` . Tjetër gol në limite, Gladbach mposht Romën, M.United e Espanyol kalojnë fazën - TV-SHENJA

Tjetër gol në limite, Gladbach mposht Romën, M.United e Espanyol kalojnë fazën

Ashtu si 2 javë më parë Borussia Moenchengladbach “shokon” Romën me një gol në fund, por këtë herë verdhekuqtë dolën pa asnjë pikë pasi u mposhtën në Borussia Park 2-1 nga kryesuesit e Bundesligës. Federico Fazio në minutën e 35-të devijoi në portën e tij një top të hedhur në zonë nga Marcus Thuram. Mbrojtësi argjentinas shleu gjithçka duke shënuar golin e barazimit në minutën e 64-t, por francezi i talentuar Marcus Thuram me golin e tij në minutën e 95-të i dha fitoren e parë në grupin J Borussias, sukses që i ngjiti gjermanët në vendin e 2-të duke zbritur Romën në pozicionin numër 3, pasi kreu i grupit J tashmë i përket turqëve të Istanbul Basaksehir të cilët fituan 0-3 në transfertën austriake ndaj Wolfsberger dhe u ngjitën në kuotën e 7 pikëve.

Në grupin L siguroi matematikisht kualifikimin Manchester United që mori fitoren e 3-të në grup dhe të dytën rresht ndaj Partizanit të Beogradit. Në mitikun Old Trafford  Djajtë e Kuq fituan me rezultatin e thellë 3-0 falë golave të Greenwood, Martial dhe Rashford. Në grupin G, Young Boys ruajti kreun falë barazimit 1-1 që mori në fushën e Feyenoord, ndërsa Rangers mposhti 2-0 në shtëpi Porton duke u ngjitur gjithashtu në kuotën e 7 pikëve aq sa edhe zviceranët. Në grupin H Espanyoli siguroi matematikisht kualifikimin falë suksesit tenistik ndaj Ludogorets me rezultatin 6-0 ku golat u shënuan nga 6 autorë të ndryshëm. Mori pikën e parë CSKA e Moskës që barazoi 0-0 në Hungari ndaj Ferencvaros. Në grupin I, Gent bëri surprizën dhe thelloi krizën e Wolfsburg duke fituar 1-3 brenda në Gjermani. Në krahun tjetër ukrainasit e Oleksandryias rikuperuan dy gola ndaj  St Ettiene duke marë një barazim 2-2. Në grupin K Braga dhe Wolves janë thuajse në fazën tjetër të Europa League falë sukseseve në shtëpi respektivisht 3-1 ndaj Besiktas për meritë të Paulinhos autor i dy golave dhe 1-0 ndaj Slovan Bratislavës me meksikanin Raul Jimenez që shënoi golin e vetëm për Wolves vetëm në minutat shtesë.