` . Tre botime të reja të ITSHKSH-së – TV SHENJA

Tre botime të reja të ITSHKSH-së

Këto ditë dolën nga shtypi tre botimet e reja të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup.
Bëhet fjalë për numrin e 11-të me radhë të revistës shkencore “Studime albanologjike”, “Fjalor i fjalëve dhe shprehjeve nga trojet e shqipes në Maqedoni” me autor Qemal Murati, dhe “Shtypi shqiptar në Maqedoni (1945-1991), aspekti kulturor-arsimor” me autor Sevdail Demiri.
Në këtë edicion të revistës “Studime albanologjike”, mund të lexohen punime shkencore nga 26 studiues të ndryshëm nga të gjitha trevat shqiptare, por dhe nga disa autorë të huaj. Po ashtu në këtë numër gjenden tre recensione të librave, dhe katër kronika nga ngjarjet e fundit rreth botës shkencore. Materiali i kësaj reviste përfshinë trajtesa të ndryshme nga fusha e historisë, gjuhës, letërsisë, folklorit, etj.
Botimi “Fjalor i fjalëve dhe shprehjeve nga trojet e shqipes në Maqedoni” me autor Qemal Murati, me gjithsej 860 faqe, përmbanë mbi 20.000 leksema, frazeologji dhe topoleksema të mbledhura nëpër vendbanimet shqiptare të Maqedonisë. Ky fjalor është i thurur edhe me lëndë të leksikut toponimik, me emra të vendeve (rreth 5.000 topoleksema), sepse edhe atje ruhet një pasuri shumë e madhe e fjalësit të gjuhës sonë në formë të ngurosur, të cilën leksiku i përditshëm e ka bjerrë nga përdorimi. Në lëndën e këtij Fjalori janë arkivuar dhe rreth 1.000 njësi frazeologjike, fraza idiomatike, eufemizma etj., me vlera të veçanta etnolinguistike.
Kurse, libri “Shtypi shqiptar në Maqedoni (1945-1991), aspekti kulturor-arsimor” me autor Sevdail Demiri, përbënë një botim të veçantë shkencor të historisë së shtypit shqiptar në Maqedoni, ku sidomos është hulumtuar aspekti kulturor-arsimor. Këtu në radhë të parë flitet për gazetën “Flaka e Vëllazërimit”,  e cila ishte shenjë dalluese, me të cilën identifikohej jo vetëm se shtypi dhe gazetaria shqiptare në Maqedoni në periudhën e caktuar, por gati se i gjithë zhvillimi kulturor-arsimor i shqiptarëve, i cili pasqyrohej në këtë gazetë. Pjesë e hulumtimit në këtë libër janë edhe revistat për fëmijë “Gëzimi” dhe “Fatosi”, si dhe revista për art, për shkencë dhe për kulturë “Jehona”.
Këto tre botime janë mbështetur nga Ministria e Kulturës e Republikës së Maqedonisë, në bazë të programit nacional për kulturë të vitit 2015.

Postime të Ngjajshme