` . Tre dekada nga rënia e Murit të Berlinit - TV-SHENJA

Tre dekada nga rënia e Murit të Berlinit

Gjermania kujton sot një ditë historike – rënien e Murit të Berlinit. Në ceremoninë kryesore merr pjesë presidenti gjerman, Steinmeier, kancelarja Merkel dhe personalitete të rëndësishme nga bota.

Ka një javë që kryeqyteti gjerman, Berlin është kthyer në epiqendrën e aktiviteteve kryesore që shënojnë festimin e 30-vjetorit të rënies së Murit të Berlinit. Më shumë se 200 aktivitete gjatë gjithë javës janë zhvilluar në këtë qytet që nga e hëna.

Sot në Berlin zhvillohet ceremonia kryesore festive me pjesëmarrjen e presidentit gjerman, Frank-Walter Steinmeier, kancelares Merkel dhe personaliteteve të ndryshme politike nga bota. Presidenti Steinmeier ka ftuar në 30-vjetorin e rënies së Murit të Berlinit edhe presidentët e Polonisë, Hungarisë, si edhe Çekisë e Sllovakisë, asokohe të bashkuar në Çekosllovaki. Zhvillimet në këto vende socialiste, luajtën atëherë një rol të rëndësishëm edhe në rënien e Murit të Berlinit.

Një vend i rëndësishëm përkujtimor për viktimat e Murit në Berlin është Rruga Bernauer, simboli i ndarjes së Berlinit, sepse muri kaloi në anën lindore të shtëpive. Një bllok betoni prej 22 metrash të kujton sot, se këtu pas ngritjes së murit, njerëzit hidheshin nga dritaret dhe disa prej tyre humbën edhe jetën.

Bashkimi i Gjermanisë, sipas kancelares Merkel do të kërkojë më shumë kohë, se mendohej. “Tek disa, ku u mendua se Lindja dhe Perëndimi do të bëheshin njësoj, duket sot se ka për të zgjatur një gjysmë shekulli e ndoshta edhe më shumë, tha Merkel për gazetën gjermane, “Süddeutschen Zeitung”. Një nga shkrimtarët më të njohur gjermanolindorë, Christoph Hein kritikoi mënyrën si u krye bashkimi.

“Nuk pati bashkim, por një anëtarësim, që mund ta quash edhe aneksim”, tha ai për gazetën “Neues Deutschland” të shtunën. Megjithë zërat kritikë, më shumë se dy të tretat e gjermanëve e quajnë rënien e Murit si rast fatlum.  /DW/