` . Tiranë, panair për edukimin jashtë Shqipërisë – TV-SHENJA

Tiranë, panair për edukimin jashtë Shqipërisë

Në Tiranë është hapur Panairi i 7-të i Edukimit Botëror (World Education Fair), ku të rinjtë mund të informohen rreth programeve të studimit të ofruara nga shtete të ndryshme të botës, raporton Anadolu Agency (AA).

Panairi i mbështetur nga institucione të ndryshme arsimore në vend dhe organizatat arsimore nga vendi dhe jashtë, sjell paketa informuese për nxënësit dhe studentët shqiptarë që kanë dëshirë të studiojnë në shtetet e Evropës, SHBA, Kanada dhe vende të tjera.

Në aktivitetin e hapjes së panairit dyditor merrnin pjesë studentë, si dhe përfaqësues të institucioneve arsimore që prezantojnë programet e tyre të studimeve.

Panairi, i cili ka disa vite që organizohet, synon të shërbejë edhe për të kuptuar preferencën e të rinjve në Shqipëri për studimet jashtë vendit dhe për të kuptuar trendin e zgjedhjes së universiteteve.

Janë dhjetëra institucione arsimore nga vende të ndryshme të botës që do të informojnë vizitorët e panairit për profilet e studimeve që ofrojnë universitetet, shkollat e mesme dhe kampet verore.

Në panair do të jenë të pranishëm përfaqësues të institucioneve arsimore, ndërsa do të realizohen edhe takime me studentët për informimin dhe konsulencën ndaj tyre.