` . Thaçi: Nëse aktakuza konfirmohet, do të jap dorëheqje - TV-SHENJA

Thaçi: Nëse aktakuza konfirmohet, do të jap dorëheqje

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është deklaruar për herë të parë që nga ngritja e aktakuzës ndaj tij për krime lufte nga Zyra e Prokurorit të Specializuar me seli në Hagë, raporton Anadolu Agency (AA).

Thaçi në një video-porosi për qytetarët e Kosovës tha se gjatë karrierës së tij mund të ketë bërë gabime politike në paqe, “por krime lufte asnjëherë”.

Presidenti kosovar tha se do të mund të përballet me gjykatën, për të cilën ai tha se ka dhënë mbështetje politike, me fjalë dhe me votë. Por, nëse aktakuza për krime lufte ndaj tij vërtetohet, Thaçi tha se do të japë dorëheqje.

“Ditëve në vijim do të konsultohem me liderët politikë për hapat e mëtejmë. Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat”, tha Thaçi.

“Kosova është shtet i ri, por udhëheqësit e saj duhet të sillen si burrështetas të vërtetë. Do ta mbaj këtë barrë dhe ta mbroj veten time, luftën tonë për liri, me çdo forcë që kam”, shtoi ai.

Presidenti Thaçi tha se asnjëherë nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë prova kundër tij për shkeljen e ndonjë ligji, teksa shton se “ligji i vetëm që kam shkelur është ai i Millosheviqit”.

Drejtësia ndërkombëtare, siç thotë ai, nuk po funksionon proporcionalisht midis Kosovës dhe Serbisë sa i përket krimeve të luftës.

“Unë do të isha njeriu më i lumtur nëse do të shihja se bashkësia ndërkombëtare aplikon standarde të njëjta mes Kosovës e Serbisë në adresimin e krimeve të luftës. Fatkeqësisht, jo vetëm që nuk e shoh këtë standard e proporcionalitet, por shoh të kundërtën e tij. Dhe ja ku jemi sot. Serbia ecën në rrugën e negocimeve për anëtarësim evropian, ndërsa Kosova nuk gëzon të drejtën e lëvizjes së lirë”, tha Thaçi.

“Natyrisht që unë nuk shoh këtu ndonjë komplot kundër Kosovës. Por është fakt dallimi në qasjen e bashkësisë ndërkombëtare ndaj dy vendeve”, shtoi ai.

Presidenti kosovar më 24 qershor, ditën kur u bë publike aktakuza ndaj tij dhe ndaj ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, ishte duke udhëtuar drejt Washingtonit, ku më 27 qershor ishte planifikuar takimi në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e emisarit amerikan Richard Grenell.

Për një gjë të tillë ai tha se nuk e di a ishte rastësi apo intrigë “që në mes të rrugës drejt Shtëpisë së Bardhë, doli njoftimi për një aktakuzë të pakonfirmuar”.

Ai e quajti skandal të madh lajmërimin publik të një aktakuze ende të pa miratuar nga trupi gjyqësor, duke shtuar se asnjë qëllim i mirë dhe asnjë vullnet i madh për drejtësi, nuk e arsyeton “fabrikimin e një bombe mediatike për të inkriminuar të parin e shtetit të Kosovës, pikërisht në momentin kur dialogu me Serbinë kishte hyrë në një fazë të re falë angazhimit të drejtpërdrejtë të Shtëpisë së Bardhë”.

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) i ka paraqitur Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) aktakuzë ku presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentari Kadri Veseli dhe të tjerë akuzohen “për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura”.

Siç u bë e ditur nëpërmjet një njoftimi më 24 qershor nga ZPS në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli dhe të dyshuar të tjerë, janë “penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme”. Këto krime, sipas të njëjtit burim, përfshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë, romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë të tyre.