` . Tillerson uron Ramën për fitoren në zgjedhje - TV SHENJA

Tillerson uron Ramën për fitoren në zgjedhje

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka realizuar sot një bisedë telefonike me sekretarin amerikan të Shtetit, Rex Tillerson, transmeton AA.

Në një njoftim nga zyra e shtypit e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, thuhet se Tillerson e ka uruar Ramën për fitoren në zgjedhje.

“Tillerson ka shprehur bindjen se mandati i fortë që ka marrë për të qeverisur e vetme e obligon Partinë Socialiste të thellojë shpejtësinë e reformave, të pastrojë administratën nga të korruptuarit dhe të shënojë rezultate domethënëse në luftën kundër krimit. Duke i shprehur kryeministrit (Rama) të gjithë mbështetjen e qeverisë amerikane në mandatin e ri qeverisës, sekretari amerikan i Shtetit i ka përcjellë Edi Ramës përshtypjet shumë pozitive të zëvendëspresidentit(amerikan) Pence nga takimi i javës së shkuar në Malin e Zi dhe ka rikonfirmuar vullnetin amerikan për një vëmendje të përqendruar në zhvillimet në rajon”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu theksohet se Rama gjatë bisedës ka bërë një pasqyrë të plotë të situatës në rajon, duke “u përqendruar kryesisht tek dialogu Kosovë – Serbi dhe nevoja për zhbllokimin e ngërçit të emrit të Maqedonisë.”

“Në pjesën e fundit biseda është shtrirë tek roli i Shqipërisë në NATO, kontributi i saj në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm, ku Tillerson është shprehur me konsideratat më të larta. Ndërsa kryeministri Rama ka kërkuar intensifikimin e bashkëpunimit me SHBA në sektorin e energjisë dhe posaçërisht të naftës e të gazit, çka është pritur me shumë interes nga bashkëbiseduesi”, theksohet ndër të tjera në njoftimin e Qeverisë së Shqipërisë.

Postime të Ngjajshme