` . Tirana shpall “të padëshiruar” eurodeputeten qipriote – TV-SHENJA

Tirana shpall “të padëshiruar” eurodeputeten qipriote

Në Shqipëri, Ministria e Jashtme njoftoi sot vendimin për të shpallur “person të padëshiruar”, politikanen qipriote, anëtare e Parlamentit Europian Eleni Theocharous. Vendimi u mor pasi sipas autoriteteve shqiptare, Theocharus, e cila mori pjesë të enjten në ceremoninë mortore të 35-vjeçarit minoritar grek, Kostandino Kacifas, ka lëshuar thirrje ekstremiste. Një ditë më parë, dhe Ministria e Brendshme shqiptare, shpalli “persona të padëshiruar” edhe 52 shtetas grekë.

“Ky vendim vjen si reagim i detyruar kushtetues e ligjor i institucioneve të Republikës së Shqipërisë, ndaj shfaqjeve te perseritura ekstremiste te eurodeputetes Eleni Theocharous. Prononcimet e saj që nxisin urrejtjen, cënimin e rendit kushtetues të vendit tonë, ngritjen e pretendimeve territoriale ndaj Republikës së Shqipërisë, nuk mund dhe nuk do të mund të bëhen më në tokën shqiptare”, deklaroi Glevin Dervishi, këshilltar për Rajonin i ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati.

Për ngjarjet në Bularat, Dervishi, tha se ato ishin “një shfaqje e orkestruar si një provokim agresiv, e cila e ktheu nje ceremoni mortore në një manifestim sfidues ndaj rendit kushtetues, sigurisë e qetësisë publike të Republikes së Shqipërisë, me thirrje ekstremiste, nxitje të urrejtjes dhe thirrje për përcarje mes qytetarëve shqiptarë me kombësi shqiptare e greke” e për pasojë “të papranueshme, për shtetin e për shoqërinë shqiptare”.

Në parlamentin europian, zonja Eleni Theocharous, është pjesë e grupit të Konservatorëve dhe Reformistëve europianë. Të enjten ajo ju bashkua disa qindra qytetarëve të ardhur nga Greqia për të marrë pjesë në ceremonin mortore të Kostandino Kacifasit, i cili mbeti i vrarë gjatë një përplasjeje me armë me forcat speciale të policisë shqiptare. Tonet e forta nacionaliste dhe thirrje antishqiptare, mbizotëruan përgjatë ceremonisë së varrimit, ndërkohë që një grup prej tyre bllokoi përkohësisht dhe autostradën.

Dje Ministria e Brendshme shqiptare njoftoi se kishte vendosur të shpallë “të padëshiruar” dhe t’u ndalojë për pasojë hyrjen në të ardhmen në territorin shqiptar 52 shtetasve grekë “për veprimtari të organizuar në dëm të sovranitetit të Republikës së Shqipërisë dhe shfaqje e deklarata sfiduese ndaj rendit kushtetues, sigurisë kombëtare dhe qetësisë publike të këtij vendi”.

Ndaj këtij vendimi reagoi Ministria e Jashtme greke, duke kërkuar shpjegime të bazuara. “Në këtë moment delikat, presim prej Shqipërisë të largohet prej veprimeve që rëndojnë atmosferën në marrëdhëniet dypalëshe”, theksonte deklarata, ku saktësohej se Greqia “mbetet e angazhuar në ndërtimin e marrëdhënieve të besimit, dhe të njëjtën gjë, presim edhe prej fqinjëve”.

Sot në deklaratën e saj, përmes Dervishi, ministria e Jashtme u shpreh se “Greqia mike e populli i saj janë një aset shumë i vyer në kapitalin e miqësive tradicionale të Shqipërisë e të popullit shqiptar. Elemente apo grupe ekstremiste që në greqisht apo edhe në shqip, flasin një gjuhë të përbashkët urrejtjeje e përçarjeje, e cila nuk ka lidhje me gjuhën europiane që bashkon popujt e shtetet tona, s’do të kenë asnjë shans të minojnë rrugën tonë të përbashkët të paqes e të bashkëpunimit strategjik në funksion të së ardhmes që meritojnë fëmijët e sotëm të Shqipërisë e të Greqisë”.

Tensionet që pasuan vrasjen e 35 vjeçarit Kacifa, erdhën në një moment kur të dy vendet, duket se kishin vendosur të linin pas të kaluarën problematike, dhe nisën që vitin e kaluar, një proces dialogu politik për të zgjidhur çështjet e mbetura pezull mes tyre.