonte ndezjen e një lufte kundër shtetit serb, kjo si pjesë e zgjimit të ndërgjegjes ndërkombëtare dhe rivalitetit politik përballë mendësisë politike të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Politikën durimtare të udhëheqësit politik të Lidhjes Demokratike ata e vlerësonin si konformizëm të tij. Andaj personalitetet politike brenda Lëvizjes Popullore të Kosovës synonin të goditnin dy caqe: luftën kundër Serbisë, si dhe krijimin e opozitës brenda mendësisë politike shqiptare të Kosovës. Përmes krijimit dhe shfaqjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të dyja këto synime u arritën dhe përfaqësuesit e UÇK-së u bënë protagonistët kryesorë të bisedimeve me faktorin ndërkombëtar. Ushtria Çlirimtare, deri më 1999, përballë Lidhjes Demokratike kishte fituar ngritje dhe simpati të konsiderueshme. Mirëpo, sikurse ndodhë rëndom pas çdo mjedisi të pasluftës, kur “çlirimtarët” e konsiderojnë veten e tyre si zota të vendit të fituar, edhe ushtarët, komandantët dhe individët e identifikuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës e konsideruan vendin për të cilin luftuan si plaçkë lufte, duke mos pasur vetëdijen e revanshit politik. Sjellja e tyre e pasluftës më shumë ishte kriminale dhe binte ndesh me përcaktimin e palëve për paqe, qetësi dhe zhvillim të Kosovës. Shumë herë luftëtarët e UÇK-së u arrestuan në mes të ditës nëpër qendrat e Kosovës, kjo për arsye të dhimbshme të dhunës së ushtruar, plaçkitjes dhe sulmeve me armë që i bënin. Kësisoj populli shqiptar i Kosovës, ndonëse vërente shpëtimtarin tek pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare, shumë shpejt filloi të kthehej përsëri në përkrahje të Lidhjes Demokratike si një lëvizje më e moderuar. Zgjedhjet e para në Kosovën e pasluftës e dëshmojnë më së miri këtë. Ushtria Çlirimtare e Kosovës paraqiste një armatë guerile, ku autoriteti lokal, fisnor dhe klanor kishte më shumë fuqi sesa rregullat ushtarake të një ushtrie të zakonshme. Si e tillë, ajo nuk mund të barte përgjegjësi organizative. Andaj medoemos, ndonëse e dhimbshme për krijuesit e saj, u kërkua çarmatosja dhe transformimi në një trupë mbrojtëse, e cila nuk kishte karakter ushtarak, përveç uniformës me ngjyrë khakki dhe emblemës me ngjyra kuq e zi.

Përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare, duke e ndier këtë dobësi, shumë shpejt u rikthyen si parti politike, duke inkuadruar në mesin e tyre edhe shume profesorë, intelektualë dhe ekspertë nga lëmenj të ndryshëm, përmes të cilëve synonin një veshje civile dhe të pranueshme nga qytetarët e Kosovës. Jeta në mesin e burokracisë politike i bëri që të arrinin një gjë të tillë, por duke hequr dorë dhe duke bërë shumë kompromise nga kërkesat e tyre primare të viteve të nëntëdhjeta.

