` . Trajneri i Shkëndijës: Na kënaq vendi i parë, të vazhdojmë me këtë ritëm (Video) – TV-SHENJA

Trajneri i Shkëndijës: Na kënaq vendi i parë, të vazhdojmë me këtë ritëm (Video)

Kampione vjeshtore në elitën e futbollit vendor me 46-të pikë të grumbulluara, diferencë prej tetë pikëve nga vendi i dytë, por edhe golashënuesit më të mirë në kampionat me një efikasitet total si ekip prej 3 realizimeve në ndeshje apo gjithësej 55 gola në 18 takime. Është kjo ecuria e Shkëndijës së Tetovës e cila pas gjysmëstinorit vjeshtor e sheh veten favorite për të fituar titullin e dytë në histori, të parin pas vitit 2011.

Qatip Osmani, trajner i KF Shkëndijës
Ne, përveç asaj që kemi 8 pikë diferencë me Vardarin, gjatë gjysmësezonit të parë të kampionatit, treguam një lojë bindëse me shumë gola, ku edhe ajo është një rezultat i kësaj diferencës që kemi ndaj vendit të dytë. Larg asaj që ne jemi kampionë, pasi kemi edhe 18 ndeshje, ne duhet të vazhdojmë me këtë rritëm, me këto ndeshje dhe ta fillojmë gjysmësezonin pranveror sikur se jemi të barabartë me kundërshtarin”.

Ekipet e mëdha dhe të suksesshme karakterizohen me vetëkritika edhe atëherë kur gjërat ecin mirë dhe për teknikun tetovar Shkëndija ka hapësira ku duhet përmirësuar.

Qatip Osmani, trajner i KF Shkëndija
“Sigurisht që më ka kënaqur efikasiteti. Përveç golave që i kemi shënuar, ne krijonim edhe raste. Fakti tjetër që më gëzon është se në shumicën e golave që kemi shënuar janë realizuar përmes kombinimeve, që do të thotë shumë pak gola kemi shënuar rastësisht. Ndoshta më brengos më shumë defanziva. Ne shpesh herë kur e përmendim pranimin e golave, e fajësojmë mbrojtjen. Aty nuk është fajtor vetëm reparti i mbrojtjes, pasi ne si ekip mundohemi të luajmë si në ofenzivë ashtu edhe në defansivë”.

Sipas tij, Shkëndija duket në rrugën e duhur dhe përveç skenës vendore mendohet për kupat e Europës dhe në këtë drejtim planifikohen edhe përforcimet eventuale. Osmani ka lënë të hapur çështjen e përforcimeve dhe largimeve nga skuadra deri në mbylljen e një analize të gjysmësezonit vjeshtor. Kuqezinjtë nga Tetova janë në pushim të merituar, ndërsa përgatitjet dimërore i nisin më 3 janar të vitit të ardhshëm. Aziz Sahti /SHENJA/