` . Tranzicioni, sfidat dhe rruga e vështirë në demokratizimin e Shqipërisë - TV-SHENJA

Tranzicioni, sfidat dhe rruga e vështirë në demokratizimin e Shqipërisë

Në këtë artikull të shkurtër do përpiqem të përshkruaj “Tranzicionin shqiptar, sfidat dhe rruëtimin për nëdemokraci”. Do përpiqem gjithashtu të nxjerr në pah disa veçori të tranzicionit në rastin e vendit tonë. Do ndalem kryesisht mbi etapat që paralajmëruan rënien e regjimit komunist; fundi i sistemit monist njëpartiak; sistemi pluralist etj

Shkruan: Florin ZYBERAJ, Kukës

Rruga e tranzicionit është e gjatë dhe e mundimshme. Në rastin e Shqipërisë është edhe i gjatë edhe idhimbshëm. Tranzicionin me fjalë më të thjeshta mund ta përcaktojmë si ndryshimi i një sistemi politik nga një sistem diktatorial në një sistem demokratik. Por, për të arritur deri në demokraci u desh të kapërceheshin:

  • Krizat e brendshme (1980-1986);
  • Fundi i sistemit njëpartiak 1990;
  • Krijimi i partive politike, zgjedhjet e para pluraliste dhe fitora e Partisë Demokratike;
  • Kiza me firmat piramidale dhe rrjedha e tranzicionit derimë sot.

Së pari ishin krizat e brendshme (1980-1986). Ato sa vinin e rriteshin, duke u pasqyruar edhe në zhvillimet e brendshme në PPSH. Për eliminimin e pakënaqësive, qeveria përdori shpesh, por jo përherë, persekutimin e udhëheqjes në radhët e Partisë dhe në mënyrë më pak të ndjeshme atë të popullsisë në përgjithësi. Ata që e kritikonin Partinë dhe drejtuesit e shtetit në veprat e tyre, qoftë kulturore, editoriale ose, thjesht, propagandistike, përjashtoheshin nga puna, burgoseshin në kampe të punës së detyrueshme ose ekzekutoheshin. Viti 1981 për regjimin komunist u mbyll me një ngjarje të rëndë, që tronditi jetën politike të vendit. Më 18 dhjetor 1981 kryeministri i Shqipërisë, Mehmet Shehu, e vrau veten. Pas kësaj ngjarje u thirr me urgjencë të menjëhershme mbledhja e Plenumit të Komitetit Qendror të PPSH-së, në të cilën Enver Hoxha e cilësoi Shehun si armik dhe poliagjent të të gjithë kohërave dhe të të gjithë padronëve (E. Hoxha: 1984, f. 535). Për vrasjen e M. Shehut ekzistojnë pikëpamje të ndryshme. Studiuesi K. Dervishi pohon se Mehmet Shehu është vrarë. (K. Dervishi: 2006, f. 753). Po këtë qëndrim e mban edhe studiuesi A. Pipa (A. Pipa: 2007, f.106; 178). Më 11 prill 1985 ndërron jetë diktatori Hoxha. Sa ishte gjallë, ai për shqiptarët ai qe kthyer në një mit. Ai ishte njëkohësisht figura qendrore rreth së cilës u ndërtuan mitet e Shqipërisë socialiste, si dhe autori kryesor i krijimit të miteve (ose të paktën frymëzuesi) i teksteve kryesore të marksizëm-leninizmit shqiptar (Alex Standish: 1999, f. 59).

Së dyti erdhi fundi i sistemit njëpartiak 1990. Epërsia e Partisë së Punës po vihej përherë e më shumë në dyshim. Kështu shumë anëtarë të partisë dhe intelektualët që në të kaluarën i kishin shërbyer me besnikëri, tash ishin të pakënaqur dhe kishin arritur në përfundim se, për të mbijetuar, sistemi duhej t’u nënshtrohej ndryshimeve rrënjësore (E. Biberaj: 2011, 84). Ramiz Alia u përpoq ta ruante strukturën e sistemit ekzistues, por në të njëjtën kohë tentoi të implementonte reforma, në mënyrë që ta revitalizonte ekonominë, që në atë kohë ishte në vend numëro.

Edhe trashëgimia politike e lënë nga Hoxha në këtë kohë ishte gati e mjerë. Vendi kishte sistemin më të egër politik në të gjithë Evropën Juglindore. Lufta e klasave ishte zbatuar në mënyrë permanente dhe në format më ekstreme. Zhvillimet në Lindje nuk mund të mos kishin ndikimin e tyre edhe në Shqipëri. Nikolla Çaushesku, diktatori komunist i Rumanisë, u ekzekutua gjatë protestave të Revolucionit Rumun të vitit 1989. Menjëherë pas këtij akti Ramiz Alia ndjeu se mund t’i vinte radha edhe atij nëse nuk jepte disa liri për ta mbajtur gjendjen e tendosur. Periudha mes viteve 1989-1990 pati orvatje për demonstrata në disa rrethe të vendit, ndërsa në Shkodër u bë përpjekja e parë për rrëzimin e bustit të Stalinit, që paralajmëronte edhe veprime të tjera antikomuniste. Pas shpërthimit të protestave studentore në dhjetor të vitit 1990, Ramiz Alia u detyrua ta pranonte pluralizmin politik. Kështu regjimi komunist tashmë e humbi monopolin partiak (E. Biberaj: 2011, f. 106-109).

Pjesa e tretë është krijimi i partive politike. Në korrik të vitit 1990 ambasadat e vendeve perëndimore në Tiranë u pushtuan nga mijëra të papunë dhe të persekutuar nga regjimi komunist. Kështjella e fundit komuniste prej rëre, Shqipëria, u shemb dhe ra nga demonstratat e të rinjve (A. Musta: 2001, f. 129). Filloj kështu dyndja nëpër ambasada në korrik, ashtu që midis 100 dhe 130 shqiptarë hynë në ambasadat italiane, gjermane, franceze. Shumë shpejt situata doli jashtë kontrollit. Pas tronditjes së parë, të shkaktuar nga kriza e ambasadave, intelektualët më të njohur filluan të shprehnin hapur mendimet dhe pikëpamjet që ishin në kundërshtim me udhëheqjen e partisë (E. Biberaj: 2011, f. 96). Kështu intelektualët e shpalosën platformën e tyre dhe arritën ta formojnë partinë e parë postkomuniste, Partinë Demokratike.

Pjesa e katër janë firmat piramidale dhe rrjedha e tranzicionit deri më sot. Izolimi i gjatë e i hekurt në periudhën e komunizmit e ndërpreu, midis tjerash, edhe komunikimin kulturor dhe shkencorë të Shqipërisë me botën e jashtme. Komunistët trashëguan një vend të shkatërruar nga lufta. Rreth 28.000 shqiptarë kishin humbur jetën në luftë kundër pushtuesve italianë dhe gjermanë, si edhe në luftën civile midis komunistëve dhe nacionalistëve. Shqiptarët dolën nga komunizmi të papërgatitur në kalimin e dhimbshëm në ekonominë e tregut. Studiuesja E. Hyskaj shprehet se në vendet e Evropës Qendrore e Lindore tranzicioni drejt ekonomisë së tregut përfshinë edhe një ripërcaktim të rolit të shtetit (E. Tafili: 2008, f. 20). Shkatërrimi i sistemit komunistë të sigurimeve shoqërore, bashkë me shtimin e papunësisë, la në gjendje shumë të vështirë shumë shqiptarë. Shteti praktikisht kishte falimentuar dhe nuk kishte burime për ta lehtësuar barrën shoqërore.

Disa nga tiparet e tranzicionit në Shqipëri

Studiuesit shqiptarë, që janë marrë me tranzicionin në përgjithësi, theksojnë se Kushtet ekonomiko-financiaretë Europës Lindore në prag të tranzicionit janë:

  • Struktura ekonomike e vendit;
  • Shkalla e zhvillimit të vendit;
  • Diferenca mes shteteve ndonëse ishin nën sistemin socialist;
  • Zhvillimi ekonomik dhe ndihma e KNER;
  • Përgatitja psikologjike të faktorit subjektiv;
  • Mungesa pothuajse e plotë e burimeve të brendshme dhe, për më tepër, borxhi i jashtëm (Lulzim Hana & Ilia Telo: 2005, 20-23).

Në fillimin e viteve të 90-ta Shqipëria përballej me sfidën e madhe të krijimit të së ardhmes. Një vizitë e Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Xh. Bejker në Tiranë, e përcolli mesazhin që SHBA-të e mbështesnin Shqipërinë në vendosjen e ekonomisë së tregut dhe të pluralizmit politik (Ndue Gjoka: 2004, f. 27).

Por, shtegu i tranzicionit ishte më i gjatë dhe më i vështirë  seç u mendua. Ai ishte një proces i gjatë i ndryshimeve, duke përfshirë një paketë të tërë strukturore, ekonomike, ligjore dhe sociale. Tranzicioni filloi si proces kompleks i shkatërrimit të së vjetrës dhe krijimit ose adoptimit të institucioneve të reja. Projektimi i reformave dhe institucioneve u orientua drejt qëllimeve politike dhe reforma ishte më e shpejtë në fushat ku kostoja politike ishte më e vogël. Tranzicioni ekonomik filloi me ndryshime rrënjësore të sistemit politik. Reformat ekonomike filluan në kushtet e një kolapsi total ekonomik, në kushtet e një mungese të ekzistencës dhe të dobësive institucionale. Tranzicioni i Shqipërisë, me synimin e demokracisë dhe ekonomisë së tregut të lirë, provoi të ishte më i vështirë nga sa u parashikua fillimisht nga shqiptarët. Kalimi nga sistemi i centralizuar dhe tërësisht i mbyllur i ekonomisë shqiptare në ekonominë e tregut, u shoqërua me shkatërrimin e ekonomisë se saj dhe me një rënie të ndjeshme të nivelit të jetesës së shqiptarëve.

Mungesat e furnizimit me produktet ushqimore si dhe masat për liberalizimin e çmimeve u shoqëruan me rritje të nivelit të inflacionit në mbi 226 %. Me fillimin e periudhës së tranzicionit u shfaq rënia e madhe e aktivitetit ekonomik. Prodhimi i përgjithshëm kombëtar ra rreth 40% nga niveli i vitit 1989. Gjatë kësaj periudhe u shënuan nivelet me të larta të migracionit që kishte provuar ndonjëherë vendi gjatë shekullit të kaluar. Në vitet e para të tranzicionit Shqipëria pati mjaftë arritje, ku u përfshiheshin: zbatimi i reformave strukturore, liberalizimi i çmimeve, sistemi i kurseve fleksible të këmbimit, liberalizimi i regjimeve të pagesave dhe të tregtisë.

Reformat ekonomike u mbështetën në një masë të madhe nga asistenca e huaj, të cilat me hyrjen e transfertave private nga jashtë ndihmuan në zvogëlimin e deficitit të llogarive korente. Me gjithë përpjekjet e bëra, ndërtimi i një shteti me kapacitetet e duhura të qeverisjes në mënyrë efeketive ndeshi në ekzistencën e një shteti të brishtë. Falimentimi i firmave piramidale në fillim të vitit 1997 u shoqërua me një krizë të thellë qeveritare, e cila u pasua nga trazira shoqërore, të cilat çuan në një rebelim të armatosur. Kjo krizë, jo vetëm që e ndaloi procesin e tranzicionit dhe të mëkëmbjes ekonomike, por shkatërroi mjaft arritje të deriatëhershme Mungesa e stabilitetit politik, ekonomik e social në vitet 1997-98 i kushtoi humbjen e rreth 1.3 miliardë USD të kursimeve private të shqiptarëve dhe një kthim prapa të vendit.

Epilogu

Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, në periudhën postkomuniste, transformimi i quajtur gjerësisht tranzicion drejt demokracisë, do të përfshinte në radhë të parë Gjermaninë, Austrinë, Italinë dhe Finlandën, por edhe vendet e Evropës Qendrore e Lindore (EQL). Procesi i tranzicionit e evidentoi si të nevojshme përshtatjen në varësi të veçorive të secilit vend. Tranzicioni politik në vendet e  Europës Qendrore dhe Lindore eci në kalvarin e gjatë të vështirësive që kishin të bënin me vendosjen e sistemit politik shumëpartiak, por edhe të të gjitha pasojave që sillte ky sistem në administrimin e pushtetit dhe të mekanizmave zgjedhorë, që të çonin deri tek pushteti.

Një nga vështirësitë me të cilat u përballën disa nga vendet postkomuniste ishte lindja e tendencave neoautoritariste, të cilat fillimisht ndaluan dhe pastaj shpejt filluan të bëjnë hapa pas në reformat drejt standardeve bazë të demokracisë, të drejtave të njeriut dhe të shtetit ligjor.

Në përgjithësi, vendet në tranzicion përgatiten për proceset e integrimit dhe kushteve të tjera për të hyrë në shoqëri të integruar. Tranzicioni është i shumanshëm, si: politik (që promovohet përmes ndërtimit të institucioneve liberale/demokratike); ekonomik (trajtohet si promovim i ekonomisë së tregut) dhe mental (nënkupton kalimin nga rregullat e vjetra në ato të reja/ ndryshim në të menduar).