Mungesa e vizionit politik e të gjithë faktorëve në politikën shqiptare të Kosovës u ka kushtuar dhe po u kushton shumë shtrenjtë qytetarëve shqiptarë të Kosovës. Nga çlirimi më 1999 deri në shpalljen e pavarësisë më 2008 politika shqiptare e Kosovës ishte e ndarë në taborë, të cilët luftonin për qëllime banale. Në anën tjetër, Serbia – si shtet me përvojë në udhëheqje politike dhe administrative – kishte ndikuar jashtëzakonisht në administratën e Kombeve të Bashkuara, gjegjësisht në UNMIK, si dhe në strukturat e tjera të udhëheqjes në Kosovë. Faktikisht, përmes individëve të implikuar dhe propagandës së saj, Serbia kishte dorë në shumë vendime politike dhe në jetën politike të Kosovës. Falë këtij ndikimi sot jeta politike në Kosovë as që mund të bëhet pa pjesëmarrjen politike të përfaqësuese serbë të Kosovës. Këto privilegje të pashembullta në mbarë botën demokratike i siguruan me të drejta të plota të kategorive kushtetuese. Andaj edhe sot janë për keqardhje hapat e hedhur nga politika shqiptare e Kosovës kundrejt interesit kombëtar të shqiptarëve të Kosovës. Në Kosovën e pasluftës më shumë paraqiste vlerë autoriteti tradicional sesa vlerat demokratike. Interesat klanore për dominim ekonomik e shkatërruan mundin e ndërtimit industrial të realizuar gjatë periudhës jugosllave. Kosova vazhdon të mbetet vend i varur nga importet. Në rrafshin akademik dhe intelektual ka një dekadencë totale, e cila nuk ka kurrfarë rëndësie në jetën shoqërore të Kosovës. Shumëzimi i pashembullt i titujve akademikë pa mbështetje në produktivitetin akademik shpërfaq impotencën e kualifikimit përgjegjës të nivelit akademik. Në këtë vijë edhe arsimi i fillor, i mesëm dhe i lartë shpërfaqin paralizë të plotë në krahasim me shoqëritë në rajon dhe shoqëritë evropiane.

Shpallja e pavarësisë dhe vendnumërimi

Përmes krijimit të mjedisit të përshtatshëm ndërkombëtar të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shqiptarët e Kosovës pas një procesi negociator të ndërmjetësuar nge presidenti finlandez Marti Ahtisari ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës dhe shtetit serb, në koordinim me shtetet e implikuara në shtetndërtimin e Kosovës, e shpallën Kosovën shtet të pavarur. Kështu kompetencat u deleguan te vendorët. Përgjegjësinë për shtetin më së shumti sot e tutje do ta bartin shqiptarët e Kosovës. Befasi e kësaj shpalljeje ishte himni memec dhe flamuri pa nivel heraldik të përfaqësimit dinjitoz. Periudha pas pavarësisë për Kosovën në shumë fusha ishte prapakthim. Fatkeqësisht, liderët politikë të papjekur dhe të paaftë për të udhëhequr vizionin për vendin e futën shtetin e Kosovës në udhëtim të pafund negociator me Serbinë. Përkrahjen e madhe ndërkombëtare e kthyen në izolim ndërkombëtar. Më shumë se pesë vjet Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit, ku praktikohet regjimi i vizave. Edhe pse vet ëndrra e shqiptarëve të Kosovës për pavarësi qe vizion i Rilindjes Shqiptare, kësisoj ishte e ndërlidhur me aspiratën e integrimit euroatlantik, ata mbetën të fundit në këtë rrugëtim. Mosgatishmëria për të qëndruar të drejtë përballë padrejtësive, dhunës dhe krimit, shteti i Kosovës e implikoi në sistemin e tij ndërhyrjen nga jashtë të sistemit juridik. Mbledhja e shumë lëndëve gjyqësore është fakt i mospunës dhe gatishmërisë për të ndarë drejtësi. Kësisoj, Gjykata Speciale doli para Kosovës si një mur i patejkalueshëm. Nepotizmi në sektorin publik, numri i madh i punëtorëve në këtë sektor, rezultatet e pasuksesshme të shërbimit ndaj qytetarëve, si dhe barra e rëndë mbi sektorin privat dhe tregu i mbyllur në konkurrencë të padrejtë globale e kanë zhvilluar vetëm një aspiratë të vetme për shqiptarët e Kosovës – humbjen e shpresës dhe krijimin e dëshirës për ta braktisur vendin e tyre. Siç duket, kurbeti një kohë të gjatë do të mbetet rrugëdalja e barrës familjare për shqiptarët.

Që nga viti 1999 Kosova vetëm ka vendnumëruar në aspektin e zhvillimit të gjithmbarshëm të mirëqenies. Lufta dhe admirimi për lirinë ka sjellë robërimin në drejtësi, ekonomi dhe mirëqenie sociale. Shoqëria shqiptare e Kosovës sot përballet para një materializmi e probleme themelore të postmodernizmit pa kaluar në proceset modernizuese të emancipimit dhe themelit të një shteti modern